-Sot mblidhet qeveria, nesër Kuvendi/
Nga Behlul Jashari/PRISHTINË, 8 Korrik 2015-Qeveria e Kosovës mblidhet sot pasdite, ndërsa nesër Kuvendi në seancë plenare. Shtypi i sotëm në Prishtinë shkruan se, Kuvendi i Kosovës është duke pritur nga qeveria t’ia riprocedojë për votim amendamentin kushtetues që ka të bëjë me Gjykatën Speciale, e i cili dy javë më parë nuk pati marrë mbështetjen e nevojshme nga deputetët. Procedura që do të ndiqet kërkon që amendamenti të marrë edhe një herë dritën jeshile nga Gjykata Kushtetuese.
Tentativa e sërishme për ta kaluar amendamentin do të bëhet pas presionit ndërkombëtar dhe kërcënimit se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do ta themelojë një tribunal ndërkombëtar për Kosovën, në rast se Prishtina zyrtare nuk e krijon Specialen, shkruan sot “Koha Ditore” me titullin “Nuk do t’i preket përmbajtja amendamentit për Specialen”.
Opozita e ka konsideruar të jashtëligjshëm çfarëdo riprocedimi të mundshëm të amendamentit. Por juristët kanë thënë të mos ketë pengesë për përcjelljen e sërishme të tij, në rast se ndiqen të gjitha procedurat kushtetuese.
Juristi Dren Doli ka thënë të martën se pas votës së Kuvendit procedimi i sërishëm i amendamenteve kushtetuese konsiderohet propozim i ri dhe i cili duhet të ndjekë të gjitha fazat procedurale, duke përfshirë ato në qeveri, në Kuvend dhe në Gjykatën Kushtetuese.
“Mos i vini interesat personale para të Kosovës”, është keyetitull sot në gazetën “Zëri” intervista me ambasadoren e SHBA-së në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, ku theksohet se “dështimi i miratimit të Speciales në Kuvendin e Kosovës, lejon që interesat e disa individëve që do të mundë të akuzoheshin, të vihen para interesave të vendit”.
“Kundërshtarët e Gjykatës Speciale kanë arsye të ndryshme; disa dyshojnë për vete, të tjerët kanë miq që ua merr mendja se mund të akuzohen, ka edhe prej atyre nga opozita të cilët, jo se kanë diçka kundër Speciales, por e bëjnë për të fituar poenë politikë kundër qeverisjes aktuale”, ka thënë ambasadorja e cituar nga gazeta.
Sipas saj, dështimi i miratimit të Speciales dhe lënia e mundësisë që kjo çështje të shkojë në OKB ku do të politizohej, e do të përdoret nga vendet që nuk e njohin Kosovën, për ta denigruar atë, bën që interesat e disa individëve që do të mundë të akuzoheshin, të vihen para interesave të vendit. “Kjo me të vërtetë është për të ardhur keq”, ka thënë Jacobson.
Në 26 qershor, Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi propozim-amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës për krijimin e Gjykatës Speciale. Votat kundër dhe abstenim ishin nga pozita – PDK, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim. Për miratim mungonin 5 vota, duheshin së paku 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë.
Në 27 qershor, në një mbledhje konsultative të qeverisë lidhur me hapat që do të ndërmerren për përmbushjen e obligimeve të institucioneve të Kosovës ndaj marrëveshjes ndërkombëtare që ka të bëjë me themelimin e Gjykatës Speciale, e ratifikuar me ligj të veçantë në Kuvendin e Kosovës vitin e kaluar, kryeministri kosovar Isa Mustafa paralajmëroi riprocedim dhe për këtë bashkërendësim e bisedime edhe me tre partitë opozitare që nuk i votuan në Kuvend ndryshimet kushtetuese.
“Ne mendojmë se në ditët në vijim qeveria e Republikës së Kosovës të bashkërendis aktivitetet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me grupet parlamentare, në mënyrë që të punojmë të gjithë së bashku, që në ditët në vijim të riprocedohet lënda e ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht amendamenteve kushtetuese në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe poashtu të zhvillojmë edhe takime dhe biseda edhe me faktorin ndërkombëtar, i cili është këtu në Kosovë dhe të bashkërendisim me ta të gjitha këto punë”, theksonte në mbledhje kryeministri Mustafa.
Në mbledhje u theksua se, qeveria dhe insititucionet tjera të Republikës së Kosovës angazhohen që në asnjë rrethanë të mos krijohet hapësirë për oponentët e pavarësisë që çështja e Gjykatës Speciale të kalojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Por, në 30 qershor tre partitë opozitare kosovare së bashku deklaruan se, “vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, i datës, 26 qershor 2015 është përfundimtar dhe i pakthyeshëm”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës duhet t’i nënshtrohet këtij vendimi”, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.
Ndërsa, në lidhje me raportet e publikuara dje pasdite në mediat e Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara, Misioni EULEX sqaronte atë që e ka thënë Shefi i Misionit në përgjigjen ndaj pyetjes së gazetarit nëse Misioni EULEX është i gatshëm që t’i mbështesë Dhomat e Specializuara.
“Shefi i Misionit Meucci ka rikujtuar se, nëse Kuvendi i Kosovës i miraton ndryshimet kushtetuese, Dhomat e Specializuara dhe Task Forca Hetimore Speciale (TFHS) do të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës. Nëse Kuvendi nuk i miraton ndryshimet kushtuese, atëherë struktura aktuale mbetet në kuadër të kornizës ligjore të EULEX-it, siç është tani. Pra çështja është nëse Kosova është e gatshme që t’i mbështesë Dhomat e Specializuara, e jo EULEX-i. Dihet mirëfilli se mandati aktual i EULEX-it përfundon në qershor 2016”, thuhej në deklaratën e EULEX-it lidhur me themelimin e Dhomave të Specializuara.