-Herën e kaluar, në 28 nëntor, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës/
PRISHTINË, 8 Janar 2016/ “Nesër në ora 14:00, do të mblidhemi tek Biblioteka Kombëtare, për të nisur kështu protestën për shtet me sovranitet dhe kundër Qeverisë antikushtetuese”, deklaruan sot Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.
Para protestës së nesërme në Prishtinë, opozita e bashkuar kosovare mbajti sot konferencë shtypi në Sheshin Skenderbeu, afër ndërtesës së qeverisë së Kosovës.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të bashkohen në protestën e nesërme. “I ftoj të gjithë qytetarët që në ora 14:00 të vijnë tek Biblioteka Kombëtare, e të marshojmë bashkë deri në Sheshin Skenderbeu. Të protestojmë për anulimin e marrëveshjeve të dëmshme dhe të kërkojmë llogaridhënie nga ata që e shkelën Kushtetutën”, tha Haradinaj.
Visar Ymeri, Kryetar i Vetëvendosje-s, tha se nesër është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për Republikën e Kosovës. “9 janari është dita e protestës gjithëpopullore, dita e protestës së qytetarëve kundër marrëveshjeve të dëmshme dhe të rrezikshme që i ka nënshkruar qeveria e Kosovës, dhe kundër këtyre shkelësve të Kushtetutës. Nesër, qytetarët do të bëhen bashkë për ta kërkuar sovranitetin e vendit. Republika e Kosovës nuk mund të udhëhiqet nga njerëz që me vendimet e veta tentuan ta përmbysin rendin kushtetues të vendit”, theksoi Ymeri.
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se nesër në shesh do të protestojmë masivisht, për të mos lejuar që shkelësit e Kushtetutës të vazhdojnë të qeverisin me vendin. “Është momenti kur zëri qytetar duhet të jetë i bashkuar dhe i fuqishëm, ashtu që të mos lejojë një precedent të keq në Kosovë që shkelësit e Kushtetutës të vazhdojnë të qeverisin. Nëse ata refuzojnë të japin llogari, atëherë edhe ne si qytetarë duhet të refuzojmë të na qeverisin shkelësit e Kushtetutës”, u shpreh Limaj.
Herën e kaluar, në 28 nëntor, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës. Manifestimi ishte ftuar nga opozita në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë, veçmas asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe kundër marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi./b.j/