PRISHTINË, 7 Shtator 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit mandatoi liderin e AAK Ramush Haradinaj për kryeministër.“Sapo pranova propozimin nga koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, i cili ka siguruar shumicën e votave në Parlament, për caktimin e mandatarit të ri të qeverisë së Kosovë.
Duke u bazuar në kompetencat e mia kushtetuese, përmes një dekreti kam caktuar z. Ramush Haradinaj mandatar për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, i propozuar nga ky koalicion”, shkruan Thaçi në ‘facebook’.Në fjalën e tij, në përfundim të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës sot pasdite, i saporizgjedhur kryeparlamentar Kadri Veseli paralajmëroi për të shtunën seancën për zgjedhjen e liderit të AAK Ramush Haradinajt kryeministër dhe qeverisë së Kosovës, e më parë mandatimin.
Koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-Nisma është fituesi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit.Në një paralajmërim të dërguar sapo njoftohet se sot në orën 16:30 kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe mandatari për krijimin e qeverisë, Ramush Haradinaj mbajën konferencë shtypi.