-Qeveria e Kosovës mbledhjen e shtyrë sot paralajmëron ta mbajë pas seancës së Kuvendit të mocionit të mosbesimit, e cila është ftuar për të mërkurën/
PRISHTINË, 8 Maj 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Mbledhja e Qeverisë së Kosovës, e paraparë të mbahej sot, është shtyrë, sapo u njofua edhe zyrtarisht në komunikatën e dërguar nga Kryeminsitria, ndërsa paralajmërohet të mbahet pas seancës së Kuvendit që do të zhvillohet të mërkurën me axhendë mocionin e mosbesimit për qeverinë.
“Pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u arrit dakordimi që mbledhja e kabinetit qeveritar ku do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të mbahet pas seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, që do të zhvillohet të mërkurën”, bën të ditur komunikata.
Theksohet se, “Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj të plotë, që në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, SHBA-të dhe BE-në, të adresojë me prioritet dhe përkushtim të plotë çështjen e Ratifikimit të Kufirit Shtetëror me Malin e Zi, si një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”.
Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar për sot nw orwn 10:00 mbledhjen e 145-të, të 20-tën në 2017-tën, në fillimin e një jave të pritjeve të zhvillimeve që mund të qojnë në zgjedhje të parakohëshme, fillimisht në shpërndarjen e Kuvendit, i cili edhe në legjislaturën e kaluar ishte vetëshpërndarë, para tre viteve, në 7 maj 2014.
Kryeministri Isa Mustafa kishte paralajmëruar se, qeveria do të mblidhet këtë të hënë t’ia procedojë Kuvendit Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
“Dita e Demarkacionit” dhe “Dita ‘D’”, janë dy nga kryetitujt e shtypit të sotëm në Kosovë.
Projekligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi ishte në axhendën e Kuvendit të Kosovës në seancën e 1 shtatorit 2016, por u tërhoq nga qeveria derisa opozita e kundërshtonte edhe me protesta e mungonte Lista Serbe dhe nuk ishte e sigurt se për miratim do arriheshin të paktën 80 vota të parlamentit 120 anëtarësh.
Tre partitë opozitare, madje edhe disa deputetë nga maxhoranca, kanë paralajmëruar votim kundër edhe për riprocedimin në Kuvend dhe sipas disa deklaratave mosratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi në votimin në seancën e Kuvendit Kosovën e çon në zgjedhje të parakohëshme.
Poashtu, në zgjedhje të parakohëshme mund të çojë një seancë tjetër e jashtëzakonshme e Kuvendit për mbajtjen e së cilës të mërkurën e kësaj jave – në 10 maj, u vendos të premtën e kaluar – në 5 maj, në një mbledhje të thirrur urgjent të Kryesisë së Kuvendit me shefat e grupeve parlamentare pasi partitë e opozitës, Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, për mocion të mosbesimit për qeverinë e Kosovës dorëzuan kërkesën me 42 nënshkrime, 8 nga të cilat nga grupe parlamentare të koaliciomit qeverisës – Partisë Demokratike të Kosovës, Listës Serbe dhe të Grupit Gjashtë Plus të komuniteteve tjera pakicë.
Duhen së paku 61 vota të parlamentit 120 anëtarësh për t’u rrëzuar qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, e cila është zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, të cilat ishin të pestat në liri, të dytat në pavarësi.