-Ministrja për Dialog e qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri: negociatat 20 orëshe që u zhvilluan në Bruksel në 2 e 3 gusht 2016 sollën rezultatet dhe Bashkimi Evropian tashmë ka bërë deklaratën zyrtare e cila shpjegon të gjitha hapat praktikë dhe afatet deri në përfundimit e procesit të revitalizimit dhe heqjes së barrikades/
PRISHTINË, 5 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Revitalizimi i urës dhe heqja e barrikadës mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë fillon në 14 gusht 2016 dhe këtë proces do ta realizojë Bashkimi Evropian, sapo deklaroi ministrja për Dialog e qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri.Ajo konfirmon se negociatat 20 orëshe që u zhvilluan në Bruksel në 2 e 3 gusht 2016 sollën rezultatet dhe Bashkimi Evropian tashmë ka bërë deklaratën zyrtare e cila shpjegon të gjitha hapat praktikë dhe afatet deri në përfundimit e procesit të revitalizimit dhe heqjes së barrikadës.
“Më në fund, ura e Mitrovicës do të jetë një urë e lirë bashkuese si në gjithë botën dhe ajo do të shërbejë për lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve dhe automjeteve ashtu siç është përcaktuar në marrëveshjen e Brukselit të datës 25 gusht 2015 nënshkruar nga kryeministrat e të dyja shteteve dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Frederika Mogherini. Heqja e barrikadës dhe hapja e urës për qarkullim të lirë e të plotë do ta bëjë urën sinonim të normalizimit të relacioneve dhe bashkëpunimit në mes të komuniteteve atje, shqiptarëve, serbëve dhe të tjerëve”, shprehet ministrja Tahiri duke shtuar se, më këtë rast qeveria e Kosovës po e përmbush premtimin ndaj qytetarëve të cilët gjithmonë e dëshiruan këtë urë të jetë e lirë.
Ministrja Edita Tahiri falënderon Bashkimin Evropian për angazhimin maksimal për zbatimin e kësaj marrëveshje si dhe thekson se durimi i BE-së ndaj zvarritjes së këtij procesi megjithatë në fund doli me rezultate, poashtu i falënderon gjithë partnerët ndërkombëtarë, SHBA-të, vendet anëtare të BE-së, Gjermaninë, Francën, Italinë, Britaninë, etj, të cilët u angazhuan maksimalisht që kjo marrëveshje të zbatohet në funksion të normalizimit të marrëdhënieve mes të dyja shteteve si dhe në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon. Gjithashtu e falënderon, Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe misionin e EULEX-it që gjatë kësaj periudhe të zvarritjes arritën të japin kontribut për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në këtë pjesë të vendit.
Ministrja Tahiri falënderon poashtu edhe grupin shtetëror për marrëveshjen e Brukselit për heqjen e barrikadës të cilët dhanë kontribut të madh në këtë çështje.Ministria për Dialogun bashkangjitur këtij njoftimi e dërgoe edhe komunikatën zyrtare të Bashkimit Evropian në gjuhën angleze e cila së shpejti do të dalë edhe në gjuhën shqipe përkthyer zyrtarisht nga Bashkimi Evropian: