-Të premten pasdite është përmbyllur procesi i rinumërimit të 30 kutive të votimit, për të cilat KQZ kishte vendosur të rinumëroheshin/
PRISHTINË, 17 Qershor 2017-Gazeta DIELLI/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë në mbledhjen e sotme kryesuar nga kryetarja Valdete Daka mori vendim për rinumërimin edhe të 115 kutive të votimeve të 11 qershorit, pasi janë vërejtur mospërputhje të votave të kandidatëve dhe subjekteve politike.
Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj bëri të ditur se të premten pasdite është përmbyllur procesi i rinumërimit të 30 kutive të votimit, për të cilat KQZ kishte vendosur të rinumëroheshin.
Në vazhdim të mbledhjes u paraqit edhe një analizë preleminare lidhur me pavlefshmërinë e fletëvotimeve. Analiza është bërë në QNR gjatë rinumërimit të 30 kutive të votimit, të premten (16 qershor). Nga studimi i rasteve të fletëvotimeve të pavlefshme (518 në total) në vendvotimet e rinumëruara, është gjetur se kanë pasur të bëjnë me gabime në votim. Në 205 raste është shënjuar më shumë se një subjekt politik, e në 250 të tjera votuesit kanë shënjuar vetëm kandidatët, por jo edhe subjektin politik. Po ashtu, janë shënuar edhe numër i rasteve kur fletëvotimi është bërë i pavlefshëm me qëllim (62 raste) dhe në 1 rast fletëvotimi nuk ka qenë i vulosur.
Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës, dhe as përfundimtaret që priten, nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm të formojë qeverinë e ardhshme të Kosovës./b.j/