PRISHTINË, 4 Gusht 2015/-Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, udhëtoi sot për Bruksel për të marrë pjesë në takimin lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve, në bisedimet Prishtinë-Beograd.
Në këtë takim të ndërmjetësuar nga BE dhe Këshilli i Byrove Evropiane do të diskutohet për aspektet teknike të zbatimit të Marrëveshjes për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në 23 qershor në Bruksel në prani të kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, si dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Mogherini. Kjo Marrëveshje ishte paraparë të hyjë në fuqi në 24 korrik dhe institucionet e Kosovës kishin bërë përgatitjet e nevojshme.
“Gjatë këtij takimi do të diskutohet për të gjitha aspektet teknike të përgatitjeve për fillimin e mbarë të zbatimit të kësaj marrëveshje sipas planit zbatues, për të cilën të dyja palët do të raportojnë për përgatitjet e duhura. Është qëndrim i delegacionit të Republikës së Kosovës që Marrëveshja duhet të zbatohet në plotëni, sa më parë që është e mundur dhe jo më larg se 10 gushti 2015”, theksojnë burimet zyrtare të Kryeministrisë kosovare.
Gjatë ditës së nesërme, delegacioni i Republikës së Kosovës do të pritet në një takim nga Presidenti i Këshillit të Byrove Evropiane (KBE), Jean Zenners. Do të diskutohet për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit, me theks të veçantë të Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe Këshillit të Byrove Evropiane, për zbatimin e kritereve të KBE nga ana e institucioneve përgjegjëse të Kosovës dhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Byrove./b.j/