-Mustafa: Asociacioni i komunave me shumicë serbe asnjë përgjegjësi ekzekutive/ Thaçi: Shpresoj marrëveshje të rëndësishme/ Vuçiç do mbajë sot në Beograd një konferencë shtypi/
-Katër temat: Parimet themelore për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kodi telefonik, energjia dhe ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Gusht 2015/Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë udhëtojnë për në Bruksel, ku nesër zhvillohet raundi i 28-të i nivelit të lartë kryeministror, para të cilit sot mbahet një takim në nivel teknik.
Në tavolinë bisedimesh të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç përsëri do jenë katër çështje të diskutuara edhe në dy raundet e kaluara, në 23 dhe në 29-30 qershor: Parimet themelore për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kodi telefonik, energjia dhe ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Sipas deklaratave në qeverinë e Kosovës, për Asociacionin e komunave janë përafruar qëndrimet, jo të Statutit, por vetëm të parimeve themelore, për kodin telefonik marrëveshja është e përfunduar praktikisht, ndërsa çështjet e marrëveshjes për energjinë dhe lidhur me urën mbi Ibër nuk janë përfunduar dhe kanë mbetur që të diskutohen në vijim.
Qëndrimi që ka prezantuar Kosova në raundin e 27-të kryeministror në Bruksel është që të bëhen përpjekje që këto katër marrëveshje të përfundohen dhe që si pako të realizohen, duke e nënshkruar secila veç e veç.
“Është vazhduar të punohet edhe gjatë kësaj periudhe me Brukselin, po më tepër në nivel teknik, sa i përket përafrimit të disa zgjidhjeve lidhur me Asociacionin e komunave, ka akoma çështje të hapura, dhe ne do të mundohemi që të gjitha këto çështje t’i përafrojmë”, është shprehur kryeministri Mustafa në konferencën e fundit për shtyp në Prishtinë, këtë muaj, duke iu përgjigjur interesimit të medias.
“Kur flitet për përafrimin, ne insitojmë në ate dhe do të qëndrojmë në mënyrë konsekuente që Asociacioni të mos ketë asnjë përgjegjësi ekzekutive dhe të mos jetë pushtet i tretë në Kosovë. Po, të gjendet mënyra se si Asociacioni do të përkrahë, do të ndihmojë zhvillimin ekonomik, kulturor, arsimor edhe zhvillimin tjetër të komunave me shumicë serbe”, ka theksuar kryeministri kosovar, Mustafa.
Ndërkohë, kryeministri i Serbisë, Vuçiç, do mbajë sot në Beograd një konferencë shtypi, bën të ditur media serbe, e cila nuk paralajmëron ndonjë temë të veçantë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në 21 gusht, ku ishte edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka shprehur shpresën se në Bruksel, në raundin e nesërm të 28-të në nivel të lartë të kryeministrave, do ketë marrëveshje.
“Unë sot dëgjova disa fjalë mjaft të ashpra nga z. Daçiç. Unë e kuptoj se ai është në një fushatë zgjedhore dhe mund të ketë nevojë të përdorë një gjuhë nacionaliste, por Dialogu me Serbinë ka vazhduar dhe po vazhdon të sigurojë normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të procesit të integrimit evropian. Javën e ardhshme ne do të takohemi përsëri në Bruksel dhe unë shpresoj se ne do të biem dakord për të mbyllur pakon e marrëveshjeve të rëndësishme”, ka thënë Thaçi të premtën e javës së kaluar në KS të OKB.
Marrëveshja e parë për telekomin, ka shtuar ai, do të sigurojë që Kosova të marrë kodin e pavarur telefonik ndërkombëtar. “Kjo do t’i sjellë vendit miliona euro, sepse deri tani kemi përdorur kodet e Monakos, Serbisë dhe të Sllovenisë”, ka thënë Thaçi.
Marrëveshja e dytë për energjinë, ka vijuar ai, ka për qëllim për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë sistemit paralel të shpërndarjes së energjisë në veri të Kosovës, sistem ky i vendosur paligjshëm nga Serbia. “Ligji i Kosovës do të mbizotërojë dhe do të jetësojë krijimin e një tregu konkurrues të shpërndarjes në të gjithë territorin e Kosovës dhe tatimet përfundimisht do t’u paguhen autoriteteve financiare të Kosovës”, ka theksuar Thaçi.
Kryediplomati i Kosovës ka thënë më tej se, marrëveshja e tretë do të sigurojë që barrikada e vendosur në veri, e ashtuquajtur “Parku i Paqes”, nuk do të pengojë më lirinë e lëvizjes.
“Marrëveshja e katërt pritet të krijojë një shoqatë të paraparë me Planin e Ahtisarit: Asociacionin e komunave serbe. Unë ju siguroj, zoti President, se ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Ne kemi decentralizuar shumë nivelin komunal dhe ky nivel do të mbetet baza e demokracisë sonë qytetare”, ka thënë Thaçi.
Ne, ka theksuar ai, shpresojmë të nënshkruajmë këto marrëveshje javën e ardhshme në mënyrë që udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor të mund të takohen në Vjenë, në samitin e ardhshëm të vendeve tona në kontekstin e “Procesit të Berlinit”.
“Të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen dhe do të diskutojnë format praktike të bashkëpunimit, qoftë përmes investimeve të përbashkëta infrastrukturore, shkëmbimeve të të rinjve apo edhe demarkacionit të kufijve tanë”, ka thënë Thaçi.
Kosova, ka vijuar ai, do të luajë një rol në disa procese të rëndësishme dhe do të promovojë me Serbinë një autostradë të re që lidh Serbinë me bregdetin shqiptar dhe malazez nëpërmjet autostradës së Kosovës. “Projekti i ashtuquajtur Prishtinë-Nish do të lidhë pjesë të rëndësishme të Ballkanit”, është shprehur Thaçi për autostradën nga kryeqyteti i Kosovës në qytetin jugor të Serbisë.
Në Bruksel, kryeministrat Mustafa e Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, do zhvillonjë takimin e pestë të tyre, ndërsa nga 27 raundet deri tash të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.