-Nga Kosova, Presidenti Hashim Thaçi e Kryeministri Isa Mustafa, e nga Serbia Presidenti Tomislav Nikoliç e Kryeministri Aleksandar Vuçiç, do të ulen sot sërish së bashku në tryezën e dialogut të ftuar e ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtëme e Politika të Sigurisë dhe Nënpresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, e cila fillimisht do zhvillojë takime të veçanta me delegacionet/
PRISHTINË, 1 Shkurt 2017-Behlul Jashari/ Në dialogun Kosovë-Serbi, të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, realizimi i marrëveshjeve në vazhdimësi të dhënies fund të situatave tensionuese e retorikave do jetë në fokus të raundit të dytë të takimeve të nivelit më të lartë, të presidentëve dhe kryeministrave, sot në Bruksel, një javë pas të parit në 24 janar, që pasonte 30 raundet kryeministrore, të nisura në 19 tetor 2012, e së fundi të munguara plot një vit pas të vetëmit të 2016-tës të zhvilluar në 27 janar.
Nga Kosova, Presidenti Hashim Thaçi e Kryeministri Isa Mustafa, e nga Serbia Presidenti Tomislav Nikoliç e Kryeministri Aleksandar Vuçiç, do të ulen sot sërish së bashku në tryezën e dialogut të ftuar e ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtëme e Politika të Sigurisë dhe Nënpresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, e cila fillimisht do zhvillojë takime të veçanta me delegacionet.
“Ky takim është vazhdim i atij të 24 janarit, ku të dy palët u dakorduan të lënë prapa tensionet dhe të përqendrohen në punë përbrenda dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, theksohet në njoftimin nga zyra e Mogherinit. Përfaqësuesja e Lartë dhe Nënpresidentja Mogherini, shtohet më tej, pret me padurim vazhdimin e diskutimeve për çështje me rëndësi dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët si dhe që ta çojnë përpara dialogun.“Progresi drejt BE-së është i lidhur për të dyja, për Serbinë dhe Kosovën, përbrenda dialogut”, thuhet në njoftimin e zyrës së Mogerinit.Takimi i 24 janarit 2017, ku në fokus ishte dhënia fund situatave tensionuese, u mbajt ndërkohë që kohëve të fundit kishte tre ngjarje të pasuara edhe me retorika e të vlerësuara nga Prishtina zyrtare zhvillime provokuese dhe axhenda të rrezikshme: Serbët ndërtuan një mur ndarje afër urës në Mitrovicën Verore, u hodh një bombë natën drejt zyrave qeveritare kosovare në veri pak ditë pasi u përuruan dhe një tren ilegal dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” u nis nga Beogradi për të hyrë në veri të Kosovës pa lejen e autoriteteve, por u ndal para se të arrijë te kufiri, ku për ta ndaluar ishte dërguar njësia speciale e Policisë kosovare.
Në zhvillimet pas takimit në mbrëmjen e së martës së javes së kaluar në Bruksel, në Prishtinë dhe Beograd deklaratat ishin të matura e nuk kishte retorika.
Të shtunën e 28 janarit, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç zhvilluan një bisedë telefonike.“U pajtuam që të punojmë bashkërisht që nëpërmjet dialogut t’i zgjidhim të gjitha çështjet me interes reciprok e që ndërlidhen me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka bërë të ditur Thaçi.Ndërkohë, ndodhi edhe një zhvillim i shmangies së tensioneve të mundëshme: Nga autoritetet e Prishtinës nuk u rrënua muri në veri të Mitrovicës edhe pse dje ishte dita e fundit e afatit të përcaktuar me një rezolutë të Kuvendit të Kosovës ndërsa u tha se vetë serbët lokalë do e rrënojnë dhe për këtë po bisedohet. Një zhvillim tjetër është se, treni provokues që shkaktoi tensione me nisjen nga Serbia drejt Mitrovicës së Veriut, sipas një njoftimi të mbrëmshëm nga Beogradi, nuk do qarkollojë në relacionin drejt Merdares, vendkalimit kufitar me Kosovën, me nisje prej sot siç ishte paralajmëruar më herët, por në një relacion tjetër – drejt Vërshacit (qytet në krahinën e Vojvodinës, në Serbi).
Në Bruksel, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, në 19 prill 2013 është nënshkruar Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton.Deri tani, në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.