-Axhenda e takimit e njoftuar për korrespondentin në Kosovë të Gazetës DIELLI/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 2 Qershor 2016/ Në Prishtinë nesër do të zhvillohet mbledhja e tretë e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
“Mbledhja e dy qeverive dhe aktivitetet përcjellëse do të zhvillohen në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ‘Pjetër Bogdani’ në Prishtinë”, bën të ditur njoftimi dërguar korrespondentit në Kosovë të Gazetës Dielli, të akredituar për këtë ngjarje nga Kryeministria e Kosovës.
“Në këtë mbledhje, përveç tjerash, është paraparë të nënshkruhen edhe një varg marrëveshjesh në fushën e ekonomisë, administrates publike, mjedisit, energjetikës dhe bashkëpunimit ndërkufitar”, është paralajmëruar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, para mbledhjes së nesërme të tretë të qeverive Kosovë-Shqipëri.
Mbledhja e parë historike është mbajtur në Prizren në 11 janar 2014, pas së cilës në ceremoninë e organizuar te Shtëpia e Lidhjes Shqiptare u bë nënshkrimi zyrtar i Dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet dy shteteve dhe marrëveshjeve tjera mes dy qeverive, të Shqipërisë e Kosovës.
Në mbledhjen e dytë të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovë, në Tiranë në 23 mars 2015, nën moton “Një tokë, një popull, një ëndërr”, u firmosën 5 marrëveshje, 4 memorandume, 2 protokolle dhe një deklaratë e përbashkët për zonat e lira ndërkufitare.
Duke paralajmëruar mbledhjen e nesërme, në qeverinë kosovare gjatë përgatitjeve kanë theksuar se, bashkëpunimi me Shqipërinë është i interesit të veçantë për Kosovën, do të vazhdohet me takime të dy qeverive, do të trajtohen marrëveshjet që janë nënshkruar deri më tani dhe zbatimi i tyre, po ashtu do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjeve të reja të interesit të përbashkët.
AXHENDA E MBLEDHJES SË PËRBASHKËT TË QEVERIVE KOSOVË-SHQIPËRI NË 3 QERSHOR 2016 NË PRISHTINË:
10: 00 Mbërritja e Delegacionit Shqiptar në pikën Kufitare Vërmicë
(priten nga zëvendëskryeministri Kujtim Shala dhe Protokolli i Shtetit).
11:00 Mbërritja e Delegacionit Shqiptar në Bibliotekën Kombëtare
11:10 Pritja Ceremoniale e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa për Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
(Pas intonimit të Himnit Kombëtar të Shqipërisë dhe të Kosovës, Kryeministrat Mustafa dhe Rama prezantojnë kabinetet).
11:20 Fillimi i mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
12:20 Nënshkrimi i Marrëveshjeve.
12:40 Konferenca e përbashkët për media e Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
13:00 Fotografia e përbashkët.
(Jashtë ambienteve të Bibliotekës Kombëtare)