*Jahjaga: Esat Stavileci, njeri i shkencës dhe atdhetar i madh/
*Mustafa: Akademik Esat Stavileci ka dhënë kontribut të madh për Kosovën/
-Deklaratë e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës me rastin e vdekjes së akademik Esat Stavilecit-/
PRISHTINË, 15 Gusht 2015/ Shuhet akademik Esat Stavileci. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës njofton se sot, në orët e pasdites, në shtëpinë e tij, vdiq anëtari i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, eksperti i shquar në fushën e shkencave juridike, akademik Esat Stavileci.
Në deklaratën me rastin e vdekjes së akademik Esat Stavilecit Akademia thekson se, është kjo një humbje e madhe për familjen, shkencën dhe Akademinë, për kolegët dhe miqtë e shumtë anë e mbanë Kosovës dhe trojeve shqiptare.
Akademik Esat Stavileci lindi më 11 korrik 1942, në Gjakovë, ku e kreu shkollimin fillor dhe të mesëm, ndërsa Fakultetin Juridik në Prishtinë. Studimet pasuniversitare i vijoi dhe i mbaroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit. Studimet e Larta të së Drejtës Krahasimtare i vijoi në disa qendra të tjera evropiane. Doktoroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Sarajevës në vitin 1974. Prej vitit 1965 deri në pensionim punoi profesor në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ku edhe pas pensionimit ishte i angazhuar në studimet master dhe të doktoraturës. Krijimtaria e tij shtrihet në shumë fusha të interesimit shkencor, veçanërisht në ato juridike-kushtetuese, në fushën e sistemeve politike krahasimore, të administratës dhe të administrimit publik në përgjithësi, të metodologjisë së shkencave shoqërore dhe juridike dhe në fushën e terminologjisë juridike.
Me këtë rast, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Stavileci, miqve dhe adhuruesve të tij gjithandej Kosovës dhe botës shqiptare.
Mbledhja komemorative do të mbahet të hënën, më 17 gusht 2015, në orën 10:00, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa homazhet nga ora 10:30-11:30, po ashtu në Mjediset e Akademisë.
Akademik Stavileci do të varroset në varrezat e qytetit të Gjakovës në orën 17:00, më 17 gusht 2015.
Akademia përkujtimore dhe homazhet do të bëhen në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë nga ora 14:00.
BIOGRAFIA
Akademik Esat Stavileci, i lindur më 11 korrik 1942, në Gjakovë, ku ka kryer shkollimin fillor dhe të mesëm (Gjimnazin), ndërsa Fakultetin juridik në Prishtinë. Studimet pasuniversitare i vijoi dhe mbaroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit dhe Studimet e Larta të së Drejtës Krahasimtare në Strasburg të Francës, Pescara te Italise, Amsterdam te Hollandes dhe Caracas te Venezuelles. Titullin doktor i shkencave e mori në Fakultetin Juridik të Universitetit të Sarajevës (1974). Prej vitit 1965 punoi në Fakultetin Juridik të Prishtinës ku, megjithë pensionimin në vitin 2007, deri vone ishte i angazhuar në Programin Studimor Master ne lenden Të menduarit dhe të Shkruarit Juridik. Është anëtar i rregullt i Akademise se Shkencave dhe Arteve te Kosoves (2000).
ARSIMIMI DHE KUALIFIKIMET:
Doktor i shkencave juridike – administrative.
Diplome e Studimeve të Larta të së Drejtës Krahasimtare.
ANGAZHIME:
Mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës dhe ligjërues në disa universitete të tjera (Universiteti Shtetëror i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë, Universiteti i Tiranës, Universiteti i Jenës, Universiteti i Sofjes, Universiteti Amerikan në Blagoevgrad të Bullgarisë etj.).
Hulumtues në dhjetra projekte shkencore.
Studiues i sistemeve politike, juridike-kushtetuese dhe administrative, i shtetit dhe kombit, i metodologjisë dhe i terminologjisë.
Hartues i librave universitarë, studimeve shkencore dhe veprave publicistike.
Trajnues i kuadrit në administratën publike.
Eshte laureat i “Shperblimit te Dhjetorit” (1978), “Qytetar Nderi i Gjakoves” (2007), bartes i titullit “Imazhi i Intelektualit Shqiptar” (2009) etj.
PËRVOJA PROFESIONALE :
Mësimdhënie mbi dyzetë vjet në universitet.
Eksperiencë studimore në universitetet më prestigjioze të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përvojë praktike në institute të administratës publike.
Mbi 1000 paraqitje publike jashtë universitetit mbi Kosovën dhe çështjen shqiptare.
Pjesëmarrje në disa dhjetra konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.
TRAJNIME TJERA:
Në fushën e mësimdhënies.
Në fushën e hartimit të ligjeve.
Në fushën e metodologjisë së hulumtimit shkencor etj.
TITUJT E PUBLIKUAR:
Nga gjithsej tridhjetekater tituj, po veçojmë ata nga fusha e specializmit:
1.Përgjegjësia politike e titullarëve të funksioneve publike dhe vetëqeverisëse, Instituti i Kërkimeve Juridike dhe Shoqërore, Fakulteti Juridik, Prishtinë, 1978.
2.E drejta administrative, Fakulteti Juridik, Prishtinë, 1981.
3.Administrata në shoqërinë vetëqeverisëse, Shoqata Krahinore për Teori dhe Praktikë Administrative, Prishtinë, 1985.
4.Elemente të së drejtës administrative, Fakulteti Juridik, Prishtinë, 1985.
5.Hyrje në shkencat administrative, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore, Prishtinë, 1997.
6.Nocione dhe parime të administratës publike, aspekte metodologjike dhe shqyrtime krahasimtare, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, botimi i parë, Prishtinë 2005 dhe botimi i dytë, Prishtinë, 2007.
7.Shteti- shqyrtime të përgjithshme teorike me vështrim rasti i Kosovës, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, 2008.
8.Fjalor shpjegues i termave administrative, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2010.
Dhjetë librat e fundit :
1. The Albanian Question At The Crossroads of Peaceful Solution, The Independent Association of Lawyers of Kosova, Prishtina, 1995 (edhe në shqip).
2. Kosova and Albanians, Between Negation and Independence, The Independent Association of Lawyers of Kosova, Prishtina, 1995.
3. Cështja e Kosovës në veprën e Gazmend Zajmit, Shoqata e Pavarur e Juristëve e Kosovës, Prishtinë, 1997.
4. Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, Shoqata e Pavarur e Juristëve e Kosovës, Prishtinë, 1998.
5. Kosova nën administrimin ndërkombëtar, Forumi për Iniciativë Demokratike, Gjakovë, 2000.
6. Truths on Kosova, Albanian World Federation, Prishtina, 2000.
7. Vazhdimësia e mendimit për Kosovën dhe çështjen shqiptare, Lidhja Shqiptare në Botë, Prishtinë, Tiranë, Tetovë, 2001.
8. Kosova dhe çështja shqiptare në udhëkryqet e kohës (Political History of the Kosova Issue, Instituti për Studime Bashkëkohore, Universiteti Dardania, Prishtinë, 2005.
9. The Trouth About Kosova, Arguments and Facts in Support of Its Independence, Dardania University, Prishtina, 2007.
10. Rrugetimet dhe labirintet e Kosoves dhe te shqiptareve, Forumi per Iniciative Demokratike, Gjakove, 2009.
Jahjaga: Esat Stavileci, njeri i shkencës dhe atdhetar i madh/
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ngushëlloi sot familjen Stavileci me rastin e ndarjes nga jeta të Akademik Esat Stavilecit.
Në telegram thuhet:
E nderuara familja Stavileci,
Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Akademik Esat Stavilecit, njeriut të shkencës dhe atdhetarit të madh.
E ndaj me Ju, e nderuara familje dhimbjen për këtë humbje të madhe për ju dhe për të gjithë ne në Kosovë duke e kujtuar me shumë respekt, punën dhe kontributin e çmuar të Akademik Esat Stavilecit.
Akademik Stavileci do të mbahet mend ndër gjenerata për kontributin e jashtëzakonshëm shkencor në fushën juridike-kushtetuese dhe për kontributin e jashtëzakonshëm për vendin e tij.
Ndarja nga jeta e Akademik Esat Stavilecit, është humbje e madhe jo vetëm për ju e nderuara familje Stavileci, por edhe për gjithë komunitetin shkencor të Kosovës, për miqtë, për bashkëpunëtorët dhe për të gjithë ata studiues që patën fatin të punojnë me të dhe të mësojnë nga ai.
Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, në emër të Institucioneve dhe në emrin tim personal, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta.
Mustafa: Akademik Esat Stavileci ka dhënë kontribut të madh për Kosovën
-Kryeministri Isa Mustafa ngushëlloi familjen Stavileci, me rastin e ndarjes nga jeta të Akademik Esat Stavilecit/
Prishtinë, 15 gusht 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ngushëlloi familjen Stavileci dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me rastin e ndarjes nga jeta të anëtarit të rregullt të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ekspertit të shquar në fushën e shkencave juridike, Akademik Esat Stavilecit.
“Me pikëllim dhe dhembje të madhe e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Akademik Esat Stavilecit. Akademik Esat Stavileci me punën, angazhimin dhe përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm gjatë dekadave të kaluara, ka dhënë kontribut të madh për Kosovën, veçanërisht në avancimin e gjithanshëm të shkencave juridike në shtetin e Kosovës. Akademik Esat Stavileci, do të përkujtohet gjithnjë si një profesor frymëzues për breza të tërë të juristëve të Kosovës dhe për punën dhe kontributin e madh në fushën e studimeve juridike në Kosovë”, thuhet në telegramin e kryeministrit Mustafa.
Duke shprehur ngushëllimet në të sinqerta në emër të Qeverisë së Kosovës për këtë humbje të madhe, kryeministri Isa Mustafa po ashtu thekson se vdekja e Akademik Esat Stavilecit është humbje shumë e madhe për familjen, për miqtë, për kolegët dhe për Republikën e Kosovës.
Kryetarja e Komunës së Gjakovës ngushellon familjen Stavileci
E dashura familje Stavileci,
Të nderuar kolegë, intelektualë dhe miq të profesor Esat Stavilecit,
Me dhimbje dhe pikëllim të thellë, sot morrëm lajmin e hidhur për humbjen e intelektualit, juristit parimor, profesorit universitar, akademikut të shquar dhe bashkëqytetarit tonë, profesor Esat Stavileci.
Kosova dhe shiptarët në përgjithësi sot humbën një personalitet të dalluar të jurispudencës, njeriun e intelektit, autorin e shumë veprave që padyshim në çdo hap të jetës së Tij la gjurmë identifikuese për shtetin dhe të ardhmen!
Akademik Esat Stavileci ka krijuar emër të madh në shkencën Kosovare, duke na ofruar gjithmonë studim të drejtë të çështjes shqiptare.
Ne, morrëm lajmin që më së paku do të donim dhe prisnim, por vdekja nuk pyet dhe na i rrëmben edhe më të mirët, më të duhurit dhe më të nevojshmit. Andaj, duke qenë krenarë që si bashkëqytetar i ynë, profesor Esat Stavileci dha kontribut voluminoz në nivelet akademike, përherë do ndjejmë boshllëkun e krijuar nga humbja e kësaj figure të madhe të shoqërisë sonë!
Shumë të lumtur që ju patëm e jashtëzakonisht të pikëlluar që ju humbëm, profesori ynë i përjetshëm!
Me pikëllim,
Mimoza Kusari – Lila
Kryetare e Komunës së GjakovëPERGATITI: BEHLUL JASHARI/
Sadik Elshani says
U shua edhe nje drite – humbje e madhe per Kosoven dhe gjithe shqiptaret. Ngushellime familjes dhe gjithe miqve! Sapo lexova “testamentin” e tij, ligjeraten lamtumirese qe e ka mbajtur perpara studenteve te tij, qe eshte nje ligjerate e shkelqyeshme dhe shume domethenese. Kete ligjerate, shkrim eshte mire qe ta lexojne te gjithe politikanet shqiptare, te gjitha figurat publike, sepse mund te nxjerrin mesime te vlefshme.
Profesori u prehte i qete ne dheun e Kosoves se lire!