-Buxheti i Shtetit të Kosovës plotësisht i harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar/*
-Ministri i Financave, Avdullah Hoti: Të hyrat e rregullta buxhetore për vitin 2016 janë planifikuar të jenë 1 miliard e 598 milionë euro, që është një rritje prej 4.1% krahasuar me vitin 2015 dhe 19% më shumë se në vitin 2014/
Nga Behlul Jashari*/ PRISHTINË, 2 Janar 2016/ Buxheti i Shtetit për vitin 2016, i miratuar edhe në Kuvend brenda afatit ligjor, është në linjë të plotë me objektivat e qeverisë për rritje të qëndrueshme ekonomike e stabilitet buxhetor dhe është plotësisht i harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, tha ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti.
“Të hyrat e rregullta buxhetore për vitin 2016 janë planifikuar të jenë 1 miliard e 598 milionë euro, që është një rritje prej 4.1% krahasuar me vitin 2015 dhe 19% më shumë se në vitin 2014. Për vitin 2016, shpenzime bazë parashihet të jenë 1 miliard e 678 milionë euro”, bëri të ditur ai.
Në konferencën për shtyp të fundvitit dhe pritjen për gazetarë, ministri Hoti theksoi se, nga gjithsej 76 projektligje të miratuara nga qeveria, 17 prej tyre janë përgatitur nga Ministria e Financave, që është 22% e programit legjislativ të realizuar nga qeveria gjatë këtij viti. Për krahasim, në vitin 2014 Ministria e Financave kishte përgatitur 7 projektligje.
“Në 64 mbledhjet e rregullta të qeverisë në 2015-tën, janë trajtuar 569 pika të rendit të ditës, prej të cilave 99 pika – 17% kanë qenë të Ministrisë së Financave”, tha ministri, duke bërë të ditur edhe se kjo Ministri ka proceduar 27 çështje të ndryshme në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, ndërsa 54 në Komitetin për Partneritet Publiko-Privat.
“Krahasuar me vitin e kaluar, sivjet kemi të hyra 9% më shumë nga Dogana e Kosovës, e cila mbledh 946 milionë euro, dhe 12% – 36 milionë më shumë nga Administrata Tatimore. Në total, gjatë këtij viti mblidhen 113 milionë euro më shumë se vitin 2014”, thekohet në statistikat e raportit vjetor 2015 të Ministrisë së Finacave.
Ministri Hoti bëri të ditur se, në programin e qeverisë së Kosovës 2014-2018 është planifikuar që të bëhet unifikimi i Doganave dhe Administratës Tatimore në një Agjenci të përbashkët të të hyrave. “Qeveria, me propozim të Ministrisë së Financave, ka miratuar planin inicial për këtë reformë të madhe. Është themeluar Grupi Koordinues me përfaqësues të Doganës dhe Administratës Tatimore dhe ekspertë të jashtëm e vendorë. Planifikohet që procesi i bashkimit të Doganës dhe Administratës Tatimore të përfundojë në fund të vitit 2016 dhe Agjencia e të Hyrave të fillojë punën në 2017-ën”, tha ai.
Ministri Hoti më tej theksoi se, Buxheti i vitit 2015 ekzekutohet në nivel prej 95.5% që është shkallë mjaft e lartë e ekzekutimit dhe se, viti përmbyllet me deficit sipas rregullës fiskale dhe në përputhje me marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
“Ka filluar pagesa e përvojës së punës për të gjithë të punësuarit në sektorin publik. Si rezultat, janë rritur pagat mesatarisht nga 3% deri në 22%. Kjo rritje e pagës ka kushtuar rreth 30 milionë euro shtesë që nuk kanë qenë të planifikuara, por që kanë ardhur nga kursimet. Kursimet e bëra na kanë mundësuar që të rrisim nga muaji nëntor asistencën sociale me 25% për 27 mijë familje që janë në këtë skemë. Për herë të parë kemi filluar me pagesën e pensioneve për veteranën e luftës të UÇK-së në vlerë prej 170 euro në muaj”, tha ministri Hoti.
Ai vlerësoi se, një arritje e konsiderueshme ishte hyrja në program 22 mujor me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
“Programi parasheh shumë reforma fiskale, ekonomike e financiare, me objektivin kryesor ruajtjen dhe përmirësimin e mëtutjeshëm të stabilitetit buxhetor dhe financiar, rritjen më të madhe të ekonomisë”, tha ministri i Financave të Kosovës.
Duke folur për reformat ekonomike dhe efektet e tyre, ministri Hoti tha se kjo është qeveria e parë që ka filluar punën me Program Qeverisës katërvjeçar të proceduar dhe të aprovuar në Kuvendin e Kosovës.
“Ky program përmban objektivat konkrete që ka ky koalicion qeverisës. Në fillim të këtij viti, për herë të parë kemi aprovuar ‘Programin për Reforma Ekonomike’ dhe e kemi dërguar në Komisionin Evropian. Ky është një dokument që elaboron reformat afatmesme ekonomike e fiskale që do të ndërmerrë qeveria”, u shpreh ministri i Financave.
Ndërsa, lidhur me mrrëveshjet ndërkombëtare për bashkëpunim financiar, teknik dhe ekonomik, Hoti tha se janë nënshkruar 10 marrëveshje për bashkëpunim financiar në vlerë totale prej 143 milionë euro, prej të cilave 107 milionë janë kredi dhe 36 milionë euro grante.
“Ministria e Financave ka bashkëpunuar me Ministrinë e Integrimeve Evropiane për të themeluar Këshillin Kombëtar të Investimeve (KKI), i cili është një nga kriteret e BE-së për bashkëfinancim me fondet IPA”, tha ministri Hoti.
Ai vijoi se, Ministria e Financave ka luajtur rol kyç në përgatitjen dhe konfirmimin e aplikacionit për grant nga BE lidhur me financimin deri në 51% të Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10.
“Listat Prioritare të Projekteve janë përpiluar për herë të parë për sektorët e transportit, mjedisit dhe energjisë. Ministria e Financave, përmes Këshillit Kombëtar të Investimeve ka dërguar në Kornizën e Ballkanit Perëndimor (ËBIF) tri aplikacione për studim të fizibilitetit, të cilat janë aprovuar dhe janë ndarë 1.5 milionë euro për të bërë studimin e fizibilitetit për kanalin e Ibër-Lepencit përgjatë lumit Lepenc”, tha Hoti.
Ai bëri të ditur edhe se, Agjencia për Prokurime të Centralizuara, që funksionon brenda Ministrisë së Financave, për herë të parë pas shumë vitesh ka filluar me prokurime të centralizuara bazuar në Udhëzimin Administrativ të miratuar në qeveri në fillim të vitit 2015.
“Me këtë është plotësuar vërejtja e Komisionin Evropian e paraqitur vazhdimisht në Raportin e Progresit. Në vitin e ardhshëm, ne do të zgjerojmë numrin e organizatave buxhetore të përfshira në prokurime të centralizuara dhe listën e mallrave që do të prokurohen në mënyrë të centralizuar”, tha ministri Hoti.
Ministri i Financave bëri të ditur edhe se, Buxheti 2016 për shpenzime kapitale prej 463 milionë euro mundëson financimin në ndërtime në 39 shkolla në mbarë vendin, të objekteve për universitetet e reja në Mitrovicë, Gjilan, Gjakovë dhe Pejë, të 25 objekteve sportive, 4 qendrave rinore, 24 objekteve të ndryshme në shëndetësinë primare, sekondare dhe terciare, 15 objekteve të kulturës dhe artit, mbi 116 rrugëve të ndryshme rajonale dhe lokale në tërë Kosovën, financimin e mëtejmë të autostradës Prishtinë-Hani i Elezit dhe të projekteve të tjera – mbi 30 në ujëra dhe mbrojtje të mjedisit.
Janë bërë rritje të financimit edhe për pajisje të nevojshme për Forcën e Sigurisë të Kosovës drejt transformimit në Forcë të Armatosur të Kosovës.
“Kemi rritur buxhetin për Forcat e Sigurisë së Kosovës me 9%, për modernizim dhe përmbushje të standardeve për transformimin e kësaj force në ushtri”, theksoi ministri Hoti.
*Foto Gazeta Dielli: Ministri i Financave në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe korrespondenti në Prishtinë i Gazetës Dielli – Behlul Jashari, në pritjen pas konferencës për shtyp të fundvitit 2015