Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ndodhen në një vizitë në Washington, në të cilën zhvilloi takime me personalitete të politikës dhe mendimit politik Amerikan.
Lajmin e ka bërë të ditur zyra e shtypit e PR-së, ku në një deklaratë për mediat ka thënë se: ”Me ftesë të Presidentit të Heritage Foundation, Ish-Senatorit Jim DeMint, Mediu mori pjesë në një takim në të cilin u diskutua për ndërtimin dhe bashkëpunimin me Balkan Policy and Heritage Foundation, të krijuar në Shqipëri prej përfaqësuesish të politikës shqiptare dhe rajonale”.
Sipas njoftimit, DeMint ka shprehur gatishmërinë e tij për t`a konsideruar këtë fondacion si pjesë të punës dhe qëllimeve të përbashkëta, duke bashkëpunuar në analizën e situatës në Ballkan, lirinë ekonomike, shtetin e së drejtës, çështjet e Sigurisë Rajonale dhe Globale, duke përfshirë në këto forume përfaqësues të nivelit të lartë të politikës amerikane dhe rajonale, siç ishte forumi i organizuar në Washington nga Armed Service Committee në senat, apo takimet në rajon me kongresmenët për zgjerimin e NATO-s në Ballkan.
Mediu në fjalën e mbajtur ju ka shpjeguar të pranishmëve në atë tryezë situatën e rëndë ekonomike dhe politike në Shqipëri, si pasojë e një qeverisjeje autoritare dhe të korruptuar.
Mediu zhvilloi një drekë pune me Kongresmenin Robert Aderholt dhe Ish-Senatorin Mark Pryor, duke i shpjeguar atyre se opozita është tërësisht e angazhuar dhe e gatshme që të votojë Reformën në Drejtësi, bazuar në rekomandimet e Venecias, me konsensus politik, i cili është i domosdoshëm.