Gjokë Dabaj/
Po them: Krimet e Sërbisë ndaj shqiptarëve janë shumëfish më të rëndë se ata të gjermanëve ndaj hebrenjve, në radhë të parë, sepse krimet e nazistëve gjermanë janë shtrirë në fare pak vite. Ndërkaq, kohëzgjatja e genocidit sërb ndaj shqiptarëve është e pakta dhjetë herë më e madhe se ajo e nazistëve gjermanë ndaj hebrenjve. E dyta, genocidi sërb ndaj shqiptarëve nuk është kryer vetëm nëpër kampe përqëndrimi, por edhe në terren. Në vendbanimet e shqiptarëve. Në atdheun e shqiptarëve. Shqiptarët janë mbyllur nëpër kulla apo shtëpi të zakonshme dhe janë djegur të gjallë, me burra, me gra e me fëmijë. Shqiptarët janë nxjerrë në sheshet e katundeve dhe janë pushkatuar ose therur me thika. Shqiptarët janë vrarë me dhjetëra mijë, kohë mbas kohe. Në vitet 1876-1880 e në vazhdim, në vitet 1910-1913, në vitet 1918-1920, në vitet 1941-1945 dhe në vitet 1998-1999. Janë, pra, e pakta 123 vjet genocid ndaj një kombi, thjeshtë sepse lakmohet toka e tij. Megjithëkëtë, krimi sërb mbi shqiptarët nuk po ndëshkohet siç është ndëshkuar me të drejtë krimi nazist mbi hebrenjtë. Pse po ndodh kështu?! Mos është Evropa më e pandijshme kur shqiptarët vriten, theren, digjen e groposen në grumbuj, sesa kur ndaj hebrtenjve kryheshin të njëjtët krime?! Mos është SHBA-ja më e pandijshme?! Mos janë Rusia dhe Kina më të pandijshme?! Apo është Sërbia shoviniste më e fuqishme se Gjermania, për t’i kryer krimet dhe për të mos u bërë ndaj saj kurrfarë gjyqi ndërkombëtar?! Cili është shkaku kryesor që e la dhe po e le Sërbinë të pandëshkuar?!
Unë mendoj që shkaku kryesor që Serbia po mbetet ndërkombëtarisht e pandëshkuar, jemi vetë ne shqiptarët.
Ndaj hebrenjve u zbatua genocid i pashembullt, por pjesa hebreje që mbeti gjallë, nuk heshti, nuk u gjunjëzua, nuk iu lëpi as Gjermanisë, as Botës, e cila doemos do të vihej, jo në krahun e persekutuesve, por në krahun e të persekutuarve. Pjesa hebreje që mbeti gjallë, i tha Botës, me të gjithë mjetet e mundshëm: O Botë, dënoje krimin!
Dhe i publikoi dokumentet një për një, deri sa Bota pranoi dhe vendosi t’i ndëshkojë kryerësit e genocidit. Jo vetëm kryerësit e drejtëpërdrejtë të krimit, por e dënoi krejt kombin gjerman, duke e detyruar që t’i paguajë Izraelit zhdëmtimet sipas vendimeve të gjykatës.
Pse nuk ndodhi kështu me Sërbinë? Nuk ndodhi kështu me Sërbinë, sepse shqiptarët qyqarë e durojnë me qindra vjet genocidin dhe shkojnë e ia shtrijnë dorën sërbit dhe përqafohen me sërbin sikur s’ka ndodhur asgjë.
Kjo është e vërteta dhe mirë na bëhet!