– Në ambientet e Kuvendit të Kosovës sot pasdite u hap ekspozita “Kristalet e Trepçës”/
-Veseli: Nga nesër hyn në fuqi Ligji për Trepçën, pasuria e nëntokës së Kosovës nuk do të mbetet më në zgafella/
-Numri i kristaleve të nxjerruar nga minierat e gjigandit metalurgjik Trepça është i madh dhe nuk dihet saktë sa është/
PRISHTINË, 1 Nëntor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në ambientet e Kuvendit të Kosovës sot pasdite u hap ekspozita “Kristalet e Trepçës”.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në hollin e Kuvendit, bëri hapjen e ekspozitës “Kristalet e Trepçës”, në të cilën janë ekspozuar minerale të ndryshëm të nxjerrë nga nëntoka e Kosovës. Në ceremoni morën pjesë edhe studentë të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.Ditën e sotme, kryetari Veseli e konsideroi të jashtëzakonshme. Ai tha se tani të gjithë ndihen të lehtësuar, pasi që një gjigant ekonomik dhe krenari e Kosovës, siç është Trepça, tanimë e ka të sigurtë rrugëtimin dhe transformimit e vet, duke u vënë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës sonë.Kreu i Kuvendit tha se që nga dita e nesërme, kur hyn në fuqi Ligji për Trepçën, pasuria e nëntokës së Kosovës nuk do të mbetet më në zgafella, por do të jetë pjesë e të mirave materiale, në shfrytëzim të qytetarëve tanë.
“Kosova është jashtëzakonisht e pasur. Pasurinë më të madhe e ka rininë, resursin human të saj. Rinia është ari dhe diamanti i Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, Kosova ka resurse të pasura natyrale, të cilat, me forcën e mendjes, duhet të vihen në zhvillim të vendit tonë. Pikërisht ky është edhe mesazhi i kësaj ekspozite në mjediset e Kuvendit”, theksoi kryetari Veseli.Muzeu i Kristaleve të Trepçës në Stantërg, ku është miniera më e madhe, është themeluar në vitin 1964.Në qershorin e vitit 2012 në Stantërg është përuruar ndërtesa e re e Muzeut të Kristaleve të Kosovës “Trepça”, për të cilën u investuan 560 mijë euro.Në fondin e Muzeut të Kristaleve të Kosovës janë të ekspozuara mëse 1560 eksponante të zgjedhura.Numri i kristaleve të nxjerruar nga minierat e gjigandit metalurgjik Trepça është i madh dhe nuk dihet saktë sa është.Për zhvillimin e xehetarisë në territorin ku gjenden minierat e Trepçës dihet që nga koha ilire e romake, sipas historikut të publikuar nga ndërmarrja.Trepça është pasuri e madhe shumëmiliardëshe e Kosovës, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari. Kuvendi i Kosovës në muajin tetor ka miratuar Ligjin për Trepçën, i cili është nënshkruar dje nga Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, menjëherë pasi Gjykata Kushtetuese shpalli se “është kushtetues përnga përmbajtja dhe përnga procedura e ndjekur për miratim”.