
Prof. Dr. Fejzulla Berisha
Ekspert i së Drejtës Publike/
Republika e Kosovës është një demokraci parlamentare, ku legjitimiteti politik ndërtohet mbi përfaqësimin e drejtpërdrejtë të sovranit – popullit – përmes zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të rregullta. Kjo është shtylla mbi të cilën ngrihen të gjitha institucionet kushtetuese të shtetit. Ndaj, kur ky proces përmbushet – siç ndodhi me zgjedhjet parlamentare të datës 9 shkurt 2025 – ai duhet të pasohet pa vonesë nga hapat kushtetues dhe institucionalë për funksionalizimin e pushtetit legjislativ dhe më pas të atij ekzekutiv. Por çfarë po ndodh sot në Kosovë?
Po përballemi me një situatë absurde dhe të paprecedentë: legjislatura e dalë nga zgjedhjet, në vend se të konstituohet dhe të fillojë punën si organ përfaqësues i qytetarëve, po mbahet peng në mënyrë të qëllimshme, përmes manovrave politike që nuk kanë asnjë mbështetje në Kushtetutë, as në etikën e demokracisë parlamentare.
Kuvendi si skenë për krizë të qëllimshme
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 67, përcakton qartë: “Kuvendi mblidhet për seancën konstituive më së largu brenda tridhjetë (30) ditëve nga dita e shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.” Ky detyrim është i panegociueshëm. Moszbatimi i tij përbën shkelje të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe paralizim të funksionit përfaqësues të Kuvendit.
Në vend që ky proces të zhvillohet në kohë dhe në përputhje me normat, një subjekt politik i vetëm – Lëvizja Vetëvendosje – ka vendosur të instrumentalizojë procedurat, të zvarrisë zgjedhjen e Kryesisë së Kuvendit dhe të imponojë krizë për të mbuluar dështimin për të ndërtuar shumicën parlamentare.
Ky veprim është në thelb një uzurpim i funksionit të Kuvendit, sepse e shndërron atë nga arenë përfaqësimi në mjet presioni për interesa të ngushta pushteti. Duke mos pasur numra për të krijuar shumicën, por duke pasur vullnet për të qëndruar në qendër të krizës, ky subjekt politik ka zgjedhur të pengojë institucionet në vend se t’i ndërtojë ato.
Jo shumicë – por pengmarrje
Duke qenë se nuk e ka shumicën e nevojshme për të emëruar Kryetarin e Kuvendit apo për të formuar Qeverinë, Vetëvendosje ka vendosur të mos pranojë realitetin politik, por ta mohojë atë duke e ndërlikuar artificialisht procesin konstituiv. Në vend se të ndërtojë marrëveshje politike me parti të tjera, ajo ka zgjedhur strategjinë e konfliktit dhe përplasjes institucionale.
Kjo sjellje është përtej arrogancës politike – është abuzim i hapur me besimin qytetar, me vetë konceptin e përfaqësimit dhe me parimet mbi të cilat funksionon një republikë parlamentare. Deputetët, sipas Kushtetutës, përfaqësojnë popullin e Kosovës në tërësi – jo interesat e një partie të vetme. Ata nuk janë të zgjedhur për të zbatuar taktikat bllokuese të liderëve, por për të vepruar në përputhje me përgjegjësinë institucionale që buron nga mandati i dhënë nga qytetarët.
Një krizë e shpikur – për të mbuluar dështimin
Argumentet që përdoren për të justifikuar vonesat e konstituimit janë formale, por qëllimi është politik. Mosmarrëveshjet rreth procedurave, interpretimet subjektive të rregullores dhe pretekstet e “mbrojtjes së vullnetit të popullit” nuk janë asgjë më shumë sesa tentativë për të blerë kohë dhe për të prodhuar krizë të qëllimshme, në mënyrë që të ruhet kontrolli mbi narrativën publike dhe të pengohet krijimi i një shumice të re qeverisëse.
Në këtë mënyrë, po krijohet një precedent shumë i rrezikshëm, ku një subjekt pa shumicë reale pretendon të ushtrojë pushtet të pakufizuar përmes sabotimit të institucioneve. Në vend të funksionimit institucional, kemi stagnim. Në vend të qeverisjes, kemi vetëviktimizim. Në vend të konsensusit, kemi konflikt të inskenuar.
Çfarë humb shteti nga kjo krizë?
Moskonstituimi i Kuvendit nuk është problem kalimtar, por kërcënim serioz ndaj funksionimit të shtetit. Pasojat janë të shumta dhe të thella:
-Qeveria në detyrë vepron pa kontroll parlamentar.
-Ligjvënia është e pezulluar, duke lënë vendin pa mundësi të miratojë ligje të domosdoshme.
-Pushteti gjyqësor dhe institucionet e pavarura mbesin pa mbështetje buxhetore dhe pa mbikëqyrje funksionale.
-Përfaqësimi ndërkombëtar i Kosovës dëmtohet, sepse shteti perceptohet si i paqëndrueshëm dhe i paaftë për të ndërtuar institucione.
-Besimi i qytetarëve në sistemin përfaqësues bie në nivelet më të ulëta që nga shpallja e pavarësisë.
Në fund të fundit, kemi të bëjmë me një shtet në vakuum kushtetues, ku legjitimiteti i votës nuk përkthehet në institucione, dhe ku demokracia rrëshqet drejt formalitetit të zbrazët.
Vullneti i sovranit nuk është lodër politike
Sovrani – qytetari i Kosovës – nuk ka votuar për krizë. Ai ka votuar për qeverisje, për rregull, për institucione dhe për përfaqësim dinjitoz. Kjo krizë nuk është pasojë e mungesës së kuadrit ligjor – sepse Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit janë të qarta. Nuk është as pasojë e rrethanave të jashtme – sepse zgjedhjet janë zhvilluar pa probleme thelbësore.
Kjo krizë është produkt i pastër i një lloj kulture politike që i vë interesat partiake mbi parimet e shtetit, që e kupton pushtetin si monopol dhe që refuzon të pranojë vullnetin parlamentar të shumicës si bazë për ndërtimin e qeverisjes.
Republika nuk mund të funksionojë me inat dhe bllokadë
Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucioni ku përfaqësohet populli, jo aty ku mbrohen interesat e një partie. Moskonstituimi i tij nuk është më problem i zakonshëm politik – është simptomë e një mosrespektimi të thellë për rendin demokratik.
Asnjë subjekt nuk ka të drejtë ta mbajë peng legjislaturën vetëm pse nuk ka arritur të krijojë shumicën. Asnjë kryetar partie nuk ka të drejtë të shndërrojë procedurat parlamentare në pengesë për formimin e institucioneve. Dhe asnjë deputet nuk duhet të harrojë se mandatin nuk e ka marrë për të heshtur, por për të vepruar në shërbim të qytetarëve dhe të republikës.
Kosova nuk ka nevojë për krizë të përhershme, por për shtet funksional. Rruga për ta ndërtuar këtë shtet kalon përmes konstituimit të menjëhershëm të Kuvendit, me respekt të plotë për Kushtetutën, për procedurat dhe për vullnetin e qytetarëve.