Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa vazhdon sot(25 Janar) me postimin e tretë brenda ditës në ‘Faebook’ pas protestës së djeshme ku me thirrjen “Jabllanoviç jashtë!” i kërkohej shkarkimi i ministrit serb nga Lista Serbe.
Ne postimin e tij ai thotë se nuk e solli ai Listën Serbe dhe ministrin Jabllanoviç. Në qeverinë kosovare komuniteti serb përfaqësohet me një zv/kryeministër e dy ministra.
Mustafa shkruan:“Për hirë të së vërtetës!
Listën Serbe dhe ministrin Jabllanoviç, nuk ua solli Isa. Ata i gjeta në mesin tonë. I solli veriu i ndarë, i sollën votat e qytetarëve serb, i solli dialogu. Realiteti është se ata udhëheqin gati të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe se kanë 10 deputetë në Kuvend.
Disa nga ata që sot po flasin kundër tyre, garonin për t’i zëvendësuar vendet e garantuara me ato të rezervuara, dhe sot do të kishim së paku edhe 10 më shumë nga popullata joshumicë në Kuvend.
Ishte LDK dhe unë që mbajtëm parimin se janë konsumuar vendet e rezervuara dhe nuk lëshuam pe; të gjithë tjerët përpos VV-së, të cilën edhe nuk e pyesnin, bëjshin gara, si në ankand, se kush po jep më shumë.
Për korrektësi duhet të them se Thaçi ishte më i matur, sepse thoshte se ai e përkrahë zgjatjen e vendeve të rezervuara, pasi është në koalicion me minoritetet, por nuk garanton se do të votojnë të gjithë deputetët e tij dhe se kjo nuk mund të arrihet pa LDK-në, kurse Ramushi e Behxheti, nuk kishin kufi me zemërgjerësinë e tyre. Tani të mos flasin shumë, se nuk u ka hije, ose le ta thonë të vërtetën”.