-Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e 69-të/
-Kryeministri Isa Mustafa u bëri thirrje partive politike të opozitës që protestën e paralajmëruar për të shtunën në Prishtinë, ta organizojnë në mënyrë të qetë dhe në mënyrë paqësore/
Prishtinë, 8 janar 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, mbajti pasdite mbledhjen e 69-të, të dytën brenda ditës së sotme.
Gjatë mbledhjes, kryeministri Isa Mustafa u bëri thirrje partive politike të opozitës që protestën e paralajmëruar për të shtunën në Prishtinë, ta organizojnë në mënyrë të qetë dhe në mënyrë paqësore. “Kjo para së gjithash, sepse Kosova ka përjetuar mjaft dhunë dhe askush nuk ka të drejtë të demonstrojë dhunë për motive politike dhe për ardhje në pushtet. Organet shtetërore do të përkujdesen me përgjegjësinë më të madhe për ta ruajtur rendin dhe qetësinë, për ta ruajtur jetën e qytetarëve, pronën publike dhe pronën private. Ato do të veprojnë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet e Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, ka ftuar qytetarët e Republikës së Kosovës, që ashtu sikur janë sjell me integritet gjatë tërë kësaj kohe, të punojnë bashkërisht në proceset zhvillimore dhe në forcimin e partneritetit me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe që zgjidhjet për të gjitha çështjet të bëhen brenda institucioneve legjitime dhe legale përfaqësuese dhe kushtetuese.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do të punojë pa asnjë luhatje në realizimin e synimeve zhvillimore, integruese dhe euroatlantike të vendit tonë dhe se këto synime janë në interes të çdo qytetari, janë në interes të Kosovës në tërësi, në interes të stabilitetit në rajon dhe në interes të tanishmes dhe të ardhmes së Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, duke u nisur edhe prej rrethanave të reja të krijuara, theksoi se përkundër hapave të mëdhenj që janë ndërmarrë, siç janë nënshkrimi i MSA-së, përmbushja e të gjitha kritereve për procesin e liberalizimit të vizave dhe pritja në javët e ardhshme edhe i rekomandimit prej BE-së dhe fokusit maksimal për themelimin e shpejtë të Forcave të Armatosura të Kosovës, institucionet e vendit, siç u shpreh Thaçi, për fat të keq po ballafaqohen me sfida të panevojshme, të papritura dhe fare të paarsyeshme, kërcënime për protesta të dhunshme, që do të cenonin procesin e liberalizimit të vizave, themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, do të lëndonin bashkëpunimin e shkëlqyer me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
“Prandaj, është në interes të të gjithëve që të shikojmë drejt një perspektive të përbashkët të agjendës shtetërore dhe në asnjë rrethanë konfrontuese sepse tek e fundit kush e udhëheq vendin vendos, kështu vendosin qytetarët e vendit dhe jo disponimet e tre-katër individëve. Institucionet e vendit janë legjitime, të dala nga zgjedhjet fer, të lira, demokratike, transparente, të pranuara nga të gjithë spektri politik kosovar, edhe prej atyre tre-katër liderëve që po protestojnë, dhe në anën tjetër i kemi institucionet legale të vlerësuara lart edhe prej bashkësisë ndërkombëtare. Prandaj edhe siç e tha kryeministri Mustafa, vlerësoj se është në interes të të gjithëve që të kemi një reagim më të balancuar dhe më të arsyeshëm të opozitës. Megjithëse nuk ka arsye për të protestuar, por është si pretekst për marrjen e pushtetit me dhunë nga ana e tyre, që është pretendim për shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Prandaj, vlerësoj se duke u nisur prej këtyre rrethanave, mendoj se do të ishte me rëndësi që ne të vazhdojmë me agjendën tonë, ndërkohë opozita e dhunshme, të themi shumë hapur, është duke i rrezikuar të gjitha të arriturat e Republikës së Kosovës. Por, sido që të jetë, ne kemi besim të plotë në qytetarët e Kosovës që, siç e tha edhe kryeministri, kanë dëshmuar gjithmonë pjekuri të lartë politike, dhe shtetërore dhe orientim perëndimor. Tek e fundit kjo që po ndodhë këto ditë, kemi të bëjmë me një ballafaqim të konceptit qeverisës të mirë pro-perëndimor dhe të atij anarkist, të mos durimit për t’i pritur zgjedhjet në kohë kushtetuese dhe ligjore. Sido që të jetë, të gjithë janë të vetëdijshëm se zgjedhjet do të mbahen në 2017 lokalet dhe në 2018 të përgjithshmet. Natyrisht se ata që i kanë shërbyer vendit gjithmonë edhe do të jenë të shpërblyer, ata që e kanë dëmtuar, rrënuar por edhe prishur imazhin e vendit tonë do të ndahen jo mirë, përsëri”, tha zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.
Qeveria e Kosovës mori vendim për autorizimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për Pagesën e shpenzimeve administrative në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investive (ICSID) në kontestin e ngritur nga kompania “ACP Axos”.
Po ashtu, Qeveria mori vendim për angazhimin e kompanisë ligjore “Patton Boggs” për ndërmarrjen e veprimeve procedurale – përgatitore me karakter urgjent pranë Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investive (ICSID) në çështjen e ngritur nga kompania “ACP Axos” lidhur me privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës./b.j/