Kryeministri Rama në Prishtinë, shpreh përkrahjen e Shqipërisë për proceset në Kosovë/
Nga Behlul Jashari/
PRISHTINË, 16 Korrik 2015/-Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama mbërriti sot për vizitë zyrtare në Kosovë, i pritur në kryeqytet, Prishtinë, para Kryeministrisë nga kryeministri kosovar Isa Mustafa e zv/kryeministri i parë e ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi.
Gjatë takimit, ku ishte edhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, koordinimin e projekteve dhe bashkëpunimit të dy shteteve në prag të Samitit të Vjenës si dhe zhvillimet në rajon.
Kryeministri Isa Mustafa e informoi kryeministrin Edi Rama për progresin që po arrihet në Kosovë në të gjitha fushat, me theks të veçantë për reformat dhe prioritetet e Qeverisë.
Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin dhe partneritetin strategjik me Shqipërinë.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë.
Kryeministri Rama po ashtu shprehu përkrahjen e Republikës së Shqipërisë për proceset në Kosovë, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë shqiptare për zgjerimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit me Kosovën.
Korrespondenti në Kosovë ishte në pritje dhe brenda takimit për një kohë, gjatë së cilës kryeministrit Rama iu shpreh e gjithë mikpritja e përzemërt dhe vëllazërore, ndërsa me kryeministrin kosovar Mustafa flisnin edhe për udhëtimin nga Tirana drejt Prishtinës, mes dy kryeqyteteve.
Takimi, pas të cilit sapo u dërgua komunikata për media e Kryeministrisë kosovare, u mbajt në ndërtesën kryesore të Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, nga i cili mediat mundën të marrin vetëm pamje.