Kryeparlamentari Veseli: Në Vatrën Shqiptare gjeta të gjallë shpirtin e atdhedashurisë për vendin dhe Kombin; gjeta të ndezur idealin e atyre burrave që themeluan Vatrën dhe i paraprinë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, gjeta përpjekjet shekullore të Vatrës për ti shërbyer Kombit, gjeta të ndezur shpirtin Kombëtar për forcimin e demokratizimin e Shtetit të pavarur të Kosovës, ku kontributi i shqiptarëve të Amerikës, mbetet gurë-themeli.
Nga Rafaela Prifti & Dalip Greca*/
Të Shtunën me 8 Dhjetor, Kryetari i Parlamentit të Kosovës ishte mysafir në Vatër. Ai shoqërohej nga ambasadorja e Republikës së Kosovës në Washington Vlora Citaku dhe Konsullja e Përgjithshme e Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatcija.
Kryetari i Vatrës z. Dritan Mishto i uroi mirëseardhjen në Vatër z. Veseli dhe diplomateve të Kosovës, duke e vlerësuar vizitën e kryeparlamentarit si historike, pasi është e para herë që një lider i këtyre përmasave i Kosovës në pushtet viziton Vatrën. Kryetari i Vatrës ka prezantuar qëndrimet e Vatrës rreth cështjeve aktuale që po kalon Kosova dhe Shqipëria, duke prazantuar mospajtimet me votën kundër SHBA-ve, të shtetit shqiptar. Për Kryetarin e Vatrës, miqësia ndaj SHBA-ve, është detyrim moral i Kombit shqiptar.
Kryetari i Parlamentit të Kosovës falenderoi për pritjen e ngrohtë dhe vlerësoi se Federata Panshqiptare e Amerikës Vatrës, sot është vazhduese e punës historike të Vatrës për më shumë se një shekull.
Duke iu referuar zhvillimeve në Kosovë dhe marrdhënieve me SHBA, Veseli tha se pavarësisht sfidave demokratike edhe ekonomike të shtetit të ri,Republika e Kosovës ka vetëm një orientim, atë perëndimor, përkatësisht evropian dhe amerikan. Një nga synimet e zhvillimeve demokratike është mbajtja në Kosovë e kapaciteteve intelektuale dhe vecanërisht rinisë së Kosovës. Për sa i takon arritjeve, Republika e Kosovës është në nivel të ngjashëm ekonomik e jetësor me Ballkanin Perëndimor, por larg standarteve të vendeve të përparuara evropiane.
Shkuarja drejt tyre është synimi i reformave ligjore dhe ekonomike, ndërsa synimi politik është anëtarësimi në OKB me gjithë pengesat e vazhdushme që po vendos në këtë rrugë Serbia. Ai tha se Kosova është e vendosur në rrugëtimin e saj, nuk ka hapa pas, vetëm përpara, ndërsa për Kufijtë e Kosovës, nuk do të lejohet cënimi i tyre.
Kryeparlamentari i Kosovës Veseli informoi edhe për vizitën e tij në shtetin e Iowa-s. Ai tha se Partneriteti me shtetin Iowa, në fushën ushtarake dhe më tej do zgjerohet edhe në fushën bujqësore dhe akademike. Për dijeni, 25 donacione të pajisjeve nga ushtria amerikane do jenë në Kosovë në fund të muajit, pjesa më e madhe e tyre kanë mbërritur. Me 7 dhjetor z. Kadri Veseli vizitoi shtetin e Iwoa. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli gjatë kësaj vizite është pritë edhe në Gardën Kombëtare të Iowa-s, ku ka parë nga afër mënyrën e organizimit dhe ka diskutuar me ta për mbështetjen që i është dhënë deri më tani Forcës se Sigurisë së Kosovës. Kryetari Veseli informoi se është pritur nga gjenerali Timothy Orr dhe drejtues të tjerë të Gardës se Iowa-s. Gjatë vizitës u konfirmua edhe një herë mbështetja për Forcën e Sigurisë së Kosovës edhe pas transformimit të saj në Ushtri të Kosovës. Kjo mbështetje do të vazhdojë të jepet në trajnime dhe edukim por edhe në aspekte të tjera që kanë të bëjnë me funksionimin e saj si ushtri. Kryetari Veseli rikonfirmoi se Ushtria e Kosovës do të jetë ushtri e paqes në Ballkan, por edhe në zona të tjera kudo qe do të kërkohet angazhimi i saj, në ruajtjen e paqes. Gjenerali Timothy Orr , ka ritheksuar edhe një herë përkrahjen për Kosovën, e në veçanti për Forcën e Sigurisë sa Kosovës.
Sipas Kryetari Veseli, kurrë shqiptarët nuk kanë qenë më mirë se tani, kurrë më të fortë se tani, por kërkohet më shumë organizim dhe bashkëpunim për të ecur përpara.
Duke iu referuar marrdhënieve me SHBA dhe lobimit në SHBA,ai konstatoi se disa nga miqtë tanë të vjetër amerikanë, që na dhanë mbështetje të fuqishme para dhe gjatë luftës, janë larguar nga skena politike, janë plakur apo kanë ndërruar jetë, prandja duhet lobim i fuqishëm për të bërë miq të rinj. Edhe klasa tradicionale e biznesmeneve shqiptare jane plakur dhe prandaj nevojitet riaktivizimi i lobit shqiptar.
Kryeparlamentari Veseli ishte në një mendje me Kryetarin e Vatrës për votimin e Perfaqesueses se Shqiperise ne OKB kunder votes se SHBA. Ky, tha ai, eshte tregues negativ në marrdhëniet me mirëbërsin e shqiptarve, shtetin amerikan. Politika e Republikes se Kosoves eshte nje me ate te SHBA, tah Veseli.
Në mbyllje të fjalës së tij, z. Veseli, iu drejtua Kryetari të Vatrës duke thënë se duhet të jesh krenar për paraardhësit e Vatrës si edhe misionin e saj historik.
Më pas janë bërë pjesë e debatit me pyetje përgjigje disa nga pjesmarërrsit në takim. Pasi i uroi mirëseardhjen z. Asllan Bushati pyeti nëse: Kosova ka plan për të shpëtuar nga zgjedha e Kushtetutës së Kosovës të hartuar nga Ahtisari? Dhe a mendonte Kryeparlamentari se kishte zgjidhje tjetër për taksën e Rrugës së Kombit, e cila më së shumti rëndon mi qytetarët e Kosovës?
Përgjigja e Kryeparlamentarit: Kushtetuta e Ahtisarit e ka kryer funksionin e saj dhe nuk mund të mbajë peng ecjen përpara. Barrierat duhen zvogëluar për të komunikuar më mirë. Rruga e Kombit kërkon mirëmbajtje financiare por vendosja e taksave e vështirëson lehtësinë e komunikacionit të hapur e të lirë.
Anëtari i kryesisë së Vatrës z. Marjan Cubi tha se Demokratë e Republikanë në SHBA pajtohen për Kosovën dhe kjo është pozitive. Me rëndësi është përkrahja për ushtrinë e Kosovës. Shtetet shqiptare duhet që të punojnë më shumë për mbështetjen e Presidentit Trump.
Lekë Përlleshi :-Përkrahja ushtarake për ushtrinë e Kovovës, mendoj se është goditje për Serbinë
Kam mendimin se vendosja 100 per qind taksës për Serbinë është pozitive dhe në kohën e duhur.
-Kam mendimin se punëtorët e arsimit nuk janë kompensuar për punën gjatë që kryen në kohën e okupimit serb, ku u ngrit sistemi paralel i arsimit. A keni ndonjë plan kompensimi?
Përgjigje: Kërkesat për reparacione nuk mund të përmbushen nga shteti i ri i Kosovës,Përvec arsimtarëve, janë policët e minatorët etj
Veprimtari i njohur nga Komuniteti Esad Gjonbalaj, një nga themeluesit e Shoqatës se Plave- Guci në SHBA kërkoi nga kryetari i parlamentit që Jakup Ferri të shpallet hero kombëtar nga shteti i Kosovës.
Gjonbalaj tha: Jakup Ferri është një figurë kombëtare që theu vendimet e kongresit të Berlinit, është një figurë kombëtare që mundi ushtarakisht Malin e Zi dy herë në vij të frontit, është një komandant i shquar i Lidhjes së Prizrenit, që vrau Magjar Pashën në Gjakovë. Stambolli e kishte dërguar atë për të nënshtruar Plavë Gucinë për Malin e Zi. Komandanti që me 4000 ushtarë mundi ushtrinë malazeze me 12000 ushtarë.Mendoj se nuk ka asnjë arsye pse nuk është i shpallur hero kombëtar, komentoi Gjonbalaj.
Kryeparlamentari Veseli deklaroi në Vatër se shumë shpejt kjo kërkesë do të shqyrtohet dhe garantoi se brenda dy muajve Jakup Ferri do të shpallet hero kombëtar nga shteti i Kosovës.
Nga atmosfera e krijuar aty në takim shpërtheu i madhi Gezim Nika duke kënduar një refren të këngës, për Jakup Ferrin, duke ndezur atmosferën e takimit.
Esad Gjonbalaj tha për Diellin se të njëjtën kërkesë do t’ia bëjë edhe shtetit të Shqipërisë. Do t’i drejtohem presidentit Meta sepse gjate kohës se diktuarës Jakup Ferrit i ishte mohuar ky titull, tha Gjonbalaj.
Editori i Diellit e njohu Kryeparlamentarin me historinë e Vatrës.
Kryeparlamentari shënoi në librin e vizitorëve: Në Vatrën Shqiptare gjeta të gjallë shpirtin e atdhedashurisë për vendin dhe Kombin; gjeta të ndezur idealin e atyre burrave që themeluan Vatrën dhe i paraprinë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, gjeta përpjekjet shekullore të Vatrës për ti shërbyer Kombit, gjeta të ndezur shpirtin Kombëtar për forcimin e demokratizimin e Shtetit të pavarur të Kosovës, ku kontributi i shqiptarëve të Amerikës, mbetet gurë-themeli. Por asgjë nuk përfundon këtu; Shqiptarët nuk do të ndalen në rrugëtimin e vet të lirë. Shqiptarët do të jenë gjithëmonë mirënjohës vendit të Lirisë dhe demokracisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Largohem nga Vatra plot emocione. Faleminderit!
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës
-Kadri Veseli- Firma
Me fotografime me Kryeparlamentarin dhe me një fotografi të përbashkët është mbyllë takimi i Vatrës me Kryeparlamentarin Kadri Veseli.
*Per me shume fotografi shihni ne Facebook