Kryetrimi i Kastriotëve shkoi pas mendjes së trimave arbëror e ata mbas tij…/
“Gjergj Kastrioti, asht fatosi i lirisë dhe i pamvarėsis sė kombeve, tue qenë që dëshira e lirisë qe ajo që ma s’pari e shtyni at burrë të përmendun me rrok armët pėr Shqipnin. Prandaj të gjith shqiptarët e vërtet, pa ndërlikim partie a besimi, do ta nderojnë Skënderbeun, si nji fatos të kombit e do t’u bahet nam me kremtue emnin e punėn e tij. Skënderbeu, asht ideali i liris e i pamvarsis së Shqipnis.” At Gjergj Fishta O.F.M. (1870-1940)/
Nga Klajd Kapinova/
Viti 2018, është shpallur me të drejtë nga shteti amë shqiptar dhe Qeveria e Tiranës si Viti i Gjergj Gjon Kastriotit. Është e rëndësishme që bota shqiptare të mirëinformohet se komuniteti ynë në SHBA, asnjëherë nuk e ka harruar kryetrimin e Arbërisë, i cili, me të drejtë është përfshirë ndër 4 (katër) strategët më të mëdhenj ushtarakë të të gjithë kohërave në historinë e njerëzimit. Në akademitë ushtarake amerikanë mësohet arti i luftës së tij me ushtri të vogla shumë praktike, duke i rezistuar Perandorisë Otomane, e cila kishte shpallur zyrtarisht përmes sulltanit kalifatin (xhihadin) kundër trojeve të Arbërisë dhe shteteve të krishtera të Ballkanit …
Hartsdale, New York. Meshë dhe Simpozium Shkencor Përkujtimor në New York, në 550-vjetorin e kalimit në amshim të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit.
Viti jubilar kushtuar Kryetrimit të Arbërisë Gjergj Kastriotit, po përkujtohet kudo ndër shqiptarët në SHBA. Në disa shtete, si: New York, Michigan, Philadelphia, Florida, dhe në disa qytete të Kanadasë, ku ka shqiptarë, mësojmë se diaspora shqiptare kudo ndodhet po organizohet me veprimtari të ndryshme përkujtimore kushtuar kryetrimit legjendar.
Në traditën e saj të vazhdueshme patriotike dhe kulturdashëse, këto ditë kisha katolike shqiptare e Zojës së Shkodrës, pranë Qendrës Kulturore Nënë Tereza në Hartsdale, New York, në bashkëpunim me Federatën Panshqiptare “Vatra”, përkujtuan kalimin në amshim, më 17 janarin të vitit 1468, të Kalorësit të Krishtërimit, Atletit të Krishtit, Mbrojtësit të Krishtërimit dhe të popullit shqiptar.
Për këtë ngjarje, në kishën katolike shqiptare Zoja e Shkodrës në Hartsdale New York, u mbajt një meshë drite shumë e veçantë në bashkëcelebrim nga shumë meshtarë shqiptarë, përkushtuar birit të denjë të Arbërisë, strategut të madh ushtarak Gjergj Gjon Kastriotit.
Mesha përkujtimore, u celebrua nga meshtarët miq të ardhur nga vendlindja, si ipeshkvi i Rreshenit imzot Gjergj Meta, dom Vlash Palaj famullitar në katedralen e shën Shtjefnit në Shkodër dhe meshtarët e famullisë sonë I Përndershmi dom Pjetër Popaj dhe ndihmës famullitari dom Viktor Deda etj.
Gjatë predikimit të tij, mons. Gjergj Meta, ka kujtuar se një meshë drite e tillë ishte mbajtur po në këtë ditë, në vendin ku 550 vjet më parë, kaloi në amshim në Lezhë heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti, aty ku u mbajt dhe Kuvendi i Besëlidhjes së Shqiptarëve.
Ndërkohë, falë përgatitjes së gjërë historike, prelati i ri katolik, disa herë gjatë shërbesës fetare ka renditur shumë fakte dhe prova historike të kohës, që sipas predikuesit vërtetonin se Gjergj Kastrioti, ishte një mbrojtës heroik i qyterimit perendimor, i cili, luftoi deri në fund të jetës së tij për mbrotjen e trojeve shqiptare dhe civilizimin e mbarë krishtërimit.
Shumë emocionuese ishin intepretimet gjatë meshës të disa perlave apo kryeveprave klasike të muzikës së përbotshme kishtare, të interpretuar me profesionalizëm dhe ndjenja shpirtërore nga artistët profesionistë të famshëm shqiptare si kantautori dhe artisti i madh Frederik Ndoci, i cili, intepretoi Ave Maria etj., dhe artistja Donika Ukshini Gjokaj.
Meshtari ynë i përkushtuar atdhetar, I Përndershmi dom Pjetër Popaj, në cilësinë e organizaorit dhe mikëpritësit, udhëhoqi denjësisht veprimtarinë, duke shprehur vlerësimet për figurën e rëndësishme të historisë për mbarë kombin tonë, ku ndër të tjera tha: “Mirëse keni ardhur në Simpoziumin shkencor kushtuar 550-vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Kastriotit. Prania e juaj këtu pa dallim feje e krahine, na gëzon të gjithëve dhe në mënyrë të veçantë i jepni soleminitetin e duhur ditës së madhe të gjithë kombit shqiptarë. Po të mos ishte Heroi Kombëtar Gjergj Gjon Kastrioti, ne si komb nuk do të ekzistonim si shqiptarë dhe kurrë nuk do të flisnim shqip…”
Mbas meshës solemne, të gjithë të pranishmit u drejtuan në ambientet e Qendrës Nënë Tereza, ku, u zhvillua akademia përkujtimore, në nderim të 550-vjetorit të kalimit në amshim të Heroit Kombëtar dhe kryetrimit të Arbërisë të pavdekshmin Gjergj Gjon Kastriotin.
Flamuri amerikan dhe ai shqiptar me ngjyrë të kuqe dhe shqiponjën dykrenare qëndronte përkrah një busti të madh të Gjergj Kastriotit, punuar në fibër glass, krijim artistik i skuptorit të talentuar Kristaq Kapidani, i cili, hijeshtonte ambientin shqiptar, të cilët, ndiheshin krenar për Kryetrimin e njohur të trojeve të Arbërisë.
Ndër miqtë special të ftuar ishte imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rreshenit, don Vlash Palaj, famullitar i katedralës së shën Shtjefnit në Shkodrër, Ambasadorja Teuta Sahatçia konsulle e përgjithshme e Republikës së Kosovës, zv. ambasadori i Republikës së Shqipërisë në OKB-së Arben Idrizi, Fr. Nathan Preaston nga kisha ortodokse shqiptare e shën Nikollit në Queens, NY, asamblisti i porsazgjedhur dhe njëkohsisht aktivist i kishës sonë zoti Mark Gjonaj, kryetari i Vatrës Dritan Mishto, anëtarë të trungut të familjes princërore të Muzakajve, Victoria Muzakaj Murphy me bashkëshortin, që kishin udhëtuar nga Texas-i në New York, enkas për të marrë pjesë në shënimin e përkujtimit të 550 vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Kastriotit si dhe përfaqësuesit e komunitetit shqiptarë, liderë, veprimtarë, gazetarë, shkrimtarë, muzikantë, artistë emigrantë të rinj dhe veteranë shqiptarë, që prej vitesh jetojnë e punojnë në SHBA.
Gjatë një bisede me shqiptaro amerikanen Victoria Muzaka Murphy e emocionuar tha se ka zbuluar prejardhjen e saj nga familja e madhe e Muzakajve, dhe se ndjehet thellësisht krenare për rrënjët e saj të lashta shqiptare, që shkojnë deri në epokën kastriotiane të Gjergj Kastriotit.
Ajo ndër të tjera tha se: ”Unë, mund të mos e flas gjuhën shqipe, por gjakun e kam shqiptar. Dhe gjaku shqiptar na bën një familje. Ju jeni familja ime dhe unë jam familja juaj”.
Kisha katolike Zoja e Shkodrës, është besëlidhje e vlerave etnike arbërore në SHBA. Gjatë viteve të fundit institucionet kulturore të kishës në New York, janë bërë epiqendra në përkujtimin e fytyrave të ndritshme të pushkës (liri) dhe pendës (dituri).
Krahu i djathtë i meshtarëve dom Pjetër Popaj e dom Viktor Deda, aktivisti veteran i kishës katolike Zoja e Shkodrës dhe editor i revistës fetaro kulturore Jeta Katolike, moderatori veteran i palodhuri Mark K. Shkreli, është bërë bashkideatori i shumë paraqitjeve me kulturë të personaliteteve më të shquara të krenarisë së kombit tonë.
Kryeredaktori i revistës Shkreli, ishte caktuar nga komisioni përgatitor për të bërë hapjes e Simpoziumi Shkencor, në 550-vjetorin e vdekjes së Kryetrimit tonë kombëtar, të madhit dhe të veçuarit, Gjergj Gjon Kastritotit.
Në fillim të kumtesës së tij Shkreli tha: “Që nga Viti i Ri 1468, Skënderbeu, bashkë me Fisnikët e Arbërit, që i kishte ftuar, sikur kishte bërë më 2 mars 1444, filluan këshillimet për t’u përgatitur për të sulmuar kështjellën turke të Elbasanit. Por, në ato ditë, siç na thotë jetëshkruesi i tij, prifti Marin Barleti, “…e zunë një palë ethe të rënda…”. Është titulli i një filmi, “Ushtarët vdesin me çizmet mbathur”. Edhe pse me ethe të rënda, kur i thanë se turqit do të sulmonin Shkodrën afër lumit Kir, ai u çua në këmbë, u vesh me rrobat luftarake, por nuk mundi të hyp mbi kalin e tij. U kthye në shtrat për mos t’u ngritur më. I rrethuar nga fisnikët dhe familja, Gjergj Kastrioti Skënderbeu vdiq, para 550 vitesh, më 17 janar 1468. Françeskani Dhimitër Frangu, miku dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Heroit tonë Kombëtar, thotë: “…ra i sëmurë nga një ethe e fortë… Më në fund, duke ndjerë vdekjen fare pranë, thirri rreth vetes kapedanët dhe pati me ta një bisedë të gjatë. Ata u përlotën…” (Dh. Frangu, fq. 63). Sikur i pati bashkuar fisnikët para vdekjes së tij, pas 550 vitesh, Ai vazhdon t’i bashkojë shqiptarët kudo që janë, në trojet tona dhe në diasporën anë e mbanë botës.”
Ndërsa më poshtë, ai theksoi se: “Dy qeveritë e shteteve shqiptare, në Tiranë dhe Prishtinë e kanë shpallur Vitin 2018 – Viti i Gjergj Kastriotit-Skënderbe. Edhe Kisha Katolike, në Shqipëri dhe Kosovë, e ka bërë të njëjtën gjë. Kudo po organizohen konferenca, simpoziume, seminare, mbrënje solemne, për ta përkujtuar këtë “super-njeri” të kombit tonë. Poashtu, skikur bëmë ne sot, për shpirtin e Gjergjit gjatë vitit do të kremtohen edhe meshë të shumta. Në kuadër të këtij Viti Jubilar, edhe ne sonte, jemi bashkuar në këtë vend të shenjtë, për t’ju bashkuar “fisnikëve e kapedanëve” dhe familjes në Lezhe, ashtu të “përlotur” për t’i bërë homazhë këtij kolosi jo vetëm të kombit por të tërë Evropës.”
Zoti Shkreli, tregoi se përmes Gjergj Kastriotit, fisin e Arbërit e njohi bota. Atë e nderuan mbretër e gjeneralë të koshës, e nderuan papët e Romës, e paten frikë armiqtë, u përmend në veprat e shumë shkrimtarëve dhe poetëve, si Peshkop Fan Noli dhe Atë Gjergj Fishta, duke mos munguar as të huajt, sikur amerikani Henry Longfelloë që i kushton 173 vargje, kroati Fra Andria Kaçiq Mioshiq, me 17 poema epike, kroati tjetër nga Dubrovniku, Ivan Mazhuraniq, që në veprën “Osman”, nuk e lë pa e përmendur atë, etj.
Në mbyllje, Shkreli citoi disa nga thëniet dhe vlerësime për Gjergj Kastriotin, duke filluar nga papët e Romës dhe deri tek studiues shkrimtarë të huaj etj. Kështu Papa Pali VI, më 1968 mori pjesë aktive gjatë manifestimit katër ditore, në nder të 500-vjetorit të Skënderbeut. Janë të paharrueshme fjalët e tij me atë rast: “Ne ju shohim me kënaqsi, pse e dijmë se shpirti me të cilin ju e kujtoni këtë ditë është ai i gjithmonëshmi i fisit tuaj, i cili gjithëherë, mbi çdo interes ka vendosur vlerat e trashëguara të Besës, të Nderit e të Burrënisë.” “Fatosi Skënderbeg ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre cilësive: ai ua ka lënë si trashëgim, bashkë me miqësinë e miqëve të vjetër të Atdheut tuaj, ndër të cilët kjo Seli Apostolike gëzohet që bën pjesë, mbasi e numëron veten ndër ata që kurrë s’i dolën fjale. Këto virtyte Gjergj Kastrioti ua ka lënë në roje trashëgim të shënjtë në Atdhe dhe në mërgim”, dhe përfundon porosinë: “Uroj që kjo trashëgimi të japë mundësi dhe meritim, që të jeni element kuptimi dhe paqeje ndërmjet fisesh e gjuhësh të ndryshme. Këso dore do të rindërtohet testamenti i Skënderbeut dhe Atdheu i juaj do të shkëlqejë me meritime të reja, Atdheu i juaj, të cilin na e kemi aq fort për zemër dhe që e bekojmë me dashuri atënore.”
Mëritë të madhe në këtë aktivitet mbarëshqiptarë kanë edhe antarët e tjerë të komisionit përgatitës, si: kryetar i komisionit përgatitor dhe kryetari i këshillit të kishës Leonard Berishaj, kryetari i Qendrës Nënë Tereza Marjan Cubi, n/kryetar i këshillit të kishës Dr. Pashko Camaj, shkrimtari dhe drejtori i programit Mëhill Velaj.
Moderatori Mëhill Velaj, në fillim ftoj kantautorin dhe artistin e madh Frederik Ndocin dhe Donika Ukshini Gjokaj për të interpretuar hymnet kombëtare të SHBA-së dhe Shqipërisë.
I ftuari special nga Shqipëria, Prof. Romeo Gurakuqi, historian, shpalosi kumtesën e vetë me titull: “Viti i Gjergj Kastriotit–Skënderbeut, si kohë reflektimi”.
I ftuari tjetër special nga Kosova ishte Dr. Fahri Xharra, publicist, i cili, për shkaqe shëndetsore nuk mundi të marrë pjesë në Simpozium dhe moderator Mëhill Velaj lexoj kumtesa e tij: “Tentimet e mohimit të Gjergj Kastriotit Skënderbe nga ana shqiptare”
Dr. Azeta Kola, historiane nga komuniteti shqiptar në New York, u paraqit me temën: “Gjergj Kastrioti, Lidhjet me Mbretërinë e Napolit, Papatin dhe Republikën e Venecias në shekullin e pesëmbëdhjetë”.
Një tjetër studiues i komunitetit tonë Dr. Pashko Camaj, përfaqësues i Federatës “Vatra” ligjëroi kumtesën: “Federata Vatra për heroin kombëtar Gjergj Kastrioti”.
Simpoziumin e kanë përcjellur edhe mediat e komunitetit tonë, si: Zëri i Amerikës me gazetar Ilir Ikonomin, i cili e përcolli të gjithë tubimin LIVE, gazeta Dielli me editor Dalip Grecën, studiuesi Klajd Kapinova për revistën Jeta Katolike, TV Kultura Shqiptare me producent Adem Belliu, gazetari Beqir Sina për gazetën Bota Sot, Halil Mula TV21 etj.
Gjatë një bisede të zhvilluar mbas takimit me aktivistin Leonard Berishajn, kryetari i këshillit të kishës dhe kryetar i komisionit veprimtarisë në fjalë, tha: “Ne, anëtarët e këshillit të kishës Zoja e Shkodrës New York, si dhe anëtarët e komisionit organizativ, konstatojmë se kjo veprimtari e rëndësishme kombëtare është realizuar me sukses, në nivel të duhur, në mënyrë cilësore e dinjitoze. Shprehim kënaqësi për bashkëpunimin dhe falënderojmë ligjëruesit, përfaqësuesit diplomatik, të gjithë pjesëmarrësit e simpoziumit dhe të gjithë ata që me angazhimet e veta i kontribuan këtij suksesi, si fjalimet përshëndetëse, kumtesat e ligjëruesve, telegramet, letër-falënderimi i Floreta Faber, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Washington DC, Prof. Sami Repishtit, etj.”
Veprimtari i komunitetit, ish drejtuesi i radios Zëri i Kombit, Xhevat Kuka, në tubim recitoj një poezi kushtuar Gjergj Kastriotit, shkruar nga ai enkas me rastin e Vitit të Gjergj Kastriotit.
Meshtari i nderuar i komunitetit tonë dom Pjetër Popaj, këshilli botues i revistës Jeta Katolike, kryeredaktori i saj Mark K. Shkreli me editorët: Simon Vukel dhe Klajd Kapinova, po përgatisin këto ditë një numër special të revistës në fjalë në shqip-anglisht dhe me ngjyra, kushtuar tërësisht, figurës, jetës dhe veprës së personalitetit më të shquar të të gjithë kohërave Gjergj Gjon Kastriotit. Aty do të përfshihen të gjitha kumtesat e ligjëruesve dhe studime të tjera nga autorë të komunitetit tone, të pabotuara më parë.
Në fund për të ftuarit dhe të pranishmit e tjerë u dha një koktej me ushqime të lehta (finger foods), të përgatitur nga Shoqata Drita me në krye Mark Berishaj dhe verërat e shijshme, të sponsorizuar nga gazetari dhe fotografi Dritan Haxhia.