Nga Eugjen Merlika/
Sporti është një nga veprimtaritë më të rëndësishme të jetës njerëzore, jo vetëm për zbavitjen që ai dhuron me kënaqësitë estetike, nëpërmjet garave që përbëjnë thelbin e tij, duke nxjerrë në pah cilësitë më të mira trupore e të karakterit, duke tërhequr miliarda njerëz në shijimin e tyre, por edhe për faktin se herë herë ai njëjtësohet me jetët e popujve e të kombeve për t’u kthyer në një farë embleme të tyre. Ndonjëherë ai ka tejkaluar shumë kufijtë e tij të natyrshëm, duke trazuar apo ndrequr marredhëniet mes shteteve. Shëmbulli më i gjallë i kësaj dukurie mbetet “diplomacia e ping pongut” që, më 1972 , përfaqësoi shkëndijën e parë të ndryshimit të marredhënieve mes Kinës popullore dhe SHBA.
Shqipëria, në historinë e saj të shtetit të pavarur, u përpoq të hynte në rezonancë me Evropën, në fillim atë perëndimore e më pas atë lindore, sa i përket veprimtarive sportive. Kampionatet e para të futbollit u organizuan që në kohën e Mbretërisë e vazhduan edhe gjatë pushtimit italian. Në periudhën 1941 – 1944 ata ishin mbarëkombëtare. Prej tyre dolën futbollistë që luajtën me sukses në skuadrat më të njohura italiane, në një kampionat që shprehte dy herë kampionen e botës. Emrat e Riza Lushtës, Loro Boriçit, Naim Kryeziut e ndonjë tjetri janë të shënuar në regjistrat e arta të klubeve të njohura si Juventus, Lacio, Roma, Bari.
Më 1946 Shqipëria fitoi të parin e të vetmin trofe ndërkombëtar futbolli në rang përfaqësuesesh, atë të Lojrave Ballkanike. Në gjysmë shekullin socialist , megjithë talentet jo të pakta në fushat e ndryshme, Shqipëria nuk arriti të ketë një përfaqësim të suksesëshëm në veprimtaritë ndërkombëtare. Sukseset episodike të sportistëve tanë kanë hyrë në analet e traditë sonë. Kujtojmë barazimin e kombëtares së futbollit me nënkamionët e botës në dhjetor 1967, që i kushtoi “korracatës” së Helmut Shënit mos pjesëmarrjen në kampionatin evropian te vitit 1968, apo konkurimin dinjitoz të vajzave volejbolliste të Dinamos në kupën e Kamioneve të Evropës më 1980 – 1981, ashtu si arritjen në finale të kupës nga meshkujt e Dinamos në të njëjtën disiplinë më 1972.
Pas komunizmi, me lirinë e qarkullimit të njerëzve dhe ideve, rrëzoi “muret” e sistemit paraardhës, duke i dhënë mundësi shumë djemve e vajzave shqiptare të përballohen me bashkëmoshatarët e tyre të botës, duke treguar vlerat e tyre reale në të gjitha fushat. Në këtë kontekst inkuadrohet edhe prania e futbollistëve tanë në shumë skuadra t’Evropës, madje edhe ndër më të mirat e saj. Kjo dukuri ndihmoi shumë edhe krijimin e një përfaqësueseje shqiptare t’aftë për të garuar me shtetet e tjera të botës. Nëse u varfërua kampionati shqiptar me daljen jashtë të talenteve të tij, u pasurua kombëtarja, duke i dhënë mundësi skuadrës kuq e zi, të arrinte atë rezultat, i cili, në natën e Erevanit të 13 tetorit 2015, u kthye në një festë mbarëkombëtare në të gjitha nivelet. Vlerësimi i punës së kombëtares, në tërësi, qe i gjithanshëm dhe çmimet e dhëna asaj nga autoritetet më të larta shtetërore e vërtetojnë.
Ardhja e skuadrës në Rinas qe një shfaqje e përmallëshme entuziazmi të përgjithshëm dhe fjalët e kapitenit Cana në atë rast, takimi i parë me Vendin mbas kualifikimit, mendoj se përbëjnë çastin më të rëndësishëm të atij mjedisi festiv. Ai e nisi përshëndetjen e tij me një shprehje të njërit nga personalitetet shqiptare më të shquara të së shkuarës, të Mit-hat bej Frashërit që, duke përgjithësuar përvojën e hidhur historike të bashkëkombësvet, thonte : ” Shqiptarët do të fitojnë çdo luftë mbasi të kenë mbaruar betejat me veten.” Më poshtë kapiteni kuq e zi vuri në dukje se ajo skuadër djemsh të rinj kishte arritur rezultatet e njohura e të shumëpritura nga gjithë kombi në dy vjetët e fundit sepse : “Besoj që kjo kombëtare ka arritur një gjë, që në çdo lloj beteje mes vetes, xhelozie, interesi personal e kemi lënë anash.” Ai përfundoi me shprehjen : “Në evropian do të shkojmë me kokën lart, jo si Shqipëri e vogël, por pretendojmë si Shqipëri e madhe!”
Përtej retorikës dhe instrumentalizimeve që mund t’i bëhen këto ditë brënda e jashtë Shqipërisë fitores së ekipit kombëtar e deklaratae në lidhje me të, mendoj se Lorik Cana, me fjalët e tij, i ka dhënë një mesazh të qartë të gjithë shqiptarëve e, kryesisht, atyre që merren me mbarështimin e tyre, drejtuesve politikë. Ky lloj mesazhi tregon se djaloshi gjakovar nuk është thjesht një topshkelmues i mirë, por është edhe një atdhetar më i mirë. Fakti që ai zgjedh një thënie të Mit-hat Frashërit, për të nxjerrë në pah një të vërtetë të pakundërshtueshme, të pohuar prej mjaft njerëzve të shquar të kombit të tij, tregon se kapiteni kuq e zi shqetësohet për fatet e këtij të fundit. Ato fate ai nuk i sheh vetëm si dukuri të kohës apo të brezit të tij, por mundohet të thellohet edhe në të shkuarën, të gjejë rrënjët e së keqes që ka penguar për një shekull të tërë përparimin dhe mbarëvajtjen e këtij kombi. Edhe se ai apo kolegët e tij mund të jetojnë më së miri në çdo Vend t’Evropës, mundohet të japë ndihmesën e tij në shëndoshjen e plagëve të vjetra e të reja të shqiptarëve.
Kryevepra e Lorik Canës nuk është vetëm shprehja e shqetësimit për bashkatdhetarët, apo e kënaqësisë që ai, së bashku me shokët e tij, prekin me dorë për faktin që me rezultatet e punës së tyre “i kanë bërë të lumtur ata”. Kryevepra qëndron në një tjetër fakt : nga lartësia e suksesit u tregon përgjegjësvet të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të mbrapambetjes rrugën për të arritur atë, e cila është ajo e mirëqeverimit të bashkëkombësvet të tyre, që mbetet e pashkëputur nga dashuria për ta.
Kombëtarja e futbollit ngjiti shkallët e kampionatit evropian nëpërmjet vendosmërisë për të arritur qëllimin, duke vënë në dobi të këtij synimi gjithshka : mundin fizik dhe përvuajtësinë e domosdoshme për të ruajtur harmoninë e mjedisit, entuziazmin rinor dhe dashurinë për fanelën, që është simboli i kombit të tyre. Në emër të këtyre vlerave djemtë e kombëtares lanë jashtë palestrave, fushave të stërvitjes, dhomave të hoteleve apo stadiumeve të ndeshjeve vetëpëlqimet, zilitë, krenaritë, lavdërimet e merituara në klubet ku luajnë dhe vunë nën drejtimin e trainerit të vyer de Biasi të gjitha forcat e tyre. E bënë këtë edhe kur nuk ishin titullarë në formacion, edhe kur rrinin në stolin e rezervave, madje edhe në shkallët e stadiumit, të bindur se e rëndësishme nuk është paraqitja vetiake, por arritja e grupit, rendimenti i tij, rezultatet e skuadrës, pikët e fituara, por edhe imazhi që i japin botës, sepse imazhi është po aq i rëndësishëm sa edhe pikët. Kjo është disiplina e ndërgjegjëshme që ka krijuar skuadrat e mëdha të botës, është përvoja universale e vënë në shërbim të synimit për të fituar.
Shqipëria prej vitesh ka filluar ecjen e saj të ngadaltë e të mundimëshme drejt Evropës. Nëse përfundimi deri tani nuk është ai i pritëshmi, ata që kanë drejtuar këtë Vend në këtë çerek shekulli nuk kanë arritur të bëjnë një skuadër si kombëtarja e futbollit. Për ta fitorja e Shqipërisë ishte ajo e fitimit vetiak, pasurimi jo shpirtëror por ai i xhepit, mbajtja dhe ruajtja e pushtetit për të sendërtuar synimet e kastës, të partisë, të klaneve të pushtetit. Ata nuk kanë lënë jashtë derës së tyre cmirat, mëritë, shemëritë, etjet për pushtet, prirjet për të rrëmbyer gjithshka, për të fituar “kohën e humbur”, jo në përparimin e Vendit por në pasurimin e tyre, për të hyrë në garë me botën jo në respektim ligjesh të qytetëruara e merita qeverisjeje cilësore, por në skandale, në sharje, në përbaltime, në palaçollëqe, për të mos thënë në krime.
Kapiteni kuq e zi, tërthor, u thotë këtyre drejtuesvet të shtetevet shqiptare e politikavet të tyre se rezultatet nuk arrihen n’atë mënyrë, se n’Evropë nuk shkohet duke imituar e duke vënë në jetë shfaqjet më të padenja të natyrës njerëzore, se çdo vepër madhore ka në themel të saj flijimin e Rozafës, se gara për drejtimin nuk mund të jetë vetëm sharje e nxirje e kundërshtarit, se duhet patur kurajua të pranohet e mira e të luftohet e keqja, se nuk mund të fillohet nga zeroja sa herë ndërrojnë kabinetet qeveritare.
A do të dojë të kuptojë politika mesazhin e kapitenit kuq e zi ? Apo do të përpiqet t’a përvehtësojë e t’a kthejë në dobi të saj ? Apo do t’a varrosë në heshtje, së bashku me termin “Shqipëria e madhe” të cilin, me guxim t’admirueshëm kapiteni e pohoi për të nxjerrë në pah jo vetëm faktin e përbërjes së skuadrës nga gjithë krahinat shqipfolëse, por edhe idenë e përfaqësimit të kombit, si mision i saj. Projekti i sendërtimit të asaj ideje duhet të jetë nxitja e brëndëshme e brezit të kapitenit Cana, jo vetëm për të përfaqësuar më së miri kombin e tyre në fushat e futbollit të Francës në vitin e ardhshëm, por edhe për t’u bërë nismëtarë të urtë e të guximshëm të vënies në jetë të ëndrrës së madhe shqiptare.
Tetor 2015