

Rafaela Prifti/
Premiera amerikane e filmit dokumentar Return to Kosovo debutoi mbrëmë në Fount Studios, nën kujdesin e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork. “Going back is part of moving forward,” (Kthimi pas nënkupton ecjen përpara) tha gazetari britanik dhe bashkëprotagonisti i dokumentarit Julius Strauss.
“Filmi dokumentari “Return to Kosovo” sjell një dëshmi rrëqethëse për njërën ndër mizoritë më të rënda të luftës në Kosovë, masakrën ndaj familjes Deliu në Obri të Epërme, më 26 shtator 1998,” tha Ambasadori Blerim Reka përpara audiencës së ardhur në natën e premierës në Nju Jork.
Historia e masakrës së Obrisë flet për dhimbjen e humbjes së përmasave të jashtëzakonshme dhe të mbijetesës. 23 anëtarë të familjes Deliu nga mosha 2 deri në 94 vjeç u vranë mizorisht nga forcat e regjimit Serb. Besniku 5 vjeçar dhe motrat më të vogla Liridona Deliu dhe Arlinda Deliu që i mbijetuan kësaj tragjedie rrëfejnë përjetimet e dhimbshme dhe pasojat afatgjata të luftës gjatë rinisë dhe jetës së tyre tashmë si prindër.
Kthimi në Kosovë është historia e traumës së luftës dhe e miqësisë së Besnik Deliut me gazetarin e luftës Julius Strauss. Mizoria çnjerëzore e viteve të luftës, e cila ndikoi në rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë, krijoi njëkohësisht edhe fillesën e një miqësie që lind vetëm në rrethana të jashtëzakonshme.
Gazetari dhe korrespondenti i shumë luftërave ishte larguar nga raportimi në front për tu përballur me peshën emocionale dhe psikike që mbarte me vete. Pas njëzet e pesë vjetëve Besniku në Kosovë e gjeti gazetarin që e kërkonte prej kohe me dëshirën për ta takuar. Për motivet e tyre, secili kishte nevojë për njëri tjetrin. Së bashku me xhaxhain e Besnikut, Ymer Deliu, i cili sakrifikoi shumë për familjen, kthehen në vendin e masakrës për të parë në sy të keqen.
Për Besnikun kishte rëndësi që “gazetari prej jashti” siç e quan ai në dokumentar, të vinte ta takonte sepse kjo i jepte peshë dhe dimension të veçantë ngjarjes, që ai ta shikonte për herë të parë me sytë e tij atë që e kishte shmangur për më shumë se njëzet vjet.
“Është e rëndësishme të tregohet historia dhe të flasim për të sepse ajo i tejkalon kufijtë e unit të secilit nga ne,” vërejti Strauss në bisedën me audiencën pas shfaqjes së dokumentarit.
Vajza e tij Emma Strauss shprehu idenë për realizimin e filmit, dhe në bashkëpunim me një ekip profesional Ben dhe Donald Harding, dhe me xhirimet e Vaughan Smith, ata sollën dokumentarin Return to Kosovo.
Pas shfaqjes Desantila Muriqi, Studente e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Kosovë moderoi një bisedë të gazetarit realizues me auditorin. Motra e saj dhe përkthyesja e dokumentarit po ashtu kishte ardhur nga Kosova enkas për premierën. Të pranishmit e vlerësuan filmin si shembull i jashtëzakonshëm i qëndresës dhe dinjitetit njerëzor. Interesim të veçantë pati “roli i mediave në raportimin e konflikteve.” Në njëzet vitet e fundit peizazhi i marrjes së informacionit dhe autorët e informimit nuk janë ata që kanë qenë, komentoi Strauss, dhe kjo shihet qartë në luftrat e kohës së sotme siç është Ukraina, ku ai vazhdon të shkojë herë pas here si korrespondent i jashtëm.
Strauss vlerësoi veçanërisht përkushtimin e shoqërueses dhe përkthyes së tij gjatë luftës Liman Muriqi, një promotore e palodhur për realizimin e dokumentarit. Filmi ka marrë pjesë në disa festivale dhe konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare. Në muajin e ardhshëm Return to Kosovo vazhdon turin e vet në Evropë.