Shkruan:Eshref Ymeri/
Charlotte, Karolina e Veriut/
Në faqen e internetit të datës 27 prill 2015 të portalit “Çamëria”, Profesor Nexhmedin Spahiu, në përforcim të bindjeve të veta për shpikjen e “kombit kosvar”, më kishte dërguar esenë e vet me titull “Koncepti i kombit”. Kush dëshiron, mund ta lexojë në faqen e portalit të lartpërmendur. Më poshtë vijon letra ime për Profesorin Nexhmedin Spahiu.
I nderuar Profesor Nexhmedini,
Faleminderit për dërgimin e esesë suaj. E lexova me shumë kujdes.
Sa për shqipen e “Enver Hoxhës”, siç shkruani ju, mendoj se shpreheni gabim. Shqipen e njësuar nuk e shpiku Enver Hoxha. Ajo erdhi e u kristalizua si rezultat i një procesi të gjatë historik. Unë nuk dua të zgjatem në këtë pikë se pikëpamjet e mia për gjuhën e njësuar shqipe i kam shprehur në një ese të posaçme, të përgatitur enkas për këtë problem, me titull “Rruga e mundimeve e ndërakademikëve “të papunë””, të botuar në internet më 02 tetor 2013.
Për sa i përket termit tuaj të parapëlqyer “kombi kosovar”, unë nuk mund të bie në një mendje me ju për shpikjen e tij, meqenëse Gjergj Fishta, Branko Merxhani dhe Vangjel Koçoja e paskan përdorur atë dikur në kalim e sipër. Unë mendoj se ju, si një intelektual me formim akademik, duhej të merreshit me thelbin e problemit që është mjaft shqetësues për mbarë kombin shqiptar: me copëtimin e padrejtë që u bëri shovinizmi evropian trojeve tona etnike nën diktatin e armikut tonë të tërbuar, shovinizmit rusomadh, për të kënaqur epshet hegjemoniste të ortodoksisë sllavogreke. Kaloi një shekull dhe kjo padrejtësi skandaloze duhej të ishte zhbërë, sikur në mbarë trojet tona etnike ne të kishim një klasë politike atdhetare, me formim nacionalist, me dinjitet kombëtar.
Si është e mundur, ore Profesor Nexhmedini, që juve nuk ju bëjnë përshtypje reagimet shoviniste të Beogradit, të Moskës dhe të Athinës, sa herë që në Shqipëri dëgjohen zëra për ribashkimin e trojeve tona etnike? Vallë nuk ju shqetësuaka fakti që pikërisht shovinistët grekosllavë janë ata që u bien kambanave kundër këtyre zërave në të gjitha udhëkryqet e Evropës e deri në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, sepse pikërisht ata vazhdojnë të mbajnë ende të kolonizuara një pjesë të mirë të trojeve tona etnike? Vallë të mos jeni i bindur ju që fqinjët tanë grekosllavë nuk e duan të bashkuar kombin shqiptar, se gjatë një periudhe mbinjëshekullore ata kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë si pikësynim që kombi shqiptar të mos ngrihet kurrë më këmbë, por të vazhdojë të zvarritet, si deri tani? Rusisë shoviniste, për interesat e grekosllavizmit, i intereson një komb shqiptar i përçarë, varfanjak, i telendisur, i nëpërkëmbur se kështu krijohen kushtet për mpakjen ca nga ca të kombit tonë dhe zbrazjen tërësore në perspektivë të trojeve tona etnike prej elementit shqiptar. Vallë nuk e kuptuakeni ju, ore Profesor Nexhmedini, që Shqipëria sot, për fajin e klasës politike të Tiranës, tërhiqet zvarrë para shtetit më paradoksal të Evropës, i cili e ka emrin Greqi dhe që përfaqëson një ngrehinë të kalbur me mendësi mesjetare në gjirin e Bashkimit Evropian? Po a ka turp më të madh për Shqipërinë që e nëpërkëmb dhe tallet me të pikërisht një shtet karagjoz grek që sot përfaqëson turpin e Evropës? Dhe kjo për faj të klasës politike të Tiranës.
Po në të njëjtën mënyrë e nëpërkëmb dhe tallet me Kosovën edhe shteti kriminal serb, i cili ka në krye nëpunësit e regjur të Millosheviçit, kriminelë me damkë të popullit shqiptar të Kosovës. Dhe kjo për faj të klasës politike të Prishtinës. Po në të njëjtën mënyrë nëpërkëmb dhe tallet me popullin shqiptar në Maqedoni një kopilshtet, i krijuar fillimisht në inkubatorin e Titos në vitet e pasluftës. Dhe kjo për fajin e klasës politike shqiptare në Maqedoni. Të njëjtin poshtërim po provojnë mbi kurriz shqiptarët në Mal të Zi prej mikroshovinizmit malazias. Dhe kjo për faj të klasës politike shqiptare në Mal të Zi.
Vallë të mos ju bëj përshtypje juve, ore profesor i nderuar, që në mbarë trojet tona etnike, me përjashtim të Çamërisë, janë të regjistruara në gjykata 90 parti politike? Juve, si intelektual, nuk ju shqetësuaka vallë ky fakt skandaloz? Ndërkohë që Gjermania me 82 milionë banorë, ka gjithë-gjithë 5 parti politike?
Kjo përçarje e rëndë dhe me pasoja tragjike për të ardhmen e mbarë kombit shqiptar, duhej të përbënte një shqetësim të përhershëm për ju, në mënyrë që, së bashku me intelektualë të tjerë, të ngrinit zërin tuaj të fuqishëm për të hequr dorë nga kjo përçarje skandaloze dhe e turpshme në radhët e kombit shqiptar, një përçarje kjo që na nxin faqen në sytë e Evropës dhe i gëzon pa masë armiqtë tanë grekosllavë.
Unë habitem se si është e mundur që një intelektual me përgatitje akademike, si ju, të merreni me shpikjen e “kombit kosovar”. Unë e kam theksuar në analizat e mia të mëparshme se prej korrikut deri në dhjetor të vitit 1999, Kosovën e pata vizituar si përkthyes i gazetarëve ukrainas dhe rusë. Kudo që shkelëm, që nga Kaçaniku e deri në Pejë, që nga Prizreni e deri në Podujevë, pyetja e vetme që ata u drejtonin qytetarëve kosovarë, ishte:
“- Si e shikoni perspektivën e Kosovës?”.
Dhe përgjigjet e tyre ishin absolutisht të njëllojta:
“Ne duam që Kosova të shpallet e pavarur dhe mandej të ribashkohet me Shqipërinë”.
Prandaj, profesor i nderuar, si shqiptar, ju këshilloj të hiqni dorë nga shpikja e “kombit kosovar” dhe potencialin tuaj intelektual t’ua kushtoni përpjekjeve për ribashkimin e trojeve tona etnike në një shtet të vetëm, me një stemë dhe me një flamur. Ju, po të dëshironi, mund të merreni me një problem të parrahur absolutisht deri tani dhe që është mjaft shqetësues për mbarë kombin shqiptar:
Si shpjegohet që klasa politike shqiptare në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup është një klasë politike mercenare, e cila asnjëherë nuk ka kuturisur të ngrejë zërin për padrejtësinë tragjike që shovinizmi evropian, me në krye shovinizmin rusomadh, i shkaktoi kombit shqiptar me copëtimin e trojeve tona etnike? Dhe sa kohë do të vazhdojë të mbahet më këmbë ky copëtim?
Nëse ju, profesor i nderuar, do t’i kushtonit vëmendjen e duhur këtij problemi mjaft shqetësues për kombin tonë, ju do të jepnit një kontribut të shquar për zbulimin e arsyeve të mercenarizmit të lartpërmendur dhe do të linit gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e mbarë kombit shqiptar, duke ndikuar drejtpërsëdrejti në emancipimin e klasës politike shqiptare dhe për daljen në skenë të një klase politike nacionaliste, me vetëdije të lartë kombëtare.
Me këtë rast, profesor i nderuar, dëshiroj të nënvizoj se në rrugën e mundimeve ku keni hyrë, për të shpikur një “komb kosovar”, keni vepruar shumë gabim dhe në dëm të interesave tona kombëtare. Sepse në këtë mënyrë ju u vini në osh interesave shoviniste të fqinjëve sllavogrekë që kombin tonë duan ta shikojnë sa më të përçarë. Unë nuk kam fakte se ju jeni i rekrutuar nga Beogradi dhe që ky t’ju ketë caktuar për mision shpikjen e “kombit kosovar”. Por me nismën që keni ndërmarrë për një “shpikje” të tillë, ju jeni vënë kokë e këmbë në shërbim të armiqve tanë shekullorë – Athinës, Beogradit dhe Moskës. Unë dëshiroj me gjithë zemër që ju të lini emër në historinë e kombit shqiptar, si një intelektual me përgatitje akademike që kontribuoi për ribashkimin e trojeve tona etnike. Unë nuk dëshiroj absolutisht që ju të lini një emër të keq në historinë e kombit shqiptar, si një përçarës i zellshëm, në shërbim të grekosllavizmit.
Ështe në dorën tuaj të zgjidhni rrugën e nderit apo rrugën e gabuar. Unë sa të jem gjallë, nëse ju nuk do të hiqni dorë nga rruga e gabuar ku keni hyrë, do t’ju kundërvihem me vendosmëri, si përçarës i kombit shqiptar dhe si shërbëtor i grekosllavizmit.
Eshref Ymeri
Charlotte, Karolina e Veriut
28 prill 2015
Kadri Tarelli says
Shkrim shumë i bukur dhe me vlera shqiptarie. Nuk e di sa do ta lexojë dhe sa do ta besojë Z. Nexhmedin thirrjen tuaj për t`u marrë me problemin e bashkimit të kombit dhe jo të coptimit të tij. Kam përshtypjen se akademikut tonë të nderuar, çorba serbe po i pëlqen shumë e s`po mund të ngopet me të. Edhe une qofsha i gabuar në mendimin tim. Veç duhet ta dijë se me këtë shpikje “Kombi Kosovar”, nuk do të ketë emër të ndritur, por të zi e të baltosur.
Me mirëkuptim !
Kadri Tarelli
Durrës