Julika Prifti/
Xhaxhai im, Peter R. Prifti i firmoste letrat dhe shkrimet në shqip dhe anglisht edhe me emrin e babait Rafail, ose me inicialin e emrit të tij. Kjo më bënte shumë përshtypje si fëmi sepse në Shqipërinë e viteve ’60 praktika e botimeve ishte nënshkrimi vetëm me emër e mbiemër të autorit. Në tri dekadat e para të jetës sime unë e takova xhaxhanë vetëm dy herë në Shqipëri. Ai ishte shpërngulur në Amerikë në vitin 1939 apo 1940, ku jetoi me babanë e vëllanë e madh Apostolin. Për herë të parë ai erdhi të vizitonte familjen në Shqipëri kur unë isha pak më shumë se dy vjeç. Siç mësova më vonë, gjyshi ynë, Rafaili ishte riatdhesuar në fund të viteve 50-të pas disa tentativave të pasuksesshme për daljen nga kufiri të gjyshes dhe dy fëmijëve të tjerë. Kujtimet e mia të vizitës së parë të Peterit janë plotësuar nga fotografitë e letrat e tij ku kujtonte pyetjet e mia të shumta e disa përgjigje që i kishin bërë përshtypje. Por pas botimit të librit të tij Socialist Albania Since 1944: Domestic and Foreign Development, nga MIT Press Cambridge Massachusetts, and London England, iu mbyll dera e lejimit të vizitave në Shqipëri. Edhe një kopje që ai ia dërgoi të vëllait, babait tim, shkrimtarit Naum Prifti në Shqipëri, nuk u dorëzua në adresën e dërguar. Nuk dinim si ta kuptonim qëndrimin kundrejt tij, një intelektual i shquar shqiptar në Amerikë. Por në një bisedë intime me babin, prof. Skënder Luarasi i tregoi se ai e kishte lexuar dhe e kishte pëlqyer shumë librin e Peter Priftit. Po libri kishte një “mëkat”. Peteri nuk e kishte lavdëruar Enver Hoxhën e ky ishte “krim” i madh. Për këtë arsye libri mbahej i rezervuar në Bibliotekën Kombëtare e nuk lejohej të merrej pa autorizime.
Peter Prifti u lejua të vinte në atdhe vetëm pas vdekjes së Enver Hoxhës, në verën e vitit 1985. Kjo ardhje qe një gëzim i dyfishtë për ne. E para do të takoheshim pas gati një çerek shekulli dhe e dyta ishte sinjal “rehabilitimi” sepse duke u lejuar të vinin për vizita njerëzit tanë nuk ishin armiq të popullit e të atdheut. Nuk mundem ta shijonim këtë “përmirësim” biografije gjatë sepse pak ditë pas ardhjes së tij në Tirane, Ministria e Jashtme filloi të telefonte për t’i afruar udhëtime në Krujë, Korçë a ku të donte për “ta njohur mirë realitetin socialist”. Nuk mundi t’i shmangte gjatë. Ata erdhën një ditë dhe e morën me veturën e tyre për të vizituar qytetin e Krujës. Ndonëse në dukje trajtimi nga autoritetet dukej miqësor, unë parandjeva diçka kur ata nuk e lejuan babain ta shoqëronte vëllanë. Gjithsesi ishim të vetëdijshëm për arrogancën dhe mungesën e etikës nga ana e institucioneve tona. Me naivitet mendova se ndoshta ishte punë kursimi. Po të merrnin edhe babain do t’u duhej të paguanin për harxhimet e drekës apo darkës edhe për një person tjetër. Mezi e pritëm kthimin e tij dhe donim të dëgjonim përshtypjet për qytetin e Skënderbeut, për Muzeumin e Madh etj. Ai dukej i lodhur, e gati i mërzitur, me një ngjyrë të errët në fytyrë. Nuk ishte në qejf të tregonte për udhëtimin. Vetëm pas pyetjeve të shumta na tha se nuk e kishin ftuar që ta njihnin me arritjet në vend, që ai të shkruante pozitivisht për Shqipërinë. I kishin kërkuar që ta bënin agjent, të spiunonte “për të mirën e atdheut”, e sigurisht që “për këtë edhe do ta shpërblenin”.
-U ndjeva aq i fyer,- tha xhaxhai. – E hodha poshtë me përbuzje dhe prerazi kërkesën e tyre. Unë jam akademik, dhe them mendimin tim i bazuar në analiza të së vërtetës. Këtë kam bërë për dekada e këtë do të vazhdoj të bëj.
Gëzimit të ardhjes së tij i ra një vello hidhërimi e trishtimi. Një ardhje tjetër në atdhe u vu përsëri në dyshim prandaj kur u ndamë në aeroportin e Rinasit menduam se ndoshta kjo do ishte hera e fundit që shiheshim bashkë. Por pas viteve 1990 familja jonë arriti të marrë visat e të bashkoheshim me xhaxhallarët në Amerikë.
Xhaxhai i madh, Apostoli, vdiq disa muaj pas ardhjes sonë në Filadelfi. Unë vendosa të shkoj pranë xhaxhait tjetër në Kaliforni ndërsa prindërit në Nju Jork pranë motrës së vogël që studionte për anthropologji në New School në Manhattan.
Pas një viti të vështirë në Amerikë, jeta në San Diego për mua përngjante me atë në Tiranë për nga përsiatjet kulturore dhe artistike. Me Peterin bënim vizita në muzeume, shkonim në teatro, opera, shëtitje në shtete të ndryshme. E miqtë e tij ishin me të shumtë profesorë universiteti e unë kënaqesha në bisedimet me ta: Mary dhe Peter Peratsi, prof. Leonard Newmark, Peter Schimdt etj.
Një kënaqësi e madhe ishin edhe takimi me grupin e vallëzimit ku Peteri praktikohej rregullisht, qe nga kthimi nga Shqiperia ku mësoi pak valz e tango. Ne thoshim me humor se kërcimi i tij ishte “profesional”. Amerika qe njoha me Peterin filloi të më dukej më e pëlqyeshme e më shpresëdhënëse.
Edhe pasi u largova nga San Diego në Nju Jork, e vizitoja rregullisht për vite me radhë. Aty tani nuk kisha vetëm xhaxhanë po edhe shumë shoqëri, si edhe kujtime dhe eksperienca të përftuara në qytete meksikane apo të Kalifornisë.
Në vizitën e parafundit tek apartamenti i tij në San Diego vura re një palë dylbi të vogla që përdoren në ambiente të mbyllura.
-Do m’i falësh mua këto? – e pyeta xhaxhanë pa u menduar fare.
-Jo, më pëlqejnë t’i kem aty, – erdhi përgjigja e tij.
U pendova menjëherë që ia kërkova. Unë e dija që ai nuk i ndiqte me operat si më parë. Kërkesa ime mund të ishte kuptuar si konfirmim i mbërritjes së një moshe kur aktivitetet janë të kufizuara. Unë isha nxituar e padashur e kisha lënduar.
-Të lutem përsërite edhe njëherë kërkesën, – më ndërpreu mendimet xhaxhai.
-Jo, – i thashë. Ti ke të drejtë. Unë do të blej një palë në dyqanin e Metropolitan Opera. Atje ka dylbi me rrathë fildishti, shumë të ngjashme me të tuat.
-Të lutem më pyet përsëri, – këmbënguli ai.
-A mund të m’i falësh mua këto dylbi që t’i përdor kur të shkoj në opera? – e pyeta përsëri pak e çuditur për këtë kërkesë të tij.
-Me gjithë qejf. Jam shumë i kënaqur që do të shërbejnë edhe ty siç më shërbyen edhe mua, – u përgjegj xhaxhai me një entuziazëm që më bëri të vë buzën në gaz.
Në çdo shfaqje në Metropolitan Opera apo në Carnegie Hall marr me vete në çantë dylbitë e dhuruara nga xhaxhai e më duket se dhe ai është ulur me mua në sallë.
Foto nga Arkivi i Familjes Prifti:
Rina, Julika, Loreta dhe Peter Prifti, Pogradec 1962
Eri, Rafaela, Peter, Julika, San Diego 1993
Prof. Newmark, Julika, Peter Prifti ne shtepine e Newmark-ut, vere 1997
Dylbi teatri te Peter Priftit