Shkruan: Lulzim Nika/
Në 26 vjetorit të rëniës së heronjve të kombit, Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, dëshmorëve, Behxhet Karaxha, Milazim Karaxha, Hamit Lladrovci, Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka, të renë më 22 Shtator të vitit 1998.
Flijimi i tyre dhe luftëtarëve tjerë u bënë gur themel i Shtetit të Kosovës. Porosia e tyre dhe flijimi i tyre është përherë frymëzim për ne! Kujtojmë heroizmin e ideologut të UÇK-së, Fehmi Lladrovci, kur pakkush besonte në lirinë e Kosovës, por, fal idealistëve si Fehmiu, ideja e lirisë nuk u shua, përkundër brutalitetit të pushtuesit serb.
Fehmi Lladrovci pa dyshim është një nga figurat më të shquara në luftën për çlirimin e Kosovës e në funksion të këtij ideali, ai nuk kurseu angazhimin intelektual, mundin, pasurinë dhe as jetën.
Me nderim të thellë, kujtojmë të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë tonë që ranë për të mos vdekur kurrë, gjatë shtatorit të përgjakshëm të vitit 1998 në komunën e Drenasit.
Roli dhe kontributi i jashtëzakonshëm i tij në organizimin e luftës se Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, konfirmohet qartë nga një mori dokumentesh dhe raportet e shërbimeve perëndimore, evropiane dhe amerikane të cilat dëshmojnë rolin e veçantë, në organizimin e luftës se armatosur që pati Fehmiu.
Nga viti 1980, në bisedimet me shokët e lëvizjeve kombëtare për lirinë e Kosovës, Fehmiu kishte proklamuar organizimin ushtarak, si të vetmen rrugë për të ardhur te liria e Kosovës.
Fehmi Lladrovci iu bashkua lëvizjes, duke përhapur idenë e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës dhe nga atëherë kishte gjetur përkrahje në mesin e shumë shokëve e idealistëve.
Nuk ishte zgjedhur rastësisht njeriu i parë i ngarkuar nga Lëvizja Popullore e Kosovës për organizimin e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës, qysh në pranverën e vitit 1984. Ëndrra e heroit do të bëhet realitet me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për organizimin e së cilës kishte punuar më shumë se një dekadë para shfaqjes së këtij organizimi të lavdishëm në historinë tonë. Pra, ai punoi edhe në përkrahjen e luftës për liri, duke dëshmuar se Kosova ishte marrë me forcë dhe vetëm me forcë, trojet etnike shqiptare, do të mund të çlirohen nga pushtuesi serb.
Fehmiu, me fillimin e luftës çlirimtare, u kthye në fshatin Gllanasellë, vendlindjen e tij, një kthim që rriti besimi në mobilizimin e Ushtrisë çlirimtare që beri krenar jo vetëm vendlindjen Drenicën por tërë Kosovën dhe kombin.
Nga ditari im, të cilin e kam mbajtur që nga fillimi deri në fund të luftës në Drenicë, po paraqes disa momente që e bëjnë të veçantë heroin Fehmi Lladrovci:
Ardhja e tij në Kosovë i dha frymë të re luftës për liri, ai ishte projektuesi i vijave të frontit, përkatësisht përcaktimit të pikave strategjike në terren dhe istikameve të para për ushtarët e UÇK-së, në mbrojtje te popullsisë civile që rrezikoheshin nga forcat kriminale serbe. Drenica dhe Kosova u ndien më të sigurt nga përvoja e tij që kishte në luftën kundër forcave serbe në Kroaci.
Në ditarin im kam shënuar edhe një pjesë të fjalës së tij para ushtarëve në Gllanasellë, në të cilën, Fehmiu thekson se duhet të lihen anash të gjitha dallimet dhe së bashku të jemi në shërbim të luftës sonë për liri, bashkimi na bën më të fortë në këto orë të historisë sonë për liri.
Ishte njeriu më vizionar që kisha takuar gjatë gjithë kohës së luftës. I kushtonte një rëndësi të veçantë mikpritjes së fotoreporterëve dhe gazetarëve të huaj, duke kuptuar mirë sa e rëndësishme është e vërteta për luftën tonë për liri. Këtë dëshmojnë gazetarët me të cilët ishte takuar gjatë luftës dhe kishin perkrahjen e veçantë të Fehmiut dhe shumë gazetarë të tjerë të huaj të mediave me ndikim ndërkombëtar.
Kur pak kush besonte se liria ishte shumë afër, ai me besim ju thoshte ushtarëve që lufta jonë do të triumfojë dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm për veriun dhe mos të ndahet Kosova. Qëllim i Serbisë është ndarja e veriut. Atëbotë ky shqetësim nuk u kuptua sa duhet, është fjala për fjalimin e tij më 3 gusht 1998. Sot, ne jemi dëshmitarë të këtij paralajmërimi rreth veriut të Kosovës.
Roli i Fehmiut është i rëndësishëm edhe në shumë fusha të tjera për lirinë e Kosovës dhe do të na duhen shumë punë e studim për të dhënë të plotë portretin e tij historik. Këtu veçova vetëm disa aspekte të punës, të angazhimit dhe personalitetit të tij historik që së bashku me UÇK-në e ndryshuan rrjedhën e historisë sonë kombëtare. Sot, porosia e Fehmiut do të ishte e njëjtë me ato që ia tha gazetarit dhe opinionit botëror: Më e shtrenjtë është liria se jeta!
Lavdi e përjetshme heronjve, dëshmorëve dhe gjithë të rënëve për liri!
Lavdi!