Gazeta “Dielli” ju paraqet lexueseve artikullin e Tahir Kolgjinit njerre nga “Lajmtari i të Mërguemit”, nr.12, Vt.7, Korrik 1976, fq.11-15./
Nga Tahir Kolgjini: Edhe nji herë po e kujtoj Mark Gjomarkajn/
Në Foto: Mark Gjonmarkaj/
Në fletoren L’ALBANIE LIBRE, qi dikuër ishte organi për faqe të bardhë i Blokut Kombtar Indipendent, ishte kujtue sa herë, i ndiemi Mark Gjomarkaj, tue iu vumë në dukje cillësinat e tija si nji shqiptar me plot merita. Po kështu, disi âsht bâmë fjalë për ‘tê, në data të ndryshme, edhe në Lajmtarin e të Mërguemit.
Të gjithë shqiptarët, qi kanë flijue jetën e tyne për nji Shqipni të Lirë Etnike, duhet t’i kujtojmë shpesh e me nderime. Duhet t’i kujtojmë me qellim qi të jemi mirënjoftësa ndaj tyne dhe, në kët mënyrë, t’inkurajojmë pjesën nacionaliste përgjithësisht. Veç kësaj, na duhet me i kujtue dhe për arsye qi historiani i ardhshëm, të ketë burime të vërteta në përshkrimin e ngjarjeve të botës shqiptare gjatë kacafytjes së dytë botënore. E kemi për detyrë . . .
Sidomos për Markun, sado qi të jetë shkrue, ato, nuk janë të mjaftueshme për personalitetin e tij të vlefshëm. Janë shum pak. Prandej, edhe unë, tue u mundue me tregue dishka për kët HERO dhe tue e kujtue me nji nderim të thellë, po due me dalun përpara lexuesave të mij të dashtun.
***
Ishte periudha e Shqipnís Mbretnore, atëhere, kur e njofta Markun për herë të parë në Tiranë. Vjeta, nuk më kujtohet. Do të shkonte për të vazhdue mësimet n’Itali. Rasësisht u përshndeta me ‘tê dhe me disa shokë, qi kishin ardhë me e percjellun. I hateshëm dhe i pastër në trup; krrik (shik) në veshje dhe i zvillatun e simpatik në ftyrë. Më tërhoq vrejtjen zgjimi dhe sjellja e tij fisnike. Me qellim qi të përbâj nji mendim, fillova me ‘tê disa bisedime të ndryshme. Përgjigjet e tija, ishin të qarta dhe me vênd e mâ tepër në dialektet t’ona. Qysh atëhere, mbeta shum i kënaqun, tue m’u forcue shpresa për kët student të ri se, si djalosh i njij derës së mirë, do të mbërrije në gjendje me i shërbyem Shqipnis në kohën e ardhshme.
Aj, qè nji student shqiptar vërtetë idealist.
***
Ma vonë, Markun e shoh si Nenminister i Punëve të Mbrendshme në Tiranë, kur erdhi në fuqi qeverija e kryesueme prej të ndiemit Mustafa Krujës në fillim të vjetit 1942. Ishem ngarkue me detyrë në Kukës. E vizitova. Pashë se ishte shum i kujdesshëm për të ndigjue e shum i preftë në shprehje.
Aspak nuk më kishte gënjyem parashikimi i em, qi pata për ‘tê, atëherë kur ishte student.
Mbas këtij takimi, qoftë për arsye detyre, qoftë për arsye miqsije, shifeshim mâ shpesh. Dhe, sa herë kur takoheshim, bisedonte përzemërsisht e me nji guxim të jashtëzakonshëm tue iu dhânun randësi në shkallë të parë problemeve dhe interesave kombtare. Synonte me mbajtun nalt autoritetin shqiptar, tue mos i përfillun asnji grimë rrethanat, qi mund t’i shkaktonte gjendja delikate e kohës.
Kur ishte fjala për shqiptarë e për Shqipni, ate nuk e lakonte kurrgjâ në kët botë. As vdekja, nuk i bânte përshtypje.
Mâ vonë, me dorëhjekjen e qeveris së Mustafa Krujës, aj, nji herë, kaloi në jetën private. Mbasandej, me kapitullimin e Italis në vjeshtën e vjetit 1943, mori pjesë në Kuvendin Kombtar në Tiranë. Në kët kohë, elementi komunist, tue përfitue nga mungesa e autoritetit, e kishte mârrun frênin në dhamb dhe bânte atentate djathtas e majtas, tue vramë nacionalista të shquem, me qellim qi të mbjellte terrorin në popull dhe në qeveri.
Pikërisht në kët kohë të rrezikshme, Mark Gjomarkaj, me treqind miq e dashamirë, qi i kishte sjellun prej Mirdite, i siguroi mbrojtjen parlamentit, tue e ruejtun nga çdo msymje, ose kërcnim. Në ket mënyrë aj, legjislaturën e asaj kohe e vuni në gjendje me punue me qetësi e me gjak të ftoftë.
***
Aty tue u damë vera e vjeshta në vjetin 1944, brigadat komuniste, patën depertue në disa lagje të Tiranës dhe pozicioni i qeveris pat fillue me u tronditun keqas. Unë, ishem i ngarkuem me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policís. Po na duhet me u zmbrapun për Shkodër me nji pjesë të personelit dhe të mjeteve, qi enè i kishim në dispozicion. Natën n’udhtim e sipër, të gjitha mjetet, na u shkatrruen nga bombardimet e fluturakeve anglo-amerikane dhe na mbetëm rrugës. Patëm dhe disa të vramë. Ata, qi tepruen, mbërritën në Shkodër. Unë shkova fillë në shtëpinë e Kapidanit. Në kët kohë dhe Marku, ishte në Shkodër.
Si dihet, në Shkodër, aso kohe, qe formue “Komiteti Kombtar i Shkodrës” nën kryesín e të ndiemve Sylqe Beg Bushatit dhe të Kapidan Gjon Marka Gjonit. Mark Gjomarkaj, ishte ngarkue me detyrën e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave t’Armatosuna Kombtare. Ky Komitet, kishte për qellim me ndalue hymjen e komunistave në kët pllambë të fundit të tokës shqiptare, për me mund me lehtësue nji shkarkim eventual të ndonjij force anglo-amerikane në Shqipni, ose në ndonji vend në zonën e Shkodrës.
Kapidan Gjoni, më njofton se, mue më kishin ruejtun detyrën e Prefektit të Shkodrës dhe, si i tillë, më ngarkojshin dhe me detyrë antarësije në Komitet. Iu falënderova, tue i thânun se, jam drejtue për në Gjermani dhe se mbrenda javës, bashkë me dy oficera gjermanë, me nji aeroplan ushtarak nisemi për Vjenë.
-“Or Tahir,” më thotë, Kapidani , “na o do të shpëtojmë bashkë, ose do të vdesim bashkë.”
Mbi këte, dhe unë, e pranova kët detyrë. Njeriu, vdekjen e pranueka mâ tepër prej turpit se sa prej trimnije. E si u pashë edhe me Sylqe Beg Bushatin, mora Prefekturën e Shkodrës në dorëzim.
***
Ndërsa, lufta, vazhdonte me vrull në Merditë dhe aty këtu derdhas në malsinat tjera të Shqipnís, Markut i bâj kët propozim:
-«Thika, ka hasun n’asht. Komunizmi, nuk mund t’asgjâsohet me mâsa gjysake. Prandej, me nji urdhënesë, duhet të requizojmë të hollat dhe pasunín e luejtshme të bankave dhe të tregtarëve të zonës s’onë, pa përjashtim. T’iau kërkojmë për kundrejt dëftesash, tue iu dhânun nji afat të shkurtë. Kush nuk e ep shumën e kërkueme mbrenda afatit të caktuam,… në litar!… Armë ka. Me nga njimijë frank në muej, të përbâjmë nji forcë prej 15.000 vetësh dhe t’a ndezim luftën në nji ballë të gjânë, tue i mobilizue edhe vendet e shlirueme. Si t’i fusim forcat komuniste në dana, të marshojmë deri në kufinin grek. Me krijimin e njij qeverije kombtare, ka gjasë qi të zbarkoje ndonji njisi anglo-amerikane. Dhe shteti, si të stabilizohet gjendja, t’interesuemve iu paguen pasunin e requizueme.»
«Fitimi, âsht i yni, mbassi komunizmi jugosllav dhe grek, nuk janë në gjendje me iu ndihmue komunistave shqiptarë. Me gjithë këte, të supozojmë se, nuk mundëm me ia mbërrijtun këtij caku, atëhere, me të tanë kët fuqí, po e çajmë me pushkë; po hyjmë në Greki dhe po i dorëzohemi gjeneral GOBI-t.»
I ndiemi Mark, pa nji pa dy, e pranoi kët pikëpamje. Ia hapëm Kapidan Gjonit. Dhe aj, e pranoi. Mirëpo, kur ia parashtruem Sylqe Begit, aj, nuk u tregue d’akord, mbassi natyra e tij, nuk ishte e krijueme për me zbatue masa kësodore, qi sjellin përgjegjësina të rânda.
Prandej, dhe kjo mâsë, qi ishte e vetmja shpresë, mbeti pa u sendërgjue.
***
Rrethi, për dit e mâ tepër vinte tue u ngushtue. Ishte data 23 Nanduer, 1944. Hangrëm darkë. Tjerët, shkuen secili në punë të vet. Mbetëm Kapidani medis nesh dhe unë e Marku, në skajet e ngushta të tavolinës, skundrejt njani tjetrit. Në kët rasë, Marku , më drejtohet :
-“Or Tahir, duhet të përgaditesh se, Ti, do të dalish nesër bashkë me babën.”
-“Për ku, or Mark?”
-“Për ku t’a ketë shkrue, Zoti. Nji herë, për Gjermani. Baba, mbassi nuk zotnon ndonji gjuhë të huej, do t’i ap me vehte njanin prej vëllazënve. Do të niseni me ushtrín gjermane, qi ritirohet.”
-“Na, mâ, o duhet të nisemi krejt kështu, sikurse jemi; e pra, edhe Ti; ose duhet të qendrojmë të gjithë bashkë, si ç’jemi.”
– Baba, âsht i vjetër; prandej, nuk âsht i malit. Ti Tahir, je shum i lodhun. Të kemi ngarkue mjaft, e shërbime në vende të ndryshme. Je edhe i vetëm. Prandej, duhet të largohesh. Sa për mue, unë, jam djali mâ i madhi i Kapidanit të Merditës. Randimi kryesuer, peshon mbi mue, sepse, kam qenë i ngarkuem me autoritet. Mandej, kam ngarkue shum miq, shum kumarë e shum dashamirë dhe farefis me përgjegjësina. Këta nuk mund t’i lâ vetëm. N’atë minutë qi unë, të largohem nga Shqipnija, ka vdekun dera e Kapidanit të Merditës. E, po te vdes unë, dera e Kapidanit të Merditës, rron. Prandej, unë, do të qendroj në malet e Shqipnis.”
Dhe si i mallëngjyem, Marku, vazhdoi:
-”E dij. Do të jetë e pamundun me qendrue n’aratí, kur të zbatohen sistemet e ashpra të komunizmit. Do të vritem; por, s’ka gjâ. Vdekjen e pranoj për idealin kombtar dhe për mos me i lanun vetëm shokët e këtij ideali. Shqipnija, dikuër, në nji menyrë, ose në nji tjetër, prap ka me e gjetun rrugën e vet të natyrshme. Dhe juve ju uroj udhë të mbarë.”
Marku, kur shprehte fjalinat e fundit, iu rrokulluen nja dy pika lot mbi mollëzat e faqeve teposhtë. Unë, nuk pata gjâ me shtue, mbasi aj, parapëlqei rrugën e burrënís shqiptare.
Me 24 Nanduer, 1944 në mëngjes, u hallatosëm me te dhe, bashkë me Kapidan Gjon Marka Gjonin, lam Shkodrën, tue mârrun rrugën e aratís.
Karakteristika, qi e dallon Mark Gjomarkajn prej shqiptarëve tjerë, âsht kjo: Aj, qendroi në malet e Shqipnís për t’u vramë e tjerët, qendruen për të shpëtue.
***
Sigurisht, disa burra nacionalista, do të kenë mbajtun shenime dhe do t’i përshkruejnë ndodhinat me imtësi. Unë, këtu, shkurtimisht po shenoj disa pika kryesore, për hirë të historis kombtare:
Marku, me 26 Nanduer, 1944, e le’ Shkodrën, tue pasun me vehte nji fuqi të përbâme prej afër trimijë vetësh. Me qenë se shokët i kishte lanun të lirë me u dorëzue, ose me ndjekun rrugën e aratís me ushtrín gjermane, nji pjesë e kësaj fuqije, i dahet. Me fuqín, qi i mbetet, aj, vazhdon udhën nepër vende të ndryshme malore, tue kapërcyem lumej, gryka, kodra e suka të vështira dhe tue luftue e tue çamë me pushkë shum prita, të cillat, ishin vumë nga nji pjesë e popullit, qi e kishte mashtrue komunizmi. Lemisht, në këto ndeshje, derdhet shum gjak prej dy palëve. Për kët shkak, Marku, vendosë qi forcat, aty për aty, të shpërdahen andej -këndej, ku t’a gjykojnë me arsye, tue mbajtun ndërlidhjet regullisht medis tyne. Dhe vetë, me disa shokë, kalon në Merditë.
Gjatë kohës, qi Marku, qendron n’aratí, krijon nji organizatë kombtare, ecilla, shtrihet, thuejse, gadi në krejt Shqipnín. Mirëpo, dhe kjo, mjerisht, dështon, për shkak se, nji pjesë e kësaj organizate, veprimin e fillon para datës së caktueme.
Kësaj here, Tirana, vendosë me e mnjanue kët rrezik dhe shton e shpeshton seriozisht ndjekjet. Dhe Mark Gjomarkaj, në nji ndeshje, qi zhvillohet në vendin e quejtun -Prosek të Merditës – me datën 13-6-1946, plagoset randë. Dhe me 14-6-1946 n’ora 7.00 vret vehten me revolverin e vet, për mos me iu dorëzue i gjallë komunistave.
***
Mbas vetëvrasjes, forcat komuniste, trupin e Markut e ekspozojnë në Shpal, në Lesh e në Shkodër, tue e zvaritun e tue shkelmue.
Kjo sjellje banale, në vetvehte, tregon se, komunizmi, âsht nji shfaqje kundërnjerzore
Nacionalizmi shqiptar, nuk do t’i harroje kurr dëshmorët e vet.
Hiri i Zotit, qoftë me Mark Gjomarkajn dhe me shokët e idealit të tij të shenjtë.
*Marrë nga Lajmtari i të Mërguemit, nr.12, Vt.7, Korrik 1976, fq.11-15
Fritz Radovani says
Pak Burra Atdhetare e Trima ka pase Shqipnia si Mark Gjomarkun. Ata me veprat e veta mbeten te pavdekshem!
Me shume respekt, Ju pershndes!