NË KUADËR TË 550-VJETORIT TË GJERGJ KASTRIOTIT – SHKENDERBE/
Nga Frank Shkreli/
Ishte fillim Korriku i vitit 1970 kur në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe më gjërë u përhap lajmi i zi se, papritmas, kishte ndërruar jetë nga një goditje në zemër, Peter Genc Chikos (Çikos), Kryetari i Federatës Pan-shqiptare, Vatra. Si udhëheqës i organizatës më të madhe shqiptaro-amerikane, Peter Çikos ishte natyrisht i njohur në radhët e komunitetit shqiptar në Amerikë, por ishte gjithashtu i njohur edhe në komunitetin më të gjërë amerikan ku jetonte e vepronte, sidomos në qytetin Boston të shtetit Masaçusets. Gazeta e njohur amerikane Boston Globe kishte njoftuar vdekjen e para kohëshme, të Peter Çikos në moshën 51-vjeçare, duke venë në dukje arritjet në jetën dhe veprimtarinë e tij, përfshirë medaljet që kishte fituar si përfundim i heroizmit të tij në Luftën e dytë Botërore. Detyrat e ndryshme me rëndësi që kishte kryer në ushtri, përfshirë atë si oficer i inteligjencës ushtarake në stafin e Gjeneralit Dwight Eisenhower gjatë invadimit të Francës, si pjesëtar i Grupit të 6-të të Ushtrisë Amerikane, ndërsa ka shërbyer më vonë edhe si anëtar i Misionit për Kontrollin e Berlinit. Ndërkohë që largohet me nderimet më të larta nga radhët e ushtrisë amerikane pas luftës, Peter Çikos me të këthyer në Boston ndihmoi në themelimin e Shoqatës së Veteranëve shqiptaro-amerikanë dhe fillon një jetë të re si civil, pa uniformën ushtarake.
Në një shënim nekrologjik, Gazeta Boston Globe shënonte se me të dalë nga ushtria, Peter Çikos vazhdoi veprimtarinë e tij në komunitetin shqiptaro-amerikan, bazuar në gjurmët që kishte lënë, si shembull babai i tij, Harris (Llambi) Çikos, njëri prej themeluesve të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe njëherazi Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, një organizatë patriotike shqiptare, siç e ka cilësuar Vatrën me atë rast gazeta Boston Globe. Kjo gazetë ndër më të mëdhat e asaj kohe, por që edhe sot gëzon influencë në Amerikë, shkruante edhe për përpjekjet personale redaksionale të Peter Çikos në mbështetje të gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-shqiptare Vatra, si dhe për ndihmën financiare që ai jepte për botimin e gazetës që në atë kohë dilte një herë në javë.
Gazeta Boston Globe shkruante gjithashtu se Departamenti Amerikan i Shtetit, duke njohur aftësitë Peter Çikos si udhëheqës i komunitetit shqiptaro-amerikan, sanksionoi në vitin 1968 disa simpoziume ndërkombëtare nën drejtimin e tij dhe të Federatës Pan-shqiptare Vatra, me rastin e 500-vjetorit të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skenderbe, në Romë, në Vatikan dhe në Nju Jork – “Kur për herë të parë”, thekson gazeta amerikane Boston Globe, “Në Katedralën e Shën Patrikut në Nju Jork u mbajtën shërbimet ekumenike fetare Katolike, Ortodokse dhe Myslimane.” Gazeta shënon gjithashtu se Peter Çikos ishte pritur në Vatikan nga Papa Pali i VI me rastin e ceremonive kushtuar 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit Skendërbe në vitin 1968, ku ai kishte ndihmuar në organizimin e manifestimeve madhështore me atë rast, por kishte kryesuar gjithashtu një delegacion mjaft të madh shqiptaro-amerikanësh, pa dallim feje a krahine, që mori pjesë në ato ceremoni në kujtim të Gjergj Kastriotit Skenderbe, në Romë dhe në Vatikan, ku shqiptarët e mërguar, sidomos në Amerikë dhe në Evropë ishin mbledhur atje për të përkujtuar dhe nderuar Fatosin e tyre të Madh dhe njëkohsisht për t’i shpalosur botës një dëshmi të pashoqtë dinjiteti kombëtar dhe bashkpunimi dhe marrveshje vëllazërore.
Është ky rol historik dhe ndihmesa e Peter Çikos në organizimin e 500-vjetorit të Skenderbeut që më shtyri të kujtoj këtë burrë të madh të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të Kombit, pikërisht këtë vit, të shpallur nga Shqipëria dhe nga Kosova si Viti i Gjergj Kastriotit Skenderbeut — 50-vjetë më vonë — me rastin e 550-vjetorit të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve. Por fatkeqësisht, në këtë vit kushtuar Heroit Kombëtar të shqiptarëve duket se është harruar Gjergj Kastrioti – Skenderbe – ndërkohë që zyrtarët më të lartë të dy shteteve shqiptare si dhe media në përgjithësi, flasin më shumë për influencën e Presidentit të Turqisë, Recep Erdogan në trojet shqiptare se sa për trashëgiminë dhe për porositë e Gjergj Kastriotit-Skenderbe për bashkim. Kjo temë nuk është subjekt i këtij shkrimi modest, por le të këthehemi tek kontributi historik i Peter Çikos, duke cituar disa prej bashk-kohasve dhe bashkpuntorve të tij, të cilët e kanë njohur atë nga afër, si person dhe si udhëheqës i komunitetit shqiptaro-amerikan, që përveç manifestimeve kastriotjane me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit në Romë dhe në Vatikan në vitin 1968, organizoi gjithashtu edhe aktivitete të tjera, përfshirë edhe Seminarin Ndërkombëtar të Vatrës në Nju Jork në vitin 1969.
Ernest Koliqi, një bashkrendues dhe bashkorganizator i manifestimeve kastriotjane me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit Skenderbeut në Itali kishte krijuar një respekt të jashtzakonshëm për aftësitë organizuese dhe për gatishmërinë dhe prirjet e Peter Çikos për të bashkuar diasporën shqiptare në Amerikë dhe më gjërë. “I lindun e i rritun në tokën amerikane, dhe si i tillë i përjashtuem nga ndasitë që ligshtojnë botën shqiptare, drejtoi veprimtarinë e vet dhe të rrethit vatran në harmonizim të atyne forcave të shpërndamuna”, ka shkruar Koliqi në një editorial botuar në revistën Shëjzat, kushtuar jetës dhe veprimtarisë patriotike të Peter Genc Çikos. “Me dinamizëm amerikan, i përkrahun nga rrethi i vjetër ashtu nga dasahmirë të ri, ia doli qëllimit në skaj: organizoi në Boston e në New York manifestimet dhe organizimet ma të shkëlqyeshme që njofti diaspora shqiptare sot e kësaj dite. Mblodhi në nji ndjesi vëllaznore Vatranë, Arbëreshë e Shqiptarë të mërgatës, pa dallim besimesh e krahinash, kulturash e rrymash politike.” Ernest Koliqi e pagëzon Peter Çikos, si “Unifikuesi”, në historinë e diasporës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. “Kjo i jep Atij të drejtën m’u quejtun në historinë e diasporës sonë, Çikos Unjisuesi ose( Unifikatori) i gjakut të shprishur”. Koliqi në të vërtetë e krahason Peter Genc Çikon me më të njohurit e historisë shqiptare, duke u shprehur se, “Instinktivisht, ndoshta pa dijeni t’imtë të rrethanave historike shqiptare, Ai ka rrah udhën diellore të Shqiptarëvet më të mëdhej: t’atyne që tue fillue prej Skenderbeut dhe tue mbarue tu Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, u munduan me mish e me shpirt t’i bashkojnë Shqiptarët. Peter Çikos ndoqi shembullin e tyne”, përfundon Koliqi nderimin e tij për punën dhe veprimtarinë e këtij shqiptaro-amerikani të njohur.
Ndërsa një tjetër eskponent i mërgatës së atëhershme shqiptare, Tahir Kolgjini e ka kujtuar ish-Kryetarin e Vatrës si një njeri me “Sjellje simpatike, t’urtë, i cili krijoi marrëdhënie të përzemërta me grupet e ndryshme, pa ardhun ndesh me programet e tyne. Muar pjesë në 500-vjetorin e përkujtimuer të Heroit Kombëtar në Romë. Shkoi edhe në gjirin e Arbëreshve në Itali, vizitoi vende të tjera të Evropës, rregulloi në mënyrë shembullore përkujtimoren e Heroit tonë në Shtetet e Bashkueme”, e të tjera. Për të gjitha këto, sipas Tahir Kolgjinit, “Qëllimi i tij ishte për t’ia bamë të njohun botës se raca shqiptare ashtë e gjallë kulturalisht dhe fizikisht. Nderoi Vatrën, nderoi Diellin. Nderoi botën shqiptare. Nderoi edhe vetveten…Me pak fjalë, ngriti naltë sedrën kombëtare, tue mbajtun në kambë moralin e shqiptarëve, që ishin të dënuem me qëndrue larg Atdheut.”
Ndërsa Martin Camaj, poeti dhe shkrimtari në mërgim thotë se e kishte takuar për herë të parë Peter Genc Çikos në Romë në vitin 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut, i cili megjithse i lindur në Amerikë, i kishte lënë poetit të Dukagjinit një përshtypje të mrekullueshme, siç shprehet Camaj, me “korçarçen e tij të bukur me elementa të shqiptimit amerikan”. Martin Camaj ka shkruar se e kishte njohur Çikos-in si “Një burrë të rrahun me jetë, realist, me cilësi të mbara e të nevojshme të një shqiptari të vendosun e krenar, për të ia pasë lakmi”. Peter Genc Çikos, ka shkruar Martin Camaj, ishte ndër ata shqiptarë të cilët i “Sollën nderimin emrit shqiptar në botën amerikane.” Ne shkruajmë e flasim për meritat e Fan Nolit e të Faik Konicës për krijimin e një qëndre shqiptare në Amerikë e cila luajti një rol të dorës së parë në mbrojtje të interesave të Kombit Shqiptar, por shton Martin Camaj, shpesh “Harrojmë e nuk vemë në dukje sa duhet ndihmesat e etërve të Peter Chicos-it me shokë, të cilët dijtën të organizoheshin, e ndanë deri kashatën e gojës për ta mbajtë në kambë këtë vepër të madhe. Këta e banë këtë me thjeshtësi dhe pa trumbetime mburrëse”, është shprehur poeti e shkrimtari Martin Camaj, me rastin e vdekjes së Peter Çikos më 1970. Camaj e ka kujtuar atë si një “Të rritun e të burrnuem në nji botë shqiptaro-amerikane i cili kishte ndjenjat e të atit, shqiptar me përmallim të pashlyeshëm për vendlindje…” Është kjo ndjenjë shqiptaro- amerikane e Peter Çikos që i kishte lënë një përshtypje të thellë edhe albanalogut të njohur italian At Zef Valentinit, se me të takuar Peter Çikos i ishte dukur sikur, “Me ‘të në krye të Vatrës kishte hypë breznija e re e Shqiptarëve të Amerikës, dhe ashtu kishte hi përnjimend Amerikanizma në shërbim të Shqiptarizmës.”
Në Korrik të vitit 1970, Vatra ka humbur Kryetarin e vet ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan humbi burrin e madh, shqiptaro-amerikanin e ndershëm dhe krenar, diplomatin dhe njeriun që besonte me gjithë zemër dhe bëri aq sa kishte mundësi dhe rast për bashkimin e të gjithë shqiptarëve pa dallim këtu në Shtetet e Bashkuara dhe më gjërë, ndërsa komuniteti ynë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës humbi unifikuesin e vet. Siç ka shkruar edhe Skendër H. Hasani në një shkrim botuar në revistën Shëjzat të Ernest Koliqit, Peter Çikos, si Kryetar i Vatrës por edhe si njeri dhe si shqiptaro-amerikan i brumosur dhe i ushqyer me më të mirat e dy kulturave tona – asaj shqiptare dhe amerikane – i tregoi “Diasporës shqiptare se ç’rrugë duhet marrë e si mund të dëgjohet zëri i tyre në botë. Me urtësi e butësi, por me program të caktuar bëri që të përtrihet me hov roli historik i Vatrës.”
Vdekja e Peter Çikos në Korrik të vitit 1970, në një mosh relativisht të re, ishte e rëndë për të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan, por shembulli dhe nami i tij prej një unifikuesi të të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, ideologjie a krahine, sidomos në këtë 550-vjetor të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skenderbe, duhej të shërbente si një rast për bashkimin e fuqive më të shëndosha intelektuale, morale dhe kombëtare, në shërbim të interesave më të larta kombëtare, jo vetëm këtu në diasporën tonë në Amerikë por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, pikërisht ashtu siç bëri edhe Peter Genc Çikos me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit Kombëtar të Shqiptarëve në vitin 1968.