
Historia nuk pyet nëse je i vogël apo i madh. Historia pyet vetëm nëse e kupton kohën në të cilën jeton.
Për dekada shqiptarët besuan se varfëria ishte mallkimi i tyre më i madh. Sot rreziku është krejt tjetër. Nuk jemi më të parëndësishëm. Jemi bërë të rëndësishëm.
Ndërkohë që Amerika dhe Evropa po rishkruajnë marrëdhënien e tyre. Turqia po projekton fuqinë e saj në Ballkan. Izraeli mbetet nyje e Mesdheut dhe Lindjes së Mesme. Në këtë hartë të re, Shqipëria nuk është më një cep i harruar. Është pjesë e lojës së madhe.
Por, pikërisht këtu lind edhe rreziku. Në gjeopolitikë nuk humbet gjithmonë ai që pushtohet. Shpesh humbet ai që bindet se mund ta zëvendësojë shtetin me udhëheqësin, dhe institucionet me marrëdhëniet personale.
Adriatiku nuk është thjesht dhe vetëm një det. Ai është kthyer në një korridor energjie, sigurie dhe ndikimi. Ballkani nuk është më periferia e Europës. Ballkani është kufiri ku takohen interesat e fuqive të mëdha.
Në këtë kuptim, Sazani nuk është thjesht një ishull. Sazani është prova. Një provë nëse Shqipëria e sheh territorin si trashëgimi kombëtare, apo si monedhë negociimi. Nëse e sheh sovranitetin si përgjegjësi, apo si aset që vihet në tavolinë sipas interesave të ditës.
Edhe Porto Romano nuk është thjesht një port. Ai ndryshon gjeopolitikisht peshën e Shqipërisë në Mesdhe. Ai është prova nëse Shqipëria mendon me horizontin e mandatit të ardhshëm, apo me horizontin e gjeneratës së ardhshme.
Porto Romano dhe Sazani nuk janë dy projekte të veçanta. Janë dy prova të vetëdijes tonë gjeostrategjike. Një komb nuk matet me numrin e aleatëve me të cilët fotografohet udhëheqësi i ditës. Matet me forcën e institucioneve që mbrojnë interesin kombëtar kur aleancat ndryshojnë dhe interesat ripozicionohen.
Perandoritë ngrihen e bien, aleancat krijohen e shpërbëhen. Vetëm shtetet me institucione të forta i mbijetojnë kohës. Shqipëria ka nevojë për miqësi me të gjithë. Me Uashingtonin, me Brukselin, me Ankaranë me Tel-Avivin. Por, një shtet i vogël fiton kur është urë lidhëse, jo rrugë pakrye. Aleancat janë kalimtare. Institucionet janë garancia e vetme e sovranitetit.
Prandaj pyetjet nuk janë retorike. Pyetjet janë ekzistenciale. A i shërben marrëveshja interesit kombëtar, apo interesit të pushtetit të radhës? A po përdoret territori shqiptar si instrument diplomatik për të blerë afërsi me elitat globale? A kalojnë këto marrëdhënie përmes institucioneve të shtetit, apo përmes marrëdhënieve personale të udhëheqësit të ditës?
Një vend i vogël mund të fitojë shumë nga investimet e huaja. Por mund të humbasë akoma më shumë, nëse institucionet janë më të dobëta se kapitali që hyn. Të gjitha këto pyetje nuk janë abstrakte. Shqiptarët janë derdhur sot në rrugë. Dhe kjo në vetvete është një përgjigje.
Algoritmet mund të shumëfishojnë një mesazh. Por, ato nuk prodhojnë dot vetvetiu një krizë besimi. Pakënaqësia është bërë e qëndrueshme. Ajo po mbush sheshet, jo vetëm rrjetet sociale. Marrëdhënie mes shtetit dhe qytetarit është krisur. Një marrëdhënie që plasaritet, nuk ngjitet më nga asnjë fushatë komunikimi.
Ndërkaq, sa më shumë rritet pesha gjeopolitike e Shqipërisë, aq më shumë duhet të rritet cilësia e shtetit shqiptar. Përndryshe, Shqipëria nuk do të jetë aktore e zhvillimeve. Ajo do të jetë vetëm fusha ku të tjerët luajnë lojën e tyre.
Shqiptarët janë gjendur shpesh në udhëkryqet e historisë. Por, po aq shpesh nuk e kanë kuptuar në kohë peshën e tyre dhe ta kthejnë atë në një avantazh të qëndrueshëm kombëtar. Edhe sot historia na ka vendosur përpara së njëjtës provë.
Shqipëria nuk ka ndryshuar vendin e saj në hartë. Ka ndryshuar rëndësia që bota i jep asaj. Sfida është nëse do të dimë që ta shndërrojmë këtë moment në forcë shtetërore, apo do ta shpërdorojmë si ka ndodhur shpesh në të kaluarën.
Gjeografia është një dhuratë. Por, vetëm shteti e kthen atë në fat. Historia na ka dhënë një mundësi të re. Sfida është nëse shteti shqiptar është në lartësinë e gjeografisë së tij.
Nëse nuk ndërtojmë institucione më të forta se interesat e ditës, nuk do të jetë gjeografia që na shpëton. Do të jetë gjeografia që na dënon.
Dr. Evarist Beqiri