






Dr. Gazmend Kapllani, drejtori i programit të parë të Studimeve Shqiptare në historinë e universiteteve amerikane: “Programi ynë në DePaul ofron: kulturën, historinë, gjuhën e një populli të vogël dhe te lashte që ka jetuar dhe krijuar perhere në udhëkryqet e mëdha të historisë; një popull dhe kulturë që, po ta hulumtosh me mendje dhe sy të hapur, zbulon lidhje, shpesh mahnitëse, me Perëndimin dhe Lindjen”.
Intervistoi: Sokol Paja
1. Cila është historia e themelimit të Programit të Studimeve Shqiptare në DePaul University?
Historia e Programit është në radhë të parë historia e Hidai “Eddie” Bregut, një shqiptari të kultivuar, i cili u largua shume i ri nga Shqipëria para se të mbylleshin hermetikisht kufijtë e Shqiperise, për të studiuar fillimisht në Itali, dhe vazhdoi, mandej, udhëtimin e tij drejt Chicagos. Hidai “Eddie” Bregu ishte një njeri i ditur, mendjehapur, patriot i mençur dhe largpamës. Për mendimin tim dhe të shumë prej atyre që e kanë njohur nga afër (unë nuk e kam pasur këtë fat), është një nga personalitetet më të rëndësishme të komunitetit tonë në Amerikë. Hidai “Eddie” Bregu ishte i pari mes shqiptarëve të Amerikës që pati vizionin e krijimit të Programit të Studimeve Shqiptare në një universitet amerikan dhe i kushtoi këtij vizioni një pjesë të rëndësishme të pasurisë që kishte grumbulluar me punë të palodhur në Amerikë. Ai mbahet mend edhe sot për humanizmin dhe patriotizmin e tij dhe për mbështetjen sistematike financiare të komunitetit. Mbehet mend gjithashtu per faktin qe besonte tek forca emancipuese e arsimit dhe dijes. Ajo që kam kuptuar është se Hidai “Eddie” Bregu e bënte gjithçka me modesti dhe pa zhurmë, ashtu sic bëjnë zakonisht njerëzit e mëdhenj dhe të rrallë që kalojnë nga kjo botë. Pra, është shqiptari i parë që ka pasur largpamësinë të bëjë diçka të tillë dhe mbi të gjitha të besojë se një Program i Studimeve Shqiptare mund të zhvillohet në ambientin aq konkurrues të universiteteve amerikane, dhe ne nje vend si Amerika qe nga ana akademike dhe politike eshte ende ajo qe mund te themi qendra e botes. Unë jetoja në Boston dhe jepja mësim shkrimin krijues dhe historine e Europes në Emerson College kur lexova në një gazetë akademike amerikane se Universiteti DePaul kishte shpallur konkurs për Drejtorin e Katedrës se pare të Studimeve Shqiptare ne historine e universiteteve amerikane.
Me pak fjalë, kërkonin dikë që të merrte përsipër krijimin e Programit të Studimeve Shqiptare nga zero, meqenese një program i tillë nuk kishte ekzistuar më parë në universitetet amerikane. Universiteti DePaul kishte vendosur që Katedra të ishte pjesë e Departamentit të Gjuhëve Bashkëkohore, gjë që më duket një zgjedhje me vend, përderisa ky është departamenti edhe i programeve të gjuhëve dhe kulturave të tjera, si ai italian, gjerman, francez, japonez, kinez etj. Meqenëse më pëlqen të bëj gjëra të vështira dhe duke parë që Universiteti DePaul është një institucion shumë i rëndësishëm në qytetin e Chicagos dhe në Amerikë, aplikova dhe pata nderin të zgjidhesha nga DePaul si Drejtor i Katedrës qe mban emrin e bamiresit tone Hidai “Eddie” Bregu. Kjo është pak a shumë historia e themelimit apo e inaugurimit të Katedrës. Per mua eshte nder te jem drejtori i Programit te pare te Studimeve Shqiptare ne historine e Universiteteve amerikane dhe te permbush amanetin e Hidai “Eddie” Bregut.
2. Si është zhvilluar Programi i Studimeve Shqiptare në DePaul gjatë viteve të fundit, etapat dhe arritjet kryesore?
Kur arrita në Universitetin DePaul, duhej të krijoja gjithçka nga fillimi pasi nuk ekzistonte asnjë pikë reference në arsimin e lartë në SHBA. Ka pasur disa raste të mësimdhënies së gjuhës shqipe, për një kohë të kufizuar, në disa institucione akademike amerikane, por asnjëherë nuk ka pasur një Program të Studimeve Shqiptare, që do të thotë nje program i plote kurrikular i cili perfshin shume disiplina; nga gjuha, kultura, historia, letersia dhe deri te filozofia dhe antropologjia: qe do te thote nje Program Program qe nuk do te jete i perkohshem por i vazhdueshem dhe me perspektive.
Gjëja e parë që bëra sapo arrita në DePaul ishte të informohesha për ecurinë e programeve të tjera në departamentin tonë. Kjo më ndihmoi të kuptoja kuadrin akademik ku ndodhesha, mundësitë dhe sfidat me të cilat kishin të bënin programet e tjera. Universitetet janë organizma komplekse dhe një program akademik duhet në radhë të parë të ketë studentë në klasat që ofron, sepse përndryshe thjesht dështon. Mund të kesh idetë më gjeniale per kurse universitare, por nëse nuk regjistrohen studentë, idetë mbeten thjesht në letër dhe klasat mbeten bosh.
Prandaj dinamikat demografike, gjithashtu, brenda një universiteti, si ai amerikan, duhen studiuar me vëmendje. Diçka që më ndihmoi në muajt e parë ishte njohja ne DePaul me studentë me origjinë shqiptare. Isha shume i interesuar te kuptoja kendveshtrimin e tyre – si te rinj amerikane me prejardhje shqiptare qe kane lindur dhe jane rritur ne Amerike – te kuptoja cilat aspekte te kultures dhe historise sone do te kishin me shume interes per ta. Diskutimet që pata dhe vazhdoj te kem me studente amerikane me trashegimi shqiptare ishin dhe jane të vyera. Dicka tjeter qe vleresoj po ashtu, ishin bisedat me profesorë, të paktë (është e vërtetë) në DePaul, te cilet kane ekspertizë ne lidhje me Ballkanin apo Mesdheun.
Të njohësh realitetin akademik ku ndodhesh është gje e domosdoshme per te ndertuar diçka që mund të ketë perspektivë në të ardhmen. E them këtë sepse Studimet Shqiptare, në kuadrin akademik të huaj, sidomos ne Amerike, kanë qenë të margjinalizuara, dhe madje për një kohë shumë të gjatë.
Ekzistojnë shumë arsye përse kjo ka ndodhur dhe sigurisht qe dicka e tille lidhet edhe me situatën politike në të cilën janë gjendur shqiptarët në shekullin e 20-të, sidomos me faktin qe Shqiperia ishte e izoluar per nje gjysem shekulli nen nje regjim paranojak dhe totalitar. Besoj gjithashtu se një nga arsyet kryesore e ka artikuluar shume mire Sir Noel Malkolm, historiani i shquar britanik qe ka dhene nje kontribut te jashtezakonshem per zhvillimin e Studimeve Shqiptare, i cili thotë se ka një keqkuptim të madh për sa i përket mënyrës se si shihen ato jo vetëm nga të huajt, por edhe nga vetë shqiptarët. Gabimisht, thotë Sir Noel Malkolm, është krijuar një perceptim se Studimet Shqiptare apo historia e Shqipërisë janë diçka “e izoluar”, pa lidhje me historinë rajonale, europiane apo botërore. Por e kundërta është e vërtetë: historia dhe kultura shqiptare janë shumë ekstroverte, është një kulturë dhe histori që rrezaton në çdo drejtim, drejt Perëndimit dhe Lindjes; është një histori e mbruajtur ngaherë në udhëkryqet e mëdha të historisë rajonale dhe globale.
Duke u nisur nga ky perceptim, nisa të strukturoj një program kurrikular që do t’i lidhte Studimet Shqiptare me rajonin më të gjerë të Europës Juglindore dhe Mesdheut. Kjo do të na jepte mundësinë t’i drejtoheshim një publiku të gjerë studentesh që ka interes te mesoje për atë pjesë të botës dhe të Europës ku ne shqiptarët jemi një nga popujt më të lashtë. Në këtë mënyrë, gjithashtu, Studimet Shqiptare marrin nje rol protagonist ne kuadrin akademik amerikan për studimin e Europës Juglindore dhe të Mesdheut, me të cilat na lidhin ngushtë historia, kultura dhe gjeografia.
Nga ana pedagogjike besoj se ne te ardhmen shkencat humane, sidomos ne kete periudhe tranzicioni te universiteteve, do priren gjithmone e me shume ndaj mesimdhenies nderdisiplinare, pra kombinimit te disa disiplinave akademike. Prandaj edhe Programi yne ka nje karakter te forte ndersiplinor dhe kjo duket edhe ne bashkepunimet qe kemi me Programet dhe Departamentetet e tjera ne DePaul.
Ne sot u ofrojmë studentëve të Universitetit DePaul Certifikatën për Studimet Shqiptare dhe të Europës Juglindore. Kurset tona strukturohen dhe do të vazhdojnë të strukturohen në mënyrë të tillë që të reflektojnë titullin e Programit kurrikular, duke iu drejtuar një audience të gjerë akademike. Për të marre Certifikatën, duhen plotësuar 4 kurse me katër kredite secila. Në të njëjtën kohë, sic thashe me siper, bashkëpunimi me departamente dhe programe të tjera është thelbësor për Programin tonë. Tashmë ne bashkëpunojmë ngushtë me Programin e Italishtes, me Departamentin e Historise, me Departametin e Anglishtes, me ate te Shkencave Politike dhe me Programin e Studimeve Islamike brenda Universitetit DePaul. Këto bashkëpunime janë të domosdoshme per te forcuar profilin tonë ndersiplinor në Universitet, por edhe që të arrijmë një audiencë sa më te gjerë studentësh.
Në të njëjtën kohë, këtu e shtate vite kemi institucionalizuar serinë e ligjëratave Hidai “Eddie” Bregu për Studimet Shqiptare, të cilat u drejtohen studentëve dhe komunitetit të DePaul, por që janë ngaherë të hapura për publikun. Qëllimi ynë me ane te serise se Ligjeratave, ku here pas here ftojme edhe personalitete shqiptare te fushave te ndryshme, është të krijojme nje forum idesh qe te nxisim mendimin dhe debatin krijues për Shqipërinë, shqiptarët dhe Europën Juglindore. Çdo vit ofrojmë gjithashtu bursën e studimeve Hidai “Eddie” Bregu, per te mbeshtetur ne menyre sistematike studentët e Programit tonë. Sigurisht që jemi ende një Program i ri dhe aspirojme qe te rritemi edhe me shume në të ardhmen.
3. Cilat janë të dhënat dhe treguesit më pozitivë që ka pasur programi gjatë viteve të fundit lidhur me rritjen e numrit të studentëve, interesin për kurset dhe pjesëmarrjen në aktivitetet akademike?
Gjëja më kryesore është fakti që amaneti i Hidai “Eddie” Bregut për të krijuar Programin e parë të Studimeve Shqiptare në akademinë amerikane është përmbushur: Programi jo vetëm është krijuar, por tashmë ka premisat të zhvillohet dhe të rritet. Kurset tona frekuentohen nga studentë të të gjitha origjinave, shumë prej të cilëve zgjedhin të marrin Certifikatën ne Studimet Shqiptare dhe të Europës Juglindore.
4. A ka interes nga studentët amerikanë dhe ndërkombëtarë që nuk kanë origjinë shqiptare për të studiuar gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare? Po nga studentët me origjinë shqiptare nga Shqipëria, Kosova dhe trojet e tjera shqiptare?
Shumica e studentëve në klasat tona janë studentë amerikanë. Shpesh takoj në klasat tona studentë që kanë origjine nga Europa Juglindore dhe Lindore. Ndërkohë, një pjesë e mire e studentëve që po përfundojnë Programin e Studimeve Shqiptare ose kanë marrë Certifikatën e Studimeve Shqiptare dhe të Europës Juglindore janë me origjinë shqiptare, kryesisht nga Shqipëria dhe Kosova. Gjithashtu, ne u ofrojmë studentëve me origjinë shqiptare në DePaul, atyre që në anglisht quhen ‘heritage speakers’, përvojën e rrallë të flasin dhe të praktikojnë shqipen në nivel akademik, me anë të kurseve tona FLAC (Foreign Language Across Curriculum), ku behet diskutim i thelluar ne gjuhën shqipe i tematikave te caktuara per Shqipërinë dhe shqiptarët, si per shembull: “Identiteti bashkëkohor shqiptar”; “Shqipëria me sytë e udhëtarëve perëndimorë në shekujt e 19-të dhe të 20-të”; “Historia e letërsisë shqipe”, “Historia e emigracionit shqiptar në Amerike” etj. Sidoqofte, tre vitet e fundit kemi parë që është shtuar interesi i studentëve që nuk kanë origjinë shqiptare për kurset tona dhe Certifikatën.
Madje, dy prej tyre, amerikane qe nuk kane asnje lidhje me trashegimie me shqiperine apo Ballkanin, kanë aplikuar për të shkuar në Shqipëri me bursë Fulbright, pasi kanë marrë kurset për mësimin e gjuhës shqipe. Ky mund të jetë një hap i vogël për Universitetin DePaul, por një hap i madh për Programin tonë.
5. Sa e rëndësishme është që Studimet Shqiptare të shihen jo vetëm si një çështje e diasporës, por si një fushë serioze akademike brenda universiteteve amerikane?
Siç e thashë më parë, Studimet Shqiptare kanë “vuajtur” nga një margjinalizim i gjatë. Kjo nuk mund të anashkalohet. Sigurisht që një Program i vetëm, me resurse deri diku të percaktuara si ky i yni, sado krijues dhe i suksesshem qe te jete, nuk mund të sjellë befas transformimin e Studimeve Shqiptare në një disiplinë akademike qendrore brenda universiteteve amerikane; por ne treguam dhe do të vazhdojmë të tregojmë që Studimet Shqiptare brenda akademisë amerikane jo vetëm që mund të ekzistojnë dhe të zhvillohen, por edhe ofrojnë diçka origjinale ose diçka po aq me rëndësi sa edhe programet e tjera, të mëdha apo të vogla. Kjo, besoj, mund të arrihet vetëm me një përqasje pedagogjike dhe kulturore mendjehapur dhe me ambicie realiste. Fakti që Hidai “Eddie” Bregu besoi atë që shumë të tjerë nuk e kishin besuar apo nuk e kishin menduar, pra që brenda një universiteti amerikan Studimet Shqiptare mund të zënë një vend dinjitoz, tregon për largpamësinë dhe guximin intelektual që ky personalitet i jashtëzakonshëm kishte. Besoj se këto virtyte, sic jane puna sistematike, largpamësia dhe guximi intelektual janë gjithashtu virtyte pedagogjike që mund t’i ndihmojnë Studimet Shqiptare të tregojnë vlerën e tyre në një kontekst akademik të huaj, sidomos në botën e sotme të një tranzicioni dramatik teknologjik, kulturor dhe gjeopolitik.
6. Si e shihni të ardhmen e Programit të Studimeve Shqiptare në DePaul? A ka plane për zgjerimin e kurseve, kërkimeve shkencore, bursave dhe bashkëpunimeve me universitete e institucione në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë?
Studimet Shqiptare në DePaul do të vazhdojnë të rriten. Unë besoj te hapat e vegjël, por solidë. Gjërat e rëndësishme dhe qe kane jetegjatesi ndërtohen ngaherë kështu. Resurset tona janë deri diku të kufizuara për të dhënat amerikane, por sigurisht çdo vit mësojmë më shumë dhe rritemi nga pak. Kurset që do të ofrojmë do të rriten në numër dhe qëllimi është që të rriten edhe në cilësi, sepse çdo vit akademik që kalon, mësojmë diçka më shumë. Sigurisht që ne bashkëpunojmë me universitete dhe institucione të tjera në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë, sidomos nëpërmjet ligjëratave Hidai “Eddie” Bregu, ku ftojmë personalitete akademike shqiptare nga fusha të ndryshme te cileve u japim mundesine te bashkebisedojne dhe te bashkeveprojne me studentet e programit tone dhe publikun këtu në DePaul, ashtu sic bashkepunojme edhe me akademike shqiptaro-amerikane dhe organizata shqiptaro-amerikane ne Amerike.
Besoj, sidoqoftë, ne menyre që Programi ynë dhe çdo program brenda një instituti akademik te rritet me tej, duhen studiuar mirë dinamikat brenda një universiteti, publiku studentor të cilit i drejtohesh, nevojat pedagogjike dhe kulturore që e bëjnë një program të vlefshëm për shumë vite, dhe jo thjesht nje fishekzjarr që hidhet dhe shuhet pas nje kohe te shkurter. Ëndrra ime, për shembull, do të ishte që një ditë të kishim mundësinë të krijonim një Qendër të Studimeve Shqiptare në DePaul, e cila do të na jepte mundësinë të luanim një rol të rëndësishëm jo vetëm në mësimdhënie dhe ligjërime publike, por edhe në kërkime shkencore.
Një Qendër e Studimeve Shqiptare do të na jepte mundësinë të ftonim në DePaul akademikë te cilet bëjnë punë serioze me Studimet Shqiptare, që të zhvillonin hulumtimet e tyre shkencore ne univertitetin tone. Sigurisht, qe per t’a realizuar kete, do të duhej një tjetër Hidai “Eddie” Bregu, i cili do te kishte largpamësinë dhe guximin e tij intelektual, per te dhene ndihmën e duhur financiare që do duhej për një sipërmarrje të tillë.
7. Cili është mesazhi juaj për studentët shqiptaro-amerikanë? Pse duhet të regjistrohen në Programin e Studimeve Shqiptare në DePaul?
Para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, dua të përmend një takim që më ka lene mbresa. Para pak kohësh pata fatin të takoja Profesor Doktor Nicholas Pano, një nga personalitetet akademike më të shquara të komunitetit shqiptar ne Amerike, dhe te bisedoja gjate me te. Dr.Pano nder te tjera më tha se për të, kishte qenë ëndërr krijimi i Studimeve Shqiptare në një universitet amerikan. Si shenjë e besimit dhe respektit të tij për Programin, na dhuroi bibliotekën e tij personale. Më preku dhe më emocionoi shumë ky gjest kaq bujar. Me Dr. Pano biseduam gjatë edhe për vlerën e studimeve shqiptare në kontekstin e universitetit amerikan, përderisa Dr. Pano ka një njohje të jashtëzakonshme të Studimeve Shqiptare, por edhe të atyre të Europës Juglindore dhe Lindore. Nga biseda me të kuptova edhe njëherë që Programi ynë ofron diçka të veçantë në DePaul:
kulturën, historinë, gjuhën e një populli të vogël dhe te lashte që ka jetuar dhe krijuar perhere në udhëkryqet e mëdha të historisë; një popull dhe kulturë që, po ta hulumtosh me mendje dhe sy të hapur, zbulon lidhje, shpesh mahnitëse, me Perëndimin dhe Lindjen; një popull dhe kulturë gjurmët e së cilës mund t’i gjesh dhe t’i studiosh nga Tirana në Buenos Aires, nga Athina në Kajro, nga Roma në Stamboll, nga Prishtina në Chicago dhe New York. Ne përfaqesojme një kulturë që gjithmone e ka vezhguar historinë botërore nga udhëkryqet, dhe historia e botës mund të kuptohet më mirë dhe më qartë kur vëzhgohet nga skajet dhe udhëkryqet. Nëse këtë ndjenjë dhe kendveshtrim e strukturon edhe në një kurrikulum bashkëkohor që mund t’u flasë, pervecse studenteve me origjine shqiptare, edhe atyre amerikanë, atëherë ke arritur që t’u japësh Studimeve Shqiptare nje vend dinjitoz brenda akademisë amerikane.
Kush është Dr. Gazmend Kapllani?
Gazmend Kapllani është shkrimtar, studiues dhe gazetar shqiptar me reputacion ndërkombëtar. Ai ka lindur në qytetin e Lushnjës në vitin 1967. Ka kaluar kufirin me Greqinë në janar të vitit 1991, pasi u vu në shënjestër nga sigurimi komunist i kohës, pas një proteste të madhe anti-regjim në qytetin e lindjes. Jetoi në Athinë për më shumë se dy dekada (1991–2012), ku studioi filozofi në Universitetin Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës dhe me vone mori doktoraturën në shkenca politike dhe histori në Universitetin Panteion te Athines. Në të njëjtin universitet, Dr. Kapllani ka dhënë mësim dhe ka organizuar seminare në nivelin master për historinë shqiptare dhe atë të Ballkanit (2008–2011). Gjithashtu, per 13 vite, ka punuar si gazetar i gazetës më të madhe greke, “TA NEA”, dhe njihet si një nga zërat më kritike në mbrojtje të të drejtave të komunitetit shqiptar në Greqi, të emigrantëve dhe të të drejtave të njeriut. Ne te njejten kohe Dr. Kapllani u be i njohur në shtypin shqiptar me anë të rubrikave të tij të përjavshme në gazetat “Shekulli” dhe “Standard”.
Ai është autor i gjashte librave: dy me poezi te shkruar në shqip dhe i katër romaneve të shkruara në greqisht dhe në shqip, si dhe i shumë eseve studimore dhe artikujve akademike. Vepra e tij letrare, dhe akademike përqendrohet te totalitarizmi, kufijte, emigracioni, identiteti dhe mënyra se si historia ballkanike ka formësuar rrëfimet dhe kujtesën individuale dhe kolektive. Romanet e tij janë përfshirë në programet mësimore të universiteteve të njohura në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, dhe kanë qenë dhe jane objekt i shumë artikujve akademike dhe studimeve shkencore. Po ashtu, romanet e tij jane pershtatur per shfaqje teatrale në Greqi, Shqipëri, Danimarkë dhe Francë.
Romani i parë i Kapllanit, “Ditar i shkurtër kufijsh” (2006), është një bestseller ndërkombëtar dhe është përkthyer në me shume se dhjetë gjuhë. Romani u përshtat për skenë nga Teatri Bornholm në Danimarkë dhe nga Teatri Kombëtar në Greqi, dhe në vitin 2017 mori Çmimin Ndërkombëtar Letrar të Qytetit të Cassinos në Itali.
Romanet e tjera të tij, “Emri im është Evropë”, “Faqja e fundit” dhe “I keqi i vetes” (“Wrongland”), janë botuar në frëngjisht, italisht, shqip, greqisht dhe anglisht. “Faqja e fundit” u përfshi në listën e çmimit prestigjioz francez Prix Cezam Littéraire Inter CE 2016 dhe fitoi çmimin letrar të ‘Salon du Livre des Balkans’ në Paris.
Botimi anglisht i romanit “I keqi i vetes” ishte finalist për Medaljen Montaigne të Çmimit Eric Hoffer 2025 në SHBA, i cili u jepet librave që nxisin dhe cojne perpara mendimin filozofik. Romani u përshtat për skenë nga regjisori i njohur grek Pantelis Flatsousis dhe u shfaq në Athinë në vitin 2022. Gazmend Kapllani po shkruan librin e tij të ri në anglisht, gjuha e tij e katërt letrare, pas shqipes, greqishtes dhe italishtes (pjesë të romanit të tij të të botuar këtë vit në Itali, “Emri im është Evropë”, janë shkruar drejtpërsëdrejti në italisht).
Që prej vitit 2012, Dr. Kapllani jeton dhe jep mësim në Shtetet e Bashkuara te Amerikes. Ai ka qenë shkrimtar rezident (fellow) në Institutin Radcliffe për Studime të Avancuara ne Universitetin e Harvardit, si dhe shkrimtar rezident në Universitetin Brown dhe në Kolegjin Wellesley.
Dr. kapllani dha mësim shkrimin krijues dhe historinë evropiane në Kolegjin Emerson në Boston, Massachusetts (2013–2018) dhe prej vitit 2019 është Drejtor i katedrës Hidai “Eddie” Bregu për Studimet Shqiptare në Universitetin DePaul ne Chicago. Programi i Studimeve Shqiptare në DePaul, i pari i këtij lloji në akademinë amerikane, u themelua nën udhëheqjen e tij si një kurrikulë dinamike dhe ndërdisiplinore ku, nder te tjera, studiohet kultura, gjuha, politika dhe historia shqiptare si pjese e rajonit më të gjerë të Evropës Juglindore dhe Lindore, një rajon që historikisht ka qenë udhëkryq kulturash, gjuhësh dhe fesh.
Fotot:
1. Dr. Gazmend Kapllani.
2. Kurset e Studimeve Shqiptare ne DePaul.
3. Me Dr. Nicholas Pano në shtëpinë e tij në Macomb, IL.
4. Event: Revolucioni i Dashurise se Nene Terezes, me Dr. Ines Angeli Murzaku.
5. Fotografi e Hidai “Eddie” Bregut.
6. Studente te Studimeve Shqiptare ne Universitetin DePaul bashke me te afermit e tyre ne ceremonine fundvitit shkollor 2025-2026 diplomuar me Certifikaten e Studimeve Shqiptare dhe te Europes se Juglindore.
7. Event/Ligjerate e Kryeministrit te Kosoves Albin Kurti ne Programin e Studimeve Shqiptare Hidai “Eddie” Bregu.