• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Programi i Studimeve Shqiptare në Universitetin “DePaul” në Chicago, një investim akademik në kujtesën, gjuhën dhe identitetin Shqiptar

October 5, 2026 by s p

Dr. Gazmend Kapllani, drejtori i programit të parë të Studimeve Shqiptare në historinë e universiteteve amerikane: “Programi ynë në DePaul ofron: kulturën, historinë, gjuhën e një populli të vogël dhe te lashte që ka jetuar dhe krijuar perhere në udhëkryqet e mëdha të historisë; një popull dhe kulturë që, po ta hulumtosh me mendje dhe sy të hapur, zbulon lidhje, shpesh mahnitëse, me Perëndimin dhe Lindjen”.

Intervistoi: Sokol Paja

1. Cila është historia e themelimit të Programit të Studimeve Shqiptare në DePaul University?

Historia e Programit është në radhë të parë historia e Hidai “Eddie” Bregut, një shqiptari të kultivuar, i cili u largua shume i ri nga Shqipëria para se të mbylleshin hermetikisht kufijtë e Shqiperise, për të studiuar fillimisht në Itali, dhe vazhdoi, mandej, udhëtimin e tij drejt Chicagos. Hidai “Eddie” Bregu ishte një njeri i ditur, mendjehapur, patriot i mençur dhe largpamës. Për mendimin tim dhe të shumë prej atyre që e kanë njohur nga afër (unë nuk e kam pasur këtë fat), është një nga personalitetet më të rëndësishme të komunitetit tonë në Amerikë. Hidai “Eddie” Bregu ishte i pari mes shqiptarëve të Amerikës që pati vizionin e krijimit të Programit të Studimeve Shqiptare në një universitet amerikan dhe i kushtoi këtij vizioni një pjesë të rëndësishme të pasurisë që kishte grumbulluar me punë të palodhur në Amerikë. Ai mbahet mend edhe sot për humanizmin dhe patriotizmin e tij dhe për mbështetjen sistematike financiare të komunitetit. Mbehet mend gjithashtu per faktin qe besonte tek forca emancipuese e arsimit dhe dijes. Ajo që kam kuptuar është se Hidai “Eddie” Bregu e bënte gjithçka me modesti dhe pa zhurmë, ashtu sic bëjnë zakonisht njerëzit e mëdhenj dhe të rrallë që kalojnë nga kjo botë. Pra, është shqiptari i parë që ka pasur largpamësinë të bëjë diçka të tillë dhe mbi të gjitha të besojë se një Program i Studimeve Shqiptare mund të zhvillohet në ambientin aq konkurrues të universiteteve amerikane, dhe ne nje vend si Amerika qe nga ana akademike dhe politike eshte ende ajo qe mund te themi qendra e botes. Unë jetoja në Boston dhe jepja mësim shkrimin krijues dhe historine e Europes në Emerson College kur lexova në një gazetë akademike amerikane se Universiteti DePaul kishte shpallur konkurs për Drejtorin e Katedrës se pare të Studimeve Shqiptare ne historine e universiteteve amerikane.

Me pak fjalë, kërkonin dikë që të merrte përsipër krijimin e Programit të Studimeve Shqiptare nga zero, meqenese një program i tillë nuk kishte ekzistuar më parë në universitetet amerikane. Universiteti DePaul kishte vendosur që Katedra të ishte pjesë e Departamentit të Gjuhëve Bashkëkohore, gjë që më duket një zgjedhje me vend, përderisa ky është departamenti edhe i programeve të gjuhëve dhe kulturave të tjera, si ai italian, gjerman, francez, japonez, kinez etj. Meqenëse më pëlqen të bëj gjëra të vështira dhe duke parë që Universiteti DePaul është një institucion shumë i rëndësishëm në qytetin e Chicagos dhe në Amerikë, aplikova dhe pata nderin të zgjidhesha nga DePaul si Drejtor i Katedrës qe mban emrin e bamiresit tone Hidai “Eddie” Bregu. Kjo është pak a shumë historia e themelimit apo e inaugurimit të Katedrës. Per mua eshte nder te jem drejtori i Programit te pare te Studimeve Shqiptare ne historine e Universiteteve amerikane dhe te permbush amanetin e Hidai “Eddie” Bregut.

2. Si është zhvilluar Programi i Studimeve Shqiptare në DePaul gjatë viteve të fundit, etapat dhe arritjet kryesore?

Kur arrita në Universitetin DePaul, duhej të krijoja gjithçka nga fillimi pasi nuk ekzistonte asnjë pikë reference në arsimin e lartë në SHBA. Ka pasur disa raste të mësimdhënies së gjuhës shqipe, për një kohë të kufizuar, në disa institucione akademike amerikane, por asnjëherë nuk ka pasur një Program të Studimeve Shqiptare, që do të thotë nje program i plote kurrikular i cili perfshin shume disiplina; nga gjuha, kultura, historia, letersia dhe deri te filozofia dhe antropologjia: qe do te thote nje Program Program qe nuk do te jete i perkohshem por i vazhdueshem dhe me perspektive.
Gjëja e parë që bëra sapo arrita në DePaul ishte të informohesha për ecurinë e programeve të tjera në departamentin tonë. Kjo më ndihmoi të kuptoja kuadrin akademik ku ndodhesha, mundësitë dhe sfidat me të cilat kishin të bënin programet e tjera. Universitetet janë organizma komplekse dhe një program akademik duhet në radhë të parë të ketë studentë në klasat që ofron, sepse përndryshe thjesht dështon. Mund të kesh idetë më gjeniale per kurse universitare, por nëse nuk regjistrohen studentë, idetë mbeten thjesht në letër dhe klasat mbeten bosh.

Prandaj dinamikat demografike, gjithashtu, brenda një universiteti, si ai amerikan, duhen studiuar me vëmendje. Diçka që më ndihmoi në muajt e parë ishte njohja ne DePaul me studentë me origjinë shqiptare. Isha shume i interesuar te kuptoja kendveshtrimin e tyre – si te rinj amerikane me prejardhje shqiptare qe kane lindur dhe jane rritur ne Amerike – te kuptoja cilat aspekte te kultures dhe historise sone do te kishin me shume interes per ta. Diskutimet që pata dhe vazhdoj te kem me studente amerikane me trashegimi shqiptare ishin dhe jane të vyera. Dicka tjeter qe vleresoj po ashtu, ishin bisedat me profesorë, të paktë (është e vërtetë) në DePaul, te cilet kane ekspertizë ne lidhje me Ballkanin apo Mesdheun.
Të njohësh realitetin akademik ku ndodhesh është gje e domosdoshme per te ndertuar diçka që mund të ketë perspektivë në të ardhmen. E them këtë sepse Studimet Shqiptare, në kuadrin akademik të huaj, sidomos ne Amerike, kanë qenë të margjinalizuara, dhe madje për një kohë shumë të gjatë.

Ekzistojnë shumë arsye përse kjo ka ndodhur dhe sigurisht qe dicka e tille lidhet edhe me situatën politike në të cilën janë gjendur shqiptarët në shekullin e 20-të, sidomos me faktin qe Shqiperia ishte e izoluar per nje gjysem shekulli nen nje regjim paranojak dhe totalitar. Besoj gjithashtu se një nga arsyet kryesore e ka artikuluar shume mire Sir Noel Malkolm, historiani i shquar britanik qe ka dhene nje kontribut te jashtezakonshem per zhvillimin e Studimeve Shqiptare, i cili thotë se ka një keqkuptim të madh për sa i përket mënyrës se si shihen ato jo vetëm nga të huajt, por edhe nga vetë shqiptarët. Gabimisht, thotë Sir Noel Malkolm, është krijuar një perceptim se Studimet Shqiptare apo historia e Shqipërisë janë diçka “e izoluar”, pa lidhje me historinë rajonale, europiane apo botërore. Por e kundërta është e vërtetë: historia dhe kultura shqiptare janë shumë ekstroverte, është një kulturë dhe histori që rrezaton në çdo drejtim, drejt Perëndimit dhe Lindjes; është një histori e mbruajtur ngaherë në udhëkryqet e mëdha të historisë rajonale dhe globale.

Duke u nisur nga ky perceptim, nisa të strukturoj një program kurrikular që do t’i lidhte Studimet Shqiptare me rajonin më të gjerë të Europës Juglindore dhe Mesdheut. Kjo do të na jepte mundësinë t’i drejtoheshim një publiku të gjerë studentesh që ka interes te mesoje për atë pjesë të botës dhe të Europës ku ne shqiptarët jemi një nga popujt më të lashtë. Në këtë mënyrë, gjithashtu, Studimet Shqiptare marrin nje rol protagonist ne kuadrin akademik amerikan për studimin e Europës Juglindore dhe të Mesdheut, me të cilat na lidhin ngushtë historia, kultura dhe gjeografia.

Nga ana pedagogjike besoj se ne te ardhmen shkencat humane, sidomos ne kete periudhe tranzicioni te universiteteve, do priren gjithmone e me shume ndaj mesimdhenies nderdisiplinare, pra kombinimit te disa disiplinave akademike. Prandaj edhe Programi yne ka nje karakter te forte ndersiplinor dhe kjo duket edhe ne bashkepunimet qe kemi me Programet dhe Departamentetet e tjera ne DePaul.

Ne sot u ofrojmë studentëve të Universitetit DePaul Certifikatën për Studimet Shqiptare dhe të Europës Juglindore. Kurset tona strukturohen dhe do të vazhdojnë të strukturohen në mënyrë të tillë që të reflektojnë titullin e Programit kurrikular, duke iu drejtuar një audience të gjerë akademike. Për të marre Certifikatën, duhen plotësuar 4 kurse me katër kredite secila. Në të njëjtën kohë, sic thashe me siper, bashkëpunimi me departamente dhe programe të tjera është thelbësor për Programin tonë. Tashmë ne bashkëpunojmë ngushtë me Programin e Italishtes, me Departamentin e Historise, me Departametin e Anglishtes, me ate te Shkencave Politike dhe me Programin e Studimeve Islamike brenda Universitetit DePaul. Këto bashkëpunime janë të domosdoshme per te forcuar profilin tonë ndersiplinor në Universitet, por edhe që të arrijmë një audiencë sa më te gjerë studentësh.

Në të njëjtën kohë, këtu e shtate vite kemi institucionalizuar serinë e ligjëratave Hidai “Eddie” Bregu për Studimet Shqiptare, të cilat u drejtohen studentëve dhe komunitetit të DePaul, por që janë ngaherë të hapura për publikun. Qëllimi ynë me ane te serise se Ligjeratave, ku here pas here ftojme edhe personalitete shqiptare te fushave te ndryshme, është të krijojme nje forum idesh qe te nxisim mendimin dhe debatin krijues për Shqipërinë, shqiptarët dhe Europën Juglindore. Çdo vit ofrojmë gjithashtu bursën e studimeve Hidai “Eddie” Bregu, per te mbeshtetur ne menyre sistematike studentët e Programit tonë. Sigurisht që jemi ende një Program i ri dhe aspirojme qe te rritemi edhe me shume në të ardhmen.

3. Cilat janë të dhënat dhe treguesit më pozitivë që ka pasur programi gjatë viteve të fundit lidhur me rritjen e numrit të studentëve, interesin për kurset dhe pjesëmarrjen në aktivitetet akademike?

Gjëja më kryesore është fakti që amaneti i Hidai “Eddie” Bregut për të krijuar Programin e parë të Studimeve Shqiptare në akademinë amerikane është përmbushur: Programi jo vetëm është krijuar, por tashmë ka premisat të zhvillohet dhe të rritet. Kurset tona frekuentohen nga studentë të të gjitha origjinave, shumë prej të cilëve zgjedhin të marrin Certifikatën ne Studimet Shqiptare dhe të Europës Juglindore.

4. A ka interes nga studentët amerikanë dhe ndërkombëtarë që nuk kanë origjinë shqiptare për të studiuar gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare? Po nga studentët me origjinë shqiptare nga Shqipëria, Kosova dhe trojet e tjera shqiptare?

Shumica e studentëve në klasat tona janë studentë amerikanë. Shpesh takoj në klasat tona studentë që kanë origjine nga Europa Juglindore dhe Lindore. Ndërkohë, një pjesë e mire e studentëve që po përfundojnë Programin e Studimeve Shqiptare ose kanë marrë Certifikatën e Studimeve Shqiptare dhe të Europës Juglindore janë me origjinë shqiptare, kryesisht nga Shqipëria dhe Kosova. Gjithashtu, ne u ofrojmë studentëve me origjinë shqiptare në DePaul, atyre që në anglisht quhen ‘heritage speakers’, përvojën e rrallë të flasin dhe të praktikojnë shqipen në nivel akademik, me anë të kurseve tona FLAC (Foreign Language Across Curriculum), ku behet diskutim i thelluar ne gjuhën shqipe i tematikave te caktuara per Shqipërinë dhe shqiptarët, si per shembull: “Identiteti bashkëkohor shqiptar”; “Shqipëria me sytë e udhëtarëve perëndimorë në shekujt e 19-të dhe të 20-të”; “Historia e letërsisë shqipe”, “Historia e emigracionit shqiptar në Amerike” etj. Sidoqofte, tre vitet e fundit kemi parë që është shtuar interesi i studentëve që nuk kanë origjinë shqiptare për kurset tona dhe Certifikatën.

Madje, dy prej tyre, amerikane qe nuk kane asnje lidhje me trashegimie me shqiperine apo Ballkanin, kanë aplikuar për të shkuar në Shqipëri me bursë Fulbright, pasi kanë marrë kurset për mësimin e gjuhës shqipe. Ky mund të jetë një hap i vogël për Universitetin DePaul, por një hap i madh për Programin tonë.

5. Sa e rëndësishme është që Studimet Shqiptare të shihen jo vetëm si një çështje e diasporës, por si një fushë serioze akademike brenda universiteteve amerikane?

Siç e thashë më parë, Studimet Shqiptare kanë “vuajtur” nga një margjinalizim i gjatë. Kjo nuk mund të anashkalohet. Sigurisht që një Program i vetëm, me resurse deri diku të percaktuara si ky i yni, sado krijues dhe i suksesshem qe te jete, nuk mund të sjellë befas transformimin e Studimeve Shqiptare në një disiplinë akademike qendrore brenda universiteteve amerikane; por ne treguam dhe do të vazhdojmë të tregojmë që Studimet Shqiptare brenda akademisë amerikane jo vetëm që mund të ekzistojnë dhe të zhvillohen, por edhe ofrojnë diçka origjinale ose diçka po aq me rëndësi sa edhe programet e tjera, të mëdha apo të vogla. Kjo, besoj, mund të arrihet vetëm me një përqasje pedagogjike dhe kulturore mendjehapur dhe me ambicie realiste. Fakti që Hidai “Eddie” Bregu besoi atë që shumë të tjerë nuk e kishin besuar apo nuk e kishin menduar, pra që brenda një universiteti amerikan Studimet Shqiptare mund të zënë një vend dinjitoz, tregon për largpamësinë dhe guximin intelektual që ky personalitet i jashtëzakonshëm kishte. Besoj se këto virtyte, sic jane puna sistematike, largpamësia dhe guximi intelektual janë gjithashtu virtyte pedagogjike që mund t’i ndihmojnë Studimet Shqiptare të tregojnë vlerën e tyre në një kontekst akademik të huaj, sidomos në botën e sotme të një tranzicioni dramatik teknologjik, kulturor dhe gjeopolitik.

6. Si e shihni të ardhmen e Programit të Studimeve Shqiptare në DePaul? A ka plane për zgjerimin e kurseve, kërkimeve shkencore, bursave dhe bashkëpunimeve me universitete e institucione në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë?

Studimet Shqiptare në DePaul do të vazhdojnë të rriten. Unë besoj te hapat e vegjël, por solidë. Gjërat e rëndësishme dhe qe kane jetegjatesi ndërtohen ngaherë kështu. Resurset tona janë deri diku të kufizuara për të dhënat amerikane, por sigurisht çdo vit mësojmë më shumë dhe rritemi nga pak. Kurset që do të ofrojmë do të rriten në numër dhe qëllimi është që të rriten edhe në cilësi, sepse çdo vit akademik që kalon, mësojmë diçka më shumë. Sigurisht që ne bashkëpunojmë me universitete dhe institucione të tjera në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë, sidomos nëpërmjet ligjëratave Hidai “Eddie” Bregu, ku ftojmë personalitete akademike shqiptare nga fusha të ndryshme te cileve u japim mundesine te bashkebisedojne dhe te bashkeveprojne me studentet e programit tone dhe publikun këtu në DePaul, ashtu sic bashkepunojme edhe me akademike shqiptaro-amerikane dhe organizata shqiptaro-amerikane ne Amerike.

Besoj, sidoqoftë, ne menyre që Programi ynë dhe çdo program brenda një instituti akademik te rritet me tej, duhen studiuar mirë dinamikat brenda një universiteti, publiku studentor të cilit i drejtohesh, nevojat pedagogjike dhe kulturore që e bëjnë një program të vlefshëm për shumë vite, dhe jo thjesht nje fishekzjarr që hidhet dhe shuhet pas nje kohe te shkurter. Ëndrra ime, për shembull, do të ishte që një ditë të kishim mundësinë të krijonim një Qendër të Studimeve Shqiptare në DePaul, e cila do të na jepte mundësinë të luanim një rol të rëndësishëm jo vetëm në mësimdhënie dhe ligjërime publike, por edhe në kërkime shkencore.

Një Qendër e Studimeve Shqiptare do të na jepte mundësinë të ftonim në DePaul akademikë te cilet bëjnë punë serioze me Studimet Shqiptare, që të zhvillonin hulumtimet e tyre shkencore ne univertitetin tone. Sigurisht, qe per t’a realizuar kete, do të duhej një tjetër Hidai “Eddie” Bregu, i cili do te kishte largpamësinë dhe guximin e tij intelektual, per te dhene ndihmën e duhur financiare që do duhej për një sipërmarrje të tillë.

7. Cili është mesazhi juaj për studentët shqiptaro-amerikanë? Pse duhet të regjistrohen në Programin e Studimeve Shqiptare në DePaul?

Para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, dua të përmend një takim që më ka lene mbresa. Para pak kohësh pata fatin të takoja Profesor Doktor Nicholas Pano, një nga personalitetet akademike më të shquara të komunitetit shqiptar ne Amerike, dhe te bisedoja gjate me te. Dr.Pano nder te tjera më tha se për të, kishte qenë ëndërr krijimi i Studimeve Shqiptare në një universitet amerikan. Si shenjë e besimit dhe respektit të tij për Programin, na dhuroi bibliotekën e tij personale. Më preku dhe më emocionoi shumë ky gjest kaq bujar. Me Dr. Pano biseduam gjatë edhe për vlerën e studimeve shqiptare në kontekstin e universitetit amerikan, përderisa Dr. Pano ka një njohje të jashtëzakonshme të Studimeve Shqiptare, por edhe të atyre të Europës Juglindore dhe Lindore. Nga biseda me të kuptova edhe njëherë që Programi ynë ofron diçka të veçantë në DePaul:

kulturën, historinë, gjuhën e një populli të vogël dhe te lashte që ka jetuar dhe krijuar perhere në udhëkryqet e mëdha të historisë; një popull dhe kulturë që, po ta hulumtosh me mendje dhe sy të hapur, zbulon lidhje, shpesh mahnitëse, me Perëndimin dhe Lindjen; një popull dhe kulturë gjurmët e së cilës mund t’i gjesh dhe t’i studiosh nga Tirana në Buenos Aires, nga Athina në Kajro, nga Roma në Stamboll, nga Prishtina në Chicago dhe New York. Ne përfaqesojme një kulturë që gjithmone e ka vezhguar historinë botërore nga udhëkryqet, dhe historia e botës mund të kuptohet më mirë dhe më qartë kur vëzhgohet nga skajet dhe udhëkryqet. Nëse këtë ndjenjë dhe kendveshtrim e strukturon edhe në një kurrikulum bashkëkohor që mund t’u flasë, pervecse studenteve me origjine shqiptare, edhe atyre amerikanë, atëherë ke arritur që t’u japësh Studimeve Shqiptare nje vend dinjitoz brenda akademisë amerikane.

Kush është Dr. Gazmend Kapllani?

Gazmend Kapllani është shkrimtar, studiues dhe gazetar shqiptar me reputacion ndërkombëtar. Ai ka lindur në qytetin e Lushnjës në vitin 1967. Ka kaluar kufirin me Greqinë në janar të vitit 1991, pasi u vu në shënjestër nga sigurimi komunist i kohës, pas një proteste të madhe anti-regjim në qytetin e lindjes. Jetoi në Athinë për më shumë se dy dekada (1991–2012), ku studioi filozofi në Universitetin Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës dhe me vone mori doktoraturën në shkenca politike dhe histori në Universitetin Panteion te Athines. Në të njëjtin universitet, Dr. Kapllani ka dhënë mësim dhe ka organizuar seminare në nivelin master për historinë shqiptare dhe atë të Ballkanit (2008–2011). Gjithashtu, per 13 vite, ka punuar si gazetar i gazetës më të madhe greke, “TA NEA”, dhe njihet si një nga zërat më kritike në mbrojtje të të drejtave të komunitetit shqiptar në Greqi, të emigrantëve dhe të të drejtave të njeriut. Ne te njejten kohe Dr. Kapllani u be i njohur në shtypin shqiptar me anë të rubrikave të tij të përjavshme në gazetat “Shekulli” dhe “Standard”.

Ai është autor i gjashte librave: dy me poezi te shkruar në shqip dhe i katër romaneve të shkruara në greqisht dhe në shqip, si dhe i shumë eseve studimore dhe artikujve akademike. Vepra e tij letrare, dhe akademike përqendrohet te totalitarizmi, kufijte, emigracioni, identiteti dhe mënyra se si historia ballkanike ka formësuar rrëfimet dhe kujtesën individuale dhe kolektive. Romanet e tij janë përfshirë në programet mësimore të universiteteve të njohura në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, dhe kanë qenë dhe jane objekt i shumë artikujve akademike dhe studimeve shkencore. Po ashtu, romanet e tij jane pershtatur per shfaqje teatrale në Greqi, Shqipëri, Danimarkë dhe Francë.
Romani i parë i Kapllanit, “Ditar i shkurtër kufijsh” (2006), është një bestseller ndërkombëtar dhe është përkthyer në me shume se dhjetë gjuhë. Romani u përshtat për skenë nga Teatri Bornholm në Danimarkë dhe nga Teatri Kombëtar në Greqi, dhe në vitin 2017 mori Çmimin Ndërkombëtar Letrar të Qytetit të Cassinos në Itali.

Romanet e tjera të tij, “Emri im është Evropë”, “Faqja e fundit” dhe “I keqi i vetes” (“Wrongland”), janë botuar në frëngjisht, italisht, shqip, greqisht dhe anglisht. “Faqja e fundit” u përfshi në listën e çmimit prestigjioz francez Prix Cezam Littéraire Inter CE 2016 dhe fitoi çmimin letrar të ‘Salon du Livre des Balkans’ në Paris.
Botimi anglisht i romanit “I keqi i vetes” ishte finalist për Medaljen Montaigne të Çmimit Eric Hoffer 2025 në SHBA, i cili u jepet librave që nxisin dhe cojne perpara mendimin filozofik. Romani u përshtat për skenë nga regjisori i njohur grek Pantelis Flatsousis dhe u shfaq në Athinë në vitin 2022. Gazmend Kapllani po shkruan librin e tij të ri në anglisht, gjuha e tij e katërt letrare, pas shqipes, greqishtes dhe italishtes (pjesë të romanit të tij të të botuar këtë vit në Itali, “Emri im është Evropë”, janë shkruar drejtpërsëdrejti në italisht).
Që prej vitit 2012, Dr. Kapllani jeton dhe jep mësim në Shtetet e Bashkuara te Amerikes. Ai ka qenë shkrimtar rezident (fellow) në Institutin Radcliffe për Studime të Avancuara ne Universitetin e Harvardit, si dhe shkrimtar rezident në Universitetin Brown dhe në Kolegjin Wellesley.

Dr. kapllani dha mësim shkrimin krijues dhe historinë evropiane në Kolegjin Emerson në Boston, Massachusetts (2013–2018) dhe prej vitit 2019 është Drejtor i katedrës Hidai “Eddie” Bregu për Studimet Shqiptare në Universitetin DePaul ne Chicago. Programi i Studimeve Shqiptare në DePaul, i pari i këtij lloji në akademinë amerikane, u themelua nën udhëheqjen e tij si një kurrikulë dinamike dhe ndërdisiplinore ku, nder te tjera, studiohet kultura, gjuha, politika dhe historia shqiptare si pjese e rajonit më të gjerë të Evropës Juglindore dhe Lindore, një rajon që historikisht ka qenë udhëkryq kulturash, gjuhësh dhe fesh.

https://catalog.depaul.edu/programs/albanian-and-southeastern-european-studies-undergraduate-certificate

Fotot:

1. Dr. Gazmend Kapllani.
2. Kurset e Studimeve Shqiptare ne DePaul.
3. Me Dr. Nicholas Pano në shtëpinë e tij në Macomb, IL.
4. Event: Revolucioni i Dashurise se Nene Terezes, me Dr. Ines Angeli Murzaku.
5. Fotografi e Hidai “Eddie” Bregut.
6. Studente te Studimeve Shqiptare ne Universitetin DePaul bashke me te afermit e tyre ne ceremonine fundvitit shkollor 2025-2026 diplomuar me Certifikaten e Studimeve Shqiptare dhe te Europes se Juglindore.
7. Event/Ligjerate e Kryeministrit te Kosoves Albin Kurti ne Programin e Studimeve Shqiptare Hidai “Eddie” Bregu.

Filed Under: Interviste Tagged With: Gazmend Kapllani, Sokol Paja

Gazmend Kapllani, një zë i fuqishëm e novator që vlen të dëgjohet në shqip

September 5, 2015 by dgreca

*Ne i besojme me shume miresise se te huajve se sa drejtesise se shtetit tone. Ky eshte problemi yne i madh.
*“Gazmend Kapllani, i vlërësuar në Europe e më gjerë, një zë i fuqishëm e novator që vlen të dëgjohet në shqip!
Nga Frida Bedaj/
New York – 2 shtator 2015/
Gazmend Kapllani bashkëbisedon me mua. Është hera e dytë që e intervistoj Z. Kapllani, dikur në Athinë, në një intervistë direkte, sot përmes rrjeteve sociale, ai në Boston e unë në Nju Jork.
Më rrëfen me shume thjeshtësi atë që shikon për Shqipërinë, për e realitetin e situatës greke duke më percjellë edhe një herë një pasuri të madhe. Nuk më pëlqen të flas me fjalë të mëdha, pasi edhe i intervistuari ka një thjeshtësi që depërton lehtë në zemrat e lexuesit. Mbase kjo duket e vështirë, por është mënyra më e mirë për të depërtuar tek njerzit, madje mund të them se është magjike.
“Më quajnë Europë”, libri i dytë i suksesshëm i juaji besoj se është me real se kurrë, edhe pse bëhet fjalë për një kohë tjetër? Si e shpjegoni këtë?
“Më quajnë Europë” është nje trillim letrari përzjerë me histori personale të verteta, sidomos histori emigrantësh. Në qendër ndodhet historia e jetës së një emigranti shqiptar në Greqi, i cili kthehet në Shqipëri në vitin 2045 dhe e gjen atë të transformuar. Shqipëria, dikur një vend nga ku njerëzit iknin emigrantë e refugjate në katër cepat e botës, eshte shndërruar tani në një Eldorado të emigrantëve nga Afrika dhe Azia. Në të njëjtën kohë vendi gjendet në prag të falimentimit ekonimik, me parrulla raciste të shkruajtura mbi mure, me supermarkete të grabitura dhe me banda neonazistësh që sulmojnë të huajt. Në këtë atmosferë, mbyllur për një javë në një dhomë hoteli ne Tirane, personazhi kryesor i librit, në një moshë të thyer tashmë, sjell ndër mend gjithë jetën dhe udhëtimet e tij nëpër botë. Sjell ndërmend sidomos historinë e tij të dashurisë me një vajzë greke të quajtur Europë. Unë nisa ta shkruaja librin kur shenjat e para të kolapsit u shfaqën në Greqi. Është një libër i shkruar me dhimbje dhe dashuri për brishtësinë e jetës njerëzore, për të qenit “emigrant i botës”, për Europën, të cilen fantazma e konflikteve të vjetra e ndjek në çdo hap, për Ballkanin dhe për atë kompleks dashurie dhe urrejtje që ne ballkanasit kemi me “Europën”. Në fakt, që nga rënia e Perandorisë Otomane, ne ballkaniasit ndodhemi në një krizë të vazhdueshme identiteti, e cila duket akoma më mirë kur shoqërohet me krizën ekonomike. Shumë lexues grekë panë veten e tyre në këtë libër, panë të kaluarën dhe të ardhmen e tyre, edhe pse libri flet për një vend fqinj, Shqipërinë.
Keni qenë një nga gazetarët më të suksesshëm në Greqi, konkretisht ne shtypin grek, dicka që ka qenë e vështirë, që ndoshta edhe për brezin e dytë është ashtu. Por, besoj se brezi i pare arriti të çante akullin, edhe pse shoqëria greke ishte shumë skeptike dhe konservatore. Ju e arritët diçka të tillë dhe me shumë dinjitet, pa mohuar origjinën tuaj. Sa e vështirë ka qenë një gjë e tillë? Pse u larguat nga Greqia, edhe pse ishit një gazetar dhe shkrimtar tashmë i arrirrë?
Unë vendosa të largohesha nga Greqia në momentin që Partia Neonaziste “Agimi i Artë” hyri në Parlamentin grek. Ishte diçka që nuk e tresja dot. Për më shumë është një parti banditësh që mua më kanë kërcënuar hapur se do më vrasin. Gjithë këto vite, pikërisht sepse kam qenë një nga zërat e vetëm të emigrantëve në shtypin grek, kam qenë në listën e zezë të elementëve racistë dhe paranojakë në Greqi, disa prej të cilëve kanë influencë akoma edhe në mekanizma kyçe të shtetit. Dhjetë vitet e fundit kam qenë shpesh objekt i sulmeve dhe shpifjeve të tyre, të cilat kanë patur si qëllim asgjësimin tim moral. Më vone ata kaluan tek veprat dhe kërcënimet e hapura. Arsyeja pse unë nuk kam ende nënshtetësinë greke lidhet me këtë.
Neonazistët e Agimit të Artë kanë lidhje të çuditshme me shërbimet sekrete dhe elementë të dhunshëm në policinë Greke. Duke e ditur që unë jam në krye të listës së tyre të zezë dhe duke parë tolerancën skandaloze që policia tregonte ndaj dhunës së hapur të bandave neonaziste në Greqi e ndjeva rrezikun shumë afër. Ne që kemi jetuar nën regjime totalitare kemi instiktin e të mbijetuarit. E parandjejmë rrezikun para se të na bjerë mbi kokë. Sidoqofte gjithe keto vite une kam përjetuar një gjendje skizofrenie në Greqi. Nga njëra anë i kërcënuar dhe nga ana tjetër i admiruar, me shumë lexues e përkrahës. Diçka që më mësoi shumë gjëra jo vetëm për shoqërinë greke, por edhe për shoqëri të ballkanase në pergjithesi.
Jeni një gazetar gjithmonë i ekulibruar në çështjet e emigracionit dhe keni ngritur zërin për të folur të vërtetën, duke mos menduar shpeshherë as rreziqet personale. Si mendoni ju, pse Europa është kaq “agresive” me imigrantët?
Unë u gjenda para disa javësh në Europë, ne France me sakte, ne një turne për të prezantuar librat e mi. Me ftuan te flisja ne Calais, ne Kanalin e La Manshit ku refugjatet rrezikojne jeten qe te kalojne ne anen Britanike te Kanalit sepse besojne se atje do trajtohen në një menyre me “Europiane”. Ne Calais fola me refugjatet nga Syria dhe Libia, pash telat me gjemba ne port, pash policet qe mundoheshin te ndalnin refugjatet, fytyra e policeve ishin te tensionuara, fytyrat e refugjateve ishin te rraskapitura por mund te shihje atje shpresen e nje bote me te mire. Me kujtoi kohen kur ne ne Shqiperi enderronim diten qe do mund te kalonim kufirin, te rendnim drejt “enderres Europiane” edhe ata refugjate qe une takova atje, drejt “endrres Europiane” po rendnin. E çuditshme sepse po te pyesësh vendasit ne Europe nese besojne ne “endrren Europiane” shume pak do tundin koken duke thene po. Ne Calais pash edhe te papunet Franceze: Calais eshte nje qytet me 25% papunesi dhe ekstremi i djathte eshte forcuar shume. Gjithe drama e Europes ishte koncentruar ne ate qytet port.
Gjate prezantimit ne Calais, permes diskutimeve te shumta, unë i beja pyetjen auditorit: “Përse në Europë, ku ka lindur idea e Muzeut (mund do gjesh “Muzeun e kërmillit”, “Muzeun e Ombrelles” apo “Muzeun e Salçiçes”), nuk ka Muzeume të Emigracionit?” ) Mendo që Europa, si kontinent i hapur këto gjashtë shekujt e fundit është mbështetur tek emigracioni. Europianët kanë populluar e krijuar (ndonjehere duke zhdukur popullatën indigjene) tre kontinente – Amerikën e Veriut, Amerikën e Jugut dhe Australinë. Emigracioni më i madh në historinë e njerëzimit drejt kontinenteve të tjera është bërë nga europianët në shekujt 18-të dhe 19-të. Nga ana tjetër, europianët janë përzjerë gjithë kohën mes njëri-tjetrit dhe popujt e tjere te Mesdheut që nga koha e grekëve të lashtë. Gjithashtu, që nga koha e Revolucionit Industrial dhe Kolonizimit shumë njerëz kanë emigruar në Europë dhe janë përzjerë e janë bërë pjesë e Europës. E megjithatë, nuk kemi muzeume emigracioni në Europë. Ndryshimi mes Europës dhe Amerikës është që Amerika është një kontinent emigrantësh dhe e njeh këtë fakt, ndërsa Europia bën ç’është e mundur ta fshehë, të mos flasë për të. Kjo ka të bejë, mendoj unë, me mënyrën se si u ndërtua identiteti kombëtar në Europë, i bazuar në idenë e një gjuhe të vetme, një kulture të vetme dhe një shteti. Pasoja e zymtë e ketij naconalizmi qenë dy luftrat civile në Europë, Lufta I Botërore dhe Lufta II Botërore. Europianët vrane veten dy herë në shekullin e 20-të.
Sot Europa është një kontinent në një transformim spektakolar falë Bashkimit Europian dhe emigracionit të ri drejt Europës. Që të dyja këto sfidojnë idenë e vjetër për identitetin kombëtar. Por unë duke udhëtuar shpesh nëpër Europë shoh një kontinent që po ndryshon, edhe pse me shumë kontradita. Çdo transformim sigurisht sjell konflikte. Problemi kryesor që ka Europa sot është qe nuk e trajton çeshtjen e emigracionit në nivel europian dhe kjo sepse kryesisht ka frikë të pranojë faktin që edhe Europa është një kontinent dhe destinacion emigrantësh. Kjo bëhet akoma më urgjente tani që ekziston një krizë e tmerrshme refugjatësh nga Lindja e Mesme dhe që konfliktet kulturore në shoqëritëeuropiane – si ato për çështjen e fesë islame – po bëhen gjithmonë e më akute.
Megjithë dobësitë e tij, unë jam perkrahës pa hezitime i Bashkimit Europian, sepse nuk harroj që në Europë kemi gati një shekull që jetojmë në paqe, pas gjithë atyre luftrave ku vramë e grimë njëri-tjetrin. Sic thash une isha ne Calais dhe pash kampet e skamura te refugjateve. Jo shume larg nga Calais ne vitet 1946, 1947 apo 1948, kudo ne Europe, shihje kampe te tilla refugjatesh: ishin vendas Europiane ne ato kampe, te uritur, te skamur, qe kishin humbur gjithcka per arsye te luftes. Ne Britanine e Madhe asokohe buka ndahej me triska.
Besoj shume se Europa do ndryshojë dhe do t’a shoh emigracionin – perfshi edhe ate te tanishmin – me humanizem dhe si nje shans per rilindje ekonomike dhe demografike. Mos te harrojme qe ata qe ikin emigrante jane pjesa me e mire e vendeve te tyre. Besoj se Europa do ndryshoje dhe në të ardhmen, përveç muzeumeve kombëtare do shohim edhe muzemume të emigracionit, si pjesë e kujtesës dhe identitetit tonë të perbashkët Europian. Personalisht trishtohem duke pare dhunen dhe armiqesine me te cilen priten refugjatet ne Ballkan keto dite. Por duke qene human me ata qe jane ne nevoje sot mesojme te behemi me human ndaj njeri-tjetrit ne jeten tone te perditshme neser…
Keni qenë ndër aktivistëte parë të Komunitetit shqiptar në Greqi, por shumë shpejt u shpërbë një gjë e tillë. Duke ditur se keni një eksperiencë me komunitetin shqiptar në Greqi, a ka ndryshime në mes tij dhe me komunitetit shqiptar në Amerikë? Pse e kanë të veshtire të jenë të bashkuar intelektualët?
Nuk e njoh mire komunitetin shqiptar në Amerike. Në Greqi komuniteti shqiptar përbëhej nga njerëz të ardhur nga komunizmi, me një barrë te madhe padije dhe privimi. Vërehej një etje e madhe për të ndërtuar jetën nga e para dhe me dy shtete që ishin armiqësore ndaj nesh: shteti shqiptar me mos ekzistencën e tij dhe shteti grek me përçmimin që trgonte. Ishin situata shumë të vështira.
E vetmja eksperiencë organizimi që kishim ne shqiptarët ishte ajo nën komunizëm, me një personalitet autoritar dhe egoizëm ballkanik. Kam përjetuar shumë çaste prekëse por edhe komike. Në fund dhashë dorëheqjen nga perfaqësimi i shqiptarëve, sepse ishte e pamundur të organizoje kaosin; ndjeva që une isha thjesht një student filozofie idealist që nuk njihja fare mirë bashkatdhëtarët e mi. Që atëherëi ndjek me simpati gjërat e komuniteteve shqiptare por nuk dua të përzjehem.
Edhe pse më pas vazhdova të interesohesha për emigrantët, jo vetëm ata shqiptare, nga pozicioni i gazetarit. Nga gjërat që mbaj të shtrenjtë në kujtesën time është historia e dhimbshme e një shqiptari qëtani eshte miku im. I dënuar me burgim të perjetshme në një burg grek për vrasje. Gjeti telefonin tim dhe më kërkoi ta ndihmoja. “Jam vetëm 20 vjeç. Jam i pafajshëm. Kam frikë se do çmendem këtu”, me tha. Në fillim isha mosbesues. Pastaj, së bashku me një organizatë greke të të drejtave të njeriut, bëmë një hulumtim të gjate dhe rraskapitës të gjithë ngjarjes duke zbuluar pafajesinë e tij. Pas dy vjetësh peripecisht Safet Vata – ky është emri i tij – doli nga burgu. Sot jeton në Londër, është martuar, me fëmijë. Kur folëm para disa javësh në SKYPE më lotuan sytë …
Shkruani në greqisht edhe pse nuk eshte gjuha e nënës. Nuk ju pyes si e ke arritur një gjë të tillë, por a vazhdoni të shkruani romanet tuaja në greqisht, apo tashme në anglisht?
Unë kam shkruar poezi në shqip. Pastaj, pasi u bëra i njohur si gazetar në Greqi, një nga botuesit më të njohur grekë me tha të shkruaja një libër për të. Që nga koha që shkova në Greqi kam qenë i kredhur në versionin e kultivuar të gjuhës greke, me të cilën rashë në dashuri. Studiova psikologji dhe filozofi në greqisht, bëra doktoraturën për histori në greqisht, shkruaja artikujt në greqisht. Pra kisha tashmë një publik të rendesishëm në greqisht. Librin e parë e shkrova në greqisht. E vërteta është që nuk kisha shumë ambicie për librin e parë: doja thjesht të fusja këmbën në botën e shkrimtarëve me atë libër. Nuk e prisja atë sukses aq spektakolar, libri të bëhej best-seller dhe të përkthehej në pese gjuhë. Edhe dy romanet e tjera i shkruajta në greqisht. Tani romanin e katërt po e shkruaj në shqip dhe shpresoj ta bitis në shqip.
Tre librat e parë tuaj janë pritur mirë nga publiku, dicka kjo e veçante për një shkrimtar të ri që do kohe të njihet si shkrimtar. Çfarë ndjetë kur mësuat që librat tuaj do përktheheshin në disa gjuhë?
Ka qenë një ndjesi e mrekullueshme. Përkthimet me dhanë rastin jo vetëm të bëhesha i njohur në Europë, por edhe të udhëtoja shumë dhe ta njihja Europën nga “brenda” sic i themi ne. Megjithatë, unë besoj se jam ende në fillim të udhëtimit tim si shkrimtar. Kam shumë gjëra ende për të thënë.
Libri i katërt cfarë trajton, a është socialo politik apo diçka ne mes?
Librat qe jane ne shkrim e siper janë paksa si komplotet. Po u ndanë me të tjerët e humbasin magjinë dhe rëndësinë. Kështu që do më lejoni ta mbaj per vete trillin e romanit që po shkruaj. Sidoqoftë, si ngaherë, personazhet kryesorë, janë shqiptarë.
Si e shikoni situatën në Greqi, duke ditur se keni qenë më shumë në brendësitë situatës? Njëkohësisht reagimet në rrjetet sociale (FB) kanë qenë shpeshherë “ofenduese” nga shume miq tuaj, që kanë shprehur agrisivitet sepse keni pasur një mendim ndryshe. Ç’mund të thoni?
Situata në Greqi është shumë e rëndë. Do duhej të shkruaja një libër të tërë qe ta shpjegoja çfarë dua të them. Shoqëria greke, gjithë vendi, është në një rënie nga ato që lexojmë në tragjeditë e lashta greke, por edhe komeditë e Aristofanit. Shoqëria greke ështe e trullosur dhe ka humbur pikat e references. Është një krizë e thellë ekonomike që është ktheyr në një krizë politike, krizë identiteti dhe krizë kulturore. Sipas meje përgjegjësia kryesore i bie klasës politike greke dhe mitit nacionalist të kultivuar prej kaq vitesh në Greqi, që i kërkon gjithmonë shkaqet e të këqijave jashtë dhe jo brenda vetes. Nga ana tjetër, është shqetësuese që Bashkimi Europian ka humbur vizionin dhe ndjenjën e solidaritetit. Euro në vend që të bëhej forcë progresi dhe mburojë, u kthye ne kemishë force. Personalisht dua ta shoh Greqinë (si edhe gjithë Ballkanin) brenda Bashkimit Europian dhe Euros dhe këto të dyja të ndryshojnë e te rezistojnë. Ndryshe, nëse deshtojnë, ne europianëve na presin kohë shumë të zymta, idomos ne ballkanasve. Më dhemb që e shoh Greqinë në atë gjendje, më dhemb shumë që shoh shumë miq të mi të vuajnë, të kenë rënë në depresion, të kenë humbur shpresën. Shpresoj se Greqia do ia dalë mbanë dhe se në fund shoqëria greke do bëhet më e mençur nga gjithë këto që po kalon. Por, tani per tani gjërat janë shumë keq. Nuk është me çështje ekonomie. Bëhet fjalë për mbijetesën e demokracisë në Greqi. Dhe këtë në Eurozonë kam pershtypjen qe nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë…
Pse librat tuaj nuk janë përkthyer në shqip?
Për këtë duhet të pyesni botuesit shqiptarë. Dhe t’i pyesni gjithashtu nëse do t’i perkthenin dhe botonin librat e mi nëse do i kisha shkruar në anglisht, frengjisht, gjermanisht apo italisht?

Si i mendoni të dy vendet tani që jeni larg, jo në brendësi? Si e shikoni gjendjen politike e sociale të dy vendeve?
Greqia dhe Shqipëria, megjithe ndryshimet e medhaja qe kane mes tyre, janë pjesë e të njëjtës supe ballkanike, me shumë tipare të përbashkëta nga ato qe quajme “ballkanike”. Une personalisht ndjehem Ballkanas sepse duke ndare jeten time mes Shqiperise dhe Greqise kam marre nje overdose Ballkanizmi. Ka shume gjera ne Greqi e Shqiperi qe i dua me shpirt. Nga ana tjeter ka shume gjera qe me largojne, qe me friksojne. Sidomos kultura jone politike mbetet ende tejet mizerabel. Greqia nuk e zgjidhi dot kete problem edhe pse u gjet ne anen e atyre qe historia u jep llotarine e fatit. Ekziston dicka e thelle qe ka te beje me kulturen tone politike, qe na ben vetshkaterrues dhe mizerabel, qe na pengon te ndertojme shtetin e te drejtes, ekziston dicka e semure ne kulturen tone politike qe ben qe njerezit me te korruptuar dhe te dhunshem te respektohen dhe me krijuesit dhe paqesoret zakonisht te derrmohen, qe na ben nacionaliste primitive pa patriotizem qytetar, na ben megalomane qesharake… “E megjithate leviz” do thosha. Sepse edhe ne Ballkanasit, Shqiptaret, Greket, Serbet etj., ndryshojme, me kontradikta por ndryshojme dhe mesojme. Uroj qe ato qe mesojme pas shume pesimesh të mos t’i harrojme.
Por qe te kthehemi tek Greqia dhe Shqiperia. Shpesh i shoh si dy kusherinjtë parë qe nuk e honepsin dot njëri-tjetrin. Për Greqinë fola. Shqipëria pas atyre 45 viteve të tmerrshme nën një diktaturë paranojake mundohet të qendrojë në këmbë. Kemi shumë rrugë për të bërë ende që të konsiderohemi një vend normal – jo nga të tjerët, nga vetja jonë mbi të gjitha. Sfida jone e madhe mbetet ende varferia, ajo ekonomike dhe kulturore. Nga ana tjeter, eshte e trishtueshme qe emigracioni mbetet ende sistemi me meritokratik qe kemi. Ne i besojme me shume miresise se te huajve se sa drejtesise se shtetit tone. Ky eshte problemi yne i madh. Edhe i Shqiptareve edhe i Grekeve, i Ballkanasve ne pergjithesi.
Personalisht, që të dyja vendet janëi ndjej pjesë te jetës sime, pjesëte identitetit tim ballkanik. Qe te dyja me trishtojne dhe me indinjojne shpesh por njekohesisht gezojne me gjithe shpirt për gjithçka të mirë behet ne te dyja vendet.
Ju kaluat një vit në Univeristetin Harvard, çfarë eksperience përjetoni, pas kësaj? Çfarë ju ka ofruar Ameika në çdo aspekt?
Erdha në Harvard si Fellow. Dhashe mësim në Emerson College për dy vjet (histori europiane dhe letërsi). Tani do jap mesim ne Wellesley College.
Amerika është treguar shumë bujare me mua. Besoj se duhet të kisha ardhur këtu më parë. Por më mirë vonë se kurrë. Kam shumë kureshtje të njoh Amerikën, historinë e saj, letërsinë e saj, realitetin e saj, kontraditat e saj, të mirat dhe të keqijat e saj.
Çfare presim nga ju Z. Kapllani?
Asgjë të veçantë. Shumë, shumë një libër të ri që shpresoj ta lexoni dhe t’ju pëlqejë.

Kush eshte Gazmend Kapllani
Gazmend Kapllani lindi në Lushnje më 1967 ku edhe mbaroi shkollën fillore dhe të mesme. U largua nga Shqipëria për në shtetin fqinjë, Greqi, në vitin 1991, ku ashtu si të gjithë emigrantët bëri punë të ndryshme për të mbijetuar dhe njëkohësisht studjoi. U diplomua për Filozofi në Universitetin e Athinës dhe që prej vitit 2007 eshte Doktor i Shkencave Politike dhe Historike të Universitetit Panteio në Athinë. Tema e doktoratures se tij ishte “Imazhi i Shqiptarëve në shtypin grek dhe i Grekëve në shtypin shqiptar (1991-2001)”.
Gazmend Kapllani ka botuar dy libra me poezi në shqip:“Në kërkim të tjetrit”, 1991 dhe “Kontrabandëmuze”, 1997. Ka botuar gjithashtu edhe librat: “Ditar i vogël kufijsh” (2006), “Më quajnë Europë” (2010) dhe “Faqja e Fundit”, i shkruar në greqisht. Libri i parë është përkthyer deri tani në anglisht, polonisht, danisht, frengjisht dhe italisht. Ditar i vogel kufijsh eshte adaptuar per skene nga Bornholm Teater ne Danimarke dhe nga Teatri Kombetar i Shurdheve ne Greqi dhe eshte shqafur ne Danimarke, Greqi, France dhe Bolivi. Librat “Me quajne Europe” dhe “Faqja e Fundit” jane perkthyer ne frengjisht. Librat e tij janë best seller. Ëshë nderuar me tituj nderi nga organizata greke dhe të huaja për aktivitetin e tij në mbrojtje të të drejtave të njeriut, të lirisë së fjalës, si edhe si shkrimtar që gersheton realitetin me imagjinatën ne nje menyre te veçante.
Temat e tij të preferuara jane Ballkani dhe historia e tij. Disa nga referatet e tij për këtë teme janë mbajtur në universitetet më prestigjoze amerikane, si Univeristeti i Michiganit, i Columbias në Nju Jork dhe ai i Harvardit në Boston.
Në librin e tij “Ditar i vogël kufijsh” ai përshkruan me një mjeshtëri të rrallë se si ishte të kapërceje kufijtë, temperamentin e tij, si dhe atë çka Shqiptarët gjetën në Greqi. Ai nuk ndalet vetëm tek ky libër, i cili si të thuash i hapi atij dritaren e të qenit një shkrimtar, i cili që në librat e parë të tij pati shumë sukses. Në librin e tij “Më quajnë Europë” ai përshkruan me shumë hollësi situatën e imigrantit. Në librin e tij ai do të theksojë se: “Ëndërroj një botë pa imigrantë, por kjo është e pamundur. Një botë pa imigrantë/emigrantë do të thotë një botë e lire nga varfëria dhe tirania. Një botë e lire nga dëshira e njeriut të permiresoje jetën e tij. Një botë pa imigrantë do të ishte e rëndomtë. Në të njëjtin moment e quaj veten time shumë me fat që isha imigrant. Emigrimi/imigrimi është një proces shumë i rrezikshëm dhe njëkohësisht krijues. Duhet të kesh guxim në fund të fundit që të vendosesh të fillosh jetën nga zeroja, të mësosh gjithçka nga fillimi, gjuhën, emrat e rrugëve, emrat e njerëzve. Të bësh gjuhën e huaj, qytetin e huaj pjesën tënde, pjesë te gjeografise tende ekzistenciale. Në thelb ajo që çmend racistët është guximi i imigrantit të marrë jetën në duart e tij.Të jesh emigrant do të thotë të kuptosh fuqinë e deshirës dhe të mesohesh me lojrat ekstreme te fatit.” Me këto fjalë di të flasë Z. Kapllani me realitet duke u bazuar tek ndjenjat. Ai është jo vetëm një shkrimtar, tashmëi tre librave, por edhe një gazetar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Tashmë ndodhet në Amerikë ku erdhi si Fellow i Universtitetit te Harvardit dhe Universitetit Brown dhe është pedagog në dy kolegje prestigjoze te Bostonit, Emerson College dhe Wellesley College (kolegj i njohur edhe per faktin qe nga atje kane dale disa nga figurat e shquara te politikes Amerikane si Hilari Klinton dhe Madlen Ollbrajt. Ne kete moment Z. Kapllani eshte duke shkruajtur romanin e tij te katert.
* E dergoi per Diellin autorja

Filed Under: LETERSI Tagged With: Frida Bedaj, Gazmend Kapllani, nje ze i fuqishem

Artikujt e fundit

  • LIRISË T’I JAPIM SHTET
  • AANO Student Summit Brings Together Nearly 350 Albanian-American Students and Professionals at Fordham University
  • “Jeta e të tjerëve”
  • “PENA PËR ATDHEUN”, NJERIU DHE KUJTESA HISTORIKE
  • Orenjë, dëshmi të reja për një vendbanim të fortifikuar prehistorik
  • KUR MJEKËT IKIN, KUSH PAGUAN ÇMIMIN?
  • Shqipëria 1990–2026: Nga piramida e një popullsie të re te plakja dhe tkurrja demografike e vendit
  • Drejtësia gjeopolitike dhe dështimi i elitave tona
  • Quincy kuqezi/ Kënga, çiftelia, vallja dhe shija shqiptare bashkojnë diasporën në Massachusetts
  • Një Aktivitet Ndërgjegjësimi Për Autizmin Në City Island, Bronx
  • LOZANA NGRITI ZËRIN
  • Your child’s future is more important than anyone else’s opinion…
  • Artistja shqiptaro-kanadeze Blerina Kraja hapë ekspozitë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Toronto më 16 tetor 2026
  • Niko Stillo, studiuesi që sfidon, pyet dhe kërkon përgjigje
  • SHTETI SHQIPTAR PËR ÇAMERINË 1925-1928

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT