
Lutfi Brami
Filadelfia 14 tetor 2025/
I dashur mik Tajar Domi ! Lexova me vëmendje librin tuaj “ Dinastia “ Domi” e Cerenit të Kalasë së Dodës ,me redaktor , Mjeshtër i madh ,Halil Rama, botim cilësor i shtypshkronjës “Univers”. Ju falenderoj për këtë dhuratë të bukur dhe ju uroj suksese të mëtejshme në krijimtarinë tuaj ! Libri juaj, ashtu siç e gjykoj unë, është një model dinjitoz i një libri monografik familjar, vlerë e shtuar në fondin e letërsisë dokumentare, që përfshin njerëz , vende, histori e tradita shqiptare,aspekte të jetës shoqërore, historike, gjeografike e etnologjike, me të dhëna konkrete për antarët e këti fisi të madh, dëshmi dokumentare e rrallë, që ndërthur historinë, kujtesën, dhe shpirtin e një familjeje e fisi, që ka prodhuar dije, karakter dhe përkushtim ndër breza. Me një strukturë të ndërtuar me kujdes dhe përmbajtje të pasur me dokumente, kujtime e reflektime, libri i sjell lexuesit rrëfimin e një familjeje nga fshati Ceren i Kalasë së Dodës, që ka nxjerrë nga trungu i saj mbi 115 intelektualë, një rast i jashtëzakonshëm në historinë arsimore dhe kulturore shqiptare, që ndriçon jetën e një mësuesi atdhetar dhe kontributin e një familjeje intelektuale në zonën e Kalasë së Dodës. Libri nuk është vetëm thjeshtë një biografi, por një homazh për ata që mbollën dritë në kohë errësire. Jepen mesazhe ,që përcjellin, rëndësinë e arsimimit, rolin e individit në ndryshimin e një komuniteti, trashëgiminë kulturore të familjes dhe vendit.Ai na kujton se edhe një individ i vetëm, i pajisur me dije dhe idealizëm, mund të ndikojë në fatin e një komuniteti të tërë.
Kujtesa që frymëzon rrënjët intelektuale të një krahine
Populli këndon : Djemtë e Lumës /Hic s`kanë dert/Ka një luftë e bëjnë përvjet/ luftë me krajl e luftë me mbret. Autori ka arritur të sjellë një pasqyrë të gjallë dhe të ndjerë të jetës në zonën e Kalasë së Dodës, duke u mbështetur në burime të shkruara dhe dëshmi gojore, me një gjuhë të pastër, e të ngrohtë, por edhe saktësisht informative. Elementet dokumentare nuk e rëndojnë rrëfimin, përkundrazi, i japin asaj peshë dhe besueshmëri. Ai përshkruan fshatin e lindjes, Cerenin dhe Kalanë e Dodës si tokë e trashëgimisë dhe mikpritjes, e patriotizmit dhe atdhedashurisë, e gjuhës shqipe,duke e parë jo vetëm si vendbanim, por si burim identiteti. Përmes përshkrimeve të natyrës, jetës së fshatit, tradites popullore, besimit fetar dhe mënyrës së të jetuarit,e bën këtë libër edhe një dokument antropologjik të vlefshëm. Përshkrimi i natyrës së Kalasë së Dodës si kala bukurie, mençurie e atdhetarie me bjeshkët e bukura shëndetdhënëse, ujin e ftohtë e të bollshëm, lulet pa mbarim, me fushën e Korabit, gropat karstike, e bëjnë lexuesin të ndjejë aromën e dheut, të dëgjojë heshtjen e maleve dhe të përjetojë shpirtin e mikpritjes e të pastërtisë ,që karakterizon këtë krahinë.Autori nuk ka harruar nga ka ardhur dhe nuk ka harruar të sjell kujtimet për vendlindjen e tij të dashur.Këto e kanë frymëzuar autorin të mbjellë në poezinë e tij ” Për Cerenin”mallin,shpirtin e çdo gjë kur shkruan : “Në Ceren , më i miri vend/Mblidheshin burrat në kuvend/Nga çdo fis të këtij katundi/ Burra të fortë që s`i zë gjumi “. …“Ky është fshati ynë i lindjes/ Ku vëllallëku kurrë s`u prish/ Ku “kulaku “e “Partia”/ Ishin bashkë në cdo mexhlis” – Tajar domi Poezia “Për Cerenin” fq.213.
Tajari me këtë libër, i jep dritë vendlindjes, ngreh një monument për fisin e vet duke gdhendur me përulësi, por hijshëm emrin e tij në gjerdanin e kësaj familje të madhe.Historinë e kësaj treve me një qasje të thelluar dhe gjithëperfshirëse duke ndërthurur burimet historike, dëshmi të autorëve vendas, udhëtarëve e albanologëve të huaj e rrëfime personale duke krijuar panoramë të gjallë. Ky mozaik i pasur rrëfimesh , jo vetëm ndriçon historinë e kësaj treve, por afron më shumë shpirtin me trashëgiminë.
Tiparet e karakterit si : bujaria, thjeshtësia, mikpritja, dashuria për vendin dhe njerëzit, nuk janë përmendur thjesht si cilësi, por janë të mishëruara në rrëfimet e jetës së përditshme, në mënyrën se si këta njerëz kanë vepruar, ndihmuar dhe frymëzuar të tjerët.Banorët e këtyre zonave thirreshin “Dhetar “ nga fjala dheu. “Janë mbledhur burrat e dheut “,Autori , në libër i bën jehonë edhe qëndrimit patriotik gjatë luftrave të zhvilluara në atë zonë kundër pushtuesëve.Në betejën e Carakolit në verën 1920,kundër sërbëve , ranë dëshmorë motër e vëlla Naxhije e shaban Alija dhe u plagosën disa të tjerë në Ceren.
Ja dhe kënga :Trim me fletë Shaban Alija/Ka rrok pushkën dhe Naxhija/Po luftojnë motër e vëlla/Për atdhe ata kanë ra.
Për të sjellë para lexuesit njohjen më të plotë të Kalasë së Dodës e vendlindjes së tij, Cerenit,autori di të vjelë mbresat e kujtimet e intelektualëve si : Ismet Kutelaj nga Dukati i Vlorës , mësues në shkollën 8 vjecare Ploshtan në vitet 1977 – 1983 ,icili përshkruan karakterin e këtyre banorëve si njerëz të zgjuar.. të besës,trima e patriotë, të kurbetit e sakrificës, mikpritës e punëtor.pastërtor,të respektueshëm , të besës,të fjalës e kuvendit. Gazetari Llazar Vero , miku ynë nga Fieri , midis të tjerash thotë ,se dy herë kam fjetur si mbret;një natë në Voskopojë dhe herën tjetër te Kalaja e Dodës..Dhoma e gjumit e veçantë,e shtruar me qilim e sixhade. Krevati shkëlqente me bardhësinë e carcafëve e jorgnin prej atlasi, ndërsa gazetari Edison Ypi kur pyeti një të ri emigrant nga kjo zonë në Angli, se pse ju merrni njëri tjetrin në angli ?.Ai përgjigjet : “ Sepse në Angli , po të punosh shumë , fiton shumë. Anglezët kanë pare dhe u duhet puna. Ne kemi punën, gjithmonë të ndershme, dhe na duhen paret.” Këshilla e gazetarit është :” Kalo lumin e Tiranës, mbi urën e Paskuqanit. Ngjitu në kodër. Aty e ke “Litle England ( Anglinë e vogël )të krijuar nga banorët e Kalasë së Dodës “Vec këtyre cilësive kishin brenda vetes dëshirën për të mësuar gjuhën shqipe.
Miku ynë ,Dëfrim Methasani në një aktivitet midis të tjerash jep këto vlerësime: “ Morta nuk mund të themi se është e bukur asgjëkundi, sepse ka humbur një njeri. Por vetëm në Kala të Dodës, kam parë mortë që të duket e hijshme …”
Aty kishte burra që i kishin dhënë emer fshatit,u njohën për zgjuarësinë e fjalët e lëna pas largimit nga kjo jetë ashtu siç është edhe bashkëbisedimi i mëposhtëm midis gjyshit dhe nipit :
Nga ishe sot, në punë ?- e pyet Shema ( Shemsi Shehu )nipin /- Nuk shkova fare i përgjigjet ai./- Po pse nuk shkove ?-vazhdon pyetjen gjyshi./ – Sepse me 50 lekë, vetëm një bukë mund të marr. /- Mirë – i thotë gjyshi, ngriu nga sofra dhe shko e merr një bukë, pa lekë ! E merr dot.?
Një mesazh domethënës që s`ka nevojë për koment…
Drita që nisi me një abetare
Në qendër të librit është figura frymëzuese e Harun Domit, që solli dritë, një mësues i thjeshtë, por me vizion të madh. Rreth viteve 1923, gjatë emigrimit të tij në Rumani, “ Si rrallë kush nga kurbetllinjtë kishte marr me vete një valixhe ( torbë) dhe “paja”, e futur brenda ishin disa abetare të gjuhës shqipe të shtypura në Konstancë të Bukureshtit nga Veqilharxhi, një veprim që në pamje të parë mund të duket modest, por që në të vërtetë përfaqëson simbolin më të pastër të atdhedashurisë dhe përkushtimit ndaj përhapjes së dijes”. Tajar Domi. libri “ Dinastia “ Domi “. fq.80 .
Harun Domi siç e përshkruan autori në libër, është modeli i mësuesit, që nuk shkon vetëm për të dhënë mësim, por për të ndezur dritën e dijes në një zonë ku mungesat ishin të mëdha.Haruni solli në Lumë abetaret e Veqilharxhit, të cilat u përhapën dorazi dhe u bën pishtarë drite për shqiptarët dhe halë në sy për pushtuesit. Vitet kanë bërë punën e tyre , por rrezet e ndriçimit mbeten të gjalla e nuk shuhen kurrë deri në ditët tona.
Poeti Munir Hoxha ka sjell bukur këtë ngjarje në vargjet e këngës “Abetarja e Harunit” : “ Abetarja e Naumit/ Fsheh në gjirin e Harunit/ Me çu dritën e Europës/ Deri në Kala të Dodës “.
Shkrim pas shkrimi e faqe pas faqesh në libër nëpërmjet fjalës së autorit dhe kujtimeve të personazheve të tjerë,Harun Domi qëndron në piedestal të vlerave tona kombëtare. I përket plejadës, që bënë Histori në përhapjen e arsimit në këtë zonë e më gjërë, si një figurë shumëdimensionale, i zgjuar, i ditur ,patriot e atdhetar,
Një familje që u kthye në vatër të dijes dhe vlerave
Dinastia e familjes “Domi”, nuk është vetëm historia e një individi, por e një fisi që e ka trashëguar dijen si vlerë të shenjtë. Brenda librit gjejmë portrete të ndryshme të anëtarëve të familjes: arsimtarë, mjekë, juristë, ushtarakë, e profesionistë të tjerë, të përshkruar përmes kujtimeve, bisedave familjare dhe rrëfimeve të ngrohta, shpesh të shoqëruara me fotografi autentike që i japin librit një dimension vizual e emocional shumë të fortë.
Populli thotë : “Bëmë baba, të të ngjaj “
Kjo thënie nuk është thjeshtë një shprehje e urtë, por përmbledh filozofinë jetësore të kësaj familje, që ka ditur të edukojë me shembull, jo me fjalë.Më mire se kudo tjetër gjen domethënien dhe kuptimin e plotë në trungun familjar të Dinastisë së familjes Domi “. Nuk është rastësi që nga kjo familje e madhe të ketë kaq djem e vajza me arsim të lartë, një armatë e tërë e shpërndarë në gjithë vendin dhe në diasporë i
Përmes këtij libri mësojmë se nuk ka pasuri më të madhe se trashëgimia e mendjes dhe e shpirtit, që nuk e mbërthen dot as koha, as harresa.Shkrimtari i madh D. Agolli në poezinë “Mbjellja “ shkruan :
“Shumë e vështirë të mbjellësh arën“/Më e vështirë shpirtin të mbjellësh !/Të hapësh arën,T`i hedhësh farën/Të hapësh shpirtin, mendjen t`i hedhësh/ Shumë e vështirë shpirtin të mbjellësh”/
D.Agolli, poezia “ Mbjellja “
Libri është akt dashurie i kujtesës,përkushtim ndaj të vërtetës historike dhe Porosi shpirtërore për brezat që vijnë . Tajari ka emrin e tij të respektuar, me kontribut në vendlindje e në diasporë,drejtues i suksesshëm që , përfaqëson vlerat atdhetare frymën e bashkimit bashkëatdhetarë,sidomos ata kuksian e dibranë,organizatori i susksësëshm i fushatës për blerjen e godinës. Ndjehemi krenar me të , si shembull i niveli të lart arritjesh, që i ka rritur emrin jo vetëm familjes por edhe vendlindjes ,Cerenit, Kalasë së Dodës , Kukësit, Prizrenit Dibrës e gjithë shqiptarisë.edhe këtu në diasporë.Tajari , siç përshkkruhet në faqet e këtij libri,që kur shkeli në amerikë, tik- taku i tij rrihte për atdheun, ndaj u antarësua në shoqatën, “ Bijtë e shqipes “ dhe në dy mandate kryetar i saj. Ndërsa gjyshi i tij , Haruni solli abetaret nga Bukureshti për Kalisin ai , në gjurmët e gjyshit jep kontribut për komunitetin e shkollën shqipe “Gjuha jonë” këtu në Filadelfi.
Lexuesi ndjen se çdo rresht i këtij libri është shkruar me shpirt e përkushtim. Ai nuk e përjeton thjesht si një lexues, por si një pjesëmarrës, si një dëshmitar i heshtur i një historie që është njëkohësisht personale dhe kombëtare.Ai është një thirrje për reflektim, një ftesë për të ruajtur dhe çmuar rrënjët tona, për të mos harruar vlerat që na kanë ndërtuar si njerëz dhe si shoqëri. Është një kujtesë e fuqishme se edukimi nuk fillon në shkollë, por në shtëpi – me shembullin, me përulësinë, me dashurinë për dijen , të cilën e shpreh edhe në vargjet e poezisë së tij :
“ Fisi “Domi “gjithmonë me penë/ Ka mësu brezat në gjuhën shqipe/ Histori të shkruar ka lënë/ Si për luftën ,si për dritën.”
Tajar domi Poezia “Për Cerenin” fq.213
Ky trung familjar duhet të jetë pikë referimi për të treguar se jo vetëm gjeneza, por dhe dëshira e shoqëruar me punë të madhe të palodhur, duhet të bëjë cdo njeri që të arrijë të bëhet i shkolluar dhe i ditur, ku jep jep shembullin e shkëlqyer të fuqisë transformuese të dijes , nëpërmjet figurës së Harun Domit,, këtij mësuesi intelektual, veprimtar i përkushtuar i cështjes kombëtare, dëshmi e përkushtimit ndaj dijes e kulturës kombëtare. Abetarja , simboli më i fuqishëm i misionit të tij për arsimimin e brezave të ardhshëm
Në këtë jetë jetojmë e punojmë.Vetëm sa hedhim ca hapa. Po puna është si na kujtojnë dhe cfarë emri lëmë mbrapa. Këtë po e ilustroj me 4 vargje të poezisë sime “Çfarë i mbetet pas njeriut nga jeta?
“Por ajo që mbetet s’është dhimbja,jo/Mbetet dashuria ,që u mboll si farë,/Një dritë që ndriçon në errësirën e vjetër,/Në rrugën, që udhëton përtej vdekjes pa tjetër”
L.Brami poezia “Çfarë i mbetet pas njeriut nga jeta?”
Autori në libër trajton edhe probleme të tjera që unë nuk po ndalem në to, sic është fjala për Odën e shëndrruar si institucion drejtimi, organizimi, edukimi për cdo antar të familjes.Shkollimi dhe feja që nuk përjashtonin njëra tjetrën, mesazhe të rëndësishme vlerësuese, vecanërisht për njerëzit e mëdhenj etj.Në libër përshkruhen edhe figura e personazhet të tjerë me vlera të veçanta, të cilët pa diskutim kanë vlera të vyera në këtë trung familjar, por do të duheshin faqe të tëra apo libra të vecantë për të pasqyruar kontibutin e tyre në këtë trung , ku spikasin Dr.Shkencave:Dr.Naim Shefqet Domi-në topogjeodezi, Dr.Nuri Shefqet Domi,në Fizikë, Dr.Lefter Selim Daku-në ekonomi, Dr.Feride Daku –në Financë, Dr.Shqipe H.Krasniqi në Diplomaci, Dr.Arbër A.Hoti në ekonomi etj.
Tajari është zë i nderuar, i dashur ,kominikues, social , modest, kryefamiljar e prind model, baba i dy djemëve të mrekullueshëm, intelektual me personalitet, punonjës e drejtues në disa institucione, me staturë të admirueshme, i cili ka lënë gjurmë në Ceren, Kala të Dodës,Tiranë e Filadelfia. dhe është vlerësuar me shumë Certifikata ,që pasqyrohen në biografinë e tij në këtë libër. Së bashku me të vëllanë, Jakupin e vëllezërit e familjarët e tij , vazhdon më tej traditën e kësaj familje të madhe. Ai ka dhënë kontribut në dokumentimin e asaj që quhet Dinastia “ Domi” e dijes dhe kulturës,ndërtimin e degëve të pemës gjenealogjike të këtij trungu familjar, si zëri më i spikatur i kësaj familje sot, i cili luan një rol kyç në mbajtjen gjallë të lidhjeve mes shqiptarëve të diasporës dhe vendlindjes, figurë e respektuar e komunitetit shqiptar këtu në Filadelfia.Nëpërmjet informacionit që jep për figura të shquara të kësaj zone, jo vetëm i shoqëron me foto por jep shkurt e bukur thelbin e jetës e trungut të tyre familjar duke vlerësuar ata që sot kontribuojnë ,por duke ngritur , gjallëruar e përjetësuar ata që janë ndarë nga kjo jetë.
Stili dhe vlerat e librit
Stili i shkrimit të këtij libri nga autori është i thjeshtë, i rrjedhshëm, me tone të përzemërta dhe emocionale. Nuk ka ndjesi artificialiteti , gjithçka buron natyrshëm nga kujtesa dhe përkushtimi i autorit për të ruajtur e përçuar një trashëgimi që nuk duhet harruar. Përmes përdorimit të kujtimeve personale, bisedave me familjarë dhe dokumente,i ilustruar me shumë foto, që ja kanë shtuar vlerën librit si një kujtim që do t`u mbetet brezave në historinë e trungut të tyre familjar
Tajar Domi arrin të ngrejë një urë mes të shkuarës dhe të tashmes.Libri ka vlerë të dyfishtë: si dokument historik për një zonë të caktuar, por edhe si shembull edukativ për brezat e rinj. Ai shërben si frymëzim për ata që duan të kuptojnë se si nis ndryshimi në një shoqëri , shpesh jo me fjalë të mëdha, por me veprime të thjeshta e të vendosura.
Një pasuri që duhet lexuar dhe ruajtur
“Dinastia Domi” e Cerenit të Kalasë së Dodës është një vepër që i flet shpirtit, por edhe ndërgjegjes. Ajo na kujton se pas çdo intelektuali, qëndron një rrënjë, një përkushtim, një komunitet ,që ka ditur të mbjellë vlera. Leximi i këtij libri është si një udhëtim në një botë që po largohet, por që ka ende shumë për të na mësuar. eshtë një libër që mund të lexohet nga kushdo, që e do historinë, dijen, dhe vlerat e trashëgimisë shqiptare, veçanërisht për të rinjtë që duan të kuptojnë nga kanë ardhur, që të dinë ku duhet të shkojnë.
Ky libër është një kontribut i vyer në kujtesën kolektive shqiptare. Ai duhet të lexohet jo vetëm nga historianë apo studiues, por edhe nga nxënës, arsimtarë dhe kushdo që beson në fuqinë e dijes dhe përkushtimit. Një dëshmi e gjallë se rrënjët e një populli qëndrojnë te ata që i kanë shërbyer me idealizëm dhe dashuri.
Tajari,miku dhe bashkohësi ynë,njeri i vlerave dhe virtyteve të larta në shoqëri ,në punën dhe jetën e tij është mbështetur në traditën e pasur atdhetare të fisit Domi, një familje me rrënjë të thella patriotike, e ka trashëguar këtë frymë të përkushtimit ndaj kombit, duke e bartur me krenari dhe duke e vënë gjithmonë në shërbim të brezave.
Z.Tajar i urojmë suksese, jetë të gjatë bashkë me trungun e dinastisë “Domi “.
”Historia nuk është gjë tjetër, veç një jehonë e të kaluarës në të ardhmen dhe një refleks i të ardhmes në të shkuarën…në brezin e tyre,që na këshillon brezat e ardhëshëm.
Urime e suksese në krijimtarinë tuaj !