Opinion nga Majlinda BUSHJA/*
Interesi të tjetërson, por gjithsesi është në dorën tonë për të mos e vendosur në radhën e parë për nga rëndësia, sepse vitet e fundit është vënë re një rritje e numrit të konflikteve brenda familjes për çështje pronësie. Puna ka arritur deri aty sa djali nuk njeh më prindërit e vet, babanë, e nënën, por edhe vëllanë e motrën, e konflikti pastaj është përhapur në çdo degë të fisit, që nuk njohin më damarët e gjakut të tyre kur në mes është prona. Daja i merr pronën mbesës, xhaxhai, nipit, nipi, xhaxhait, kushërinjë njëri-tjetrit, etj duke e çuar konfliktin në hasmëri, e disa vjeçar. Tipik është rasti i zonjës Dilo ( këngëtare e njohur), që po lufton kundër tre burrave për të drejtën e saj, për pronën që pretendon se po ja rrëmbejnë. E një prej tyre është dajua i saj, një njeri i afërt i familjes që duhet ta mbrojë mbesën e vet. Mirëpo, situata flet ndryshe dhe konflikti është ende i hapur, dhe kushedi sa do të zgjasë. Por ky konflik për çështje pronësie është një nga mijëra raste që hasim në të gjithë Shqipërinë. Shumë kemi dëgjuar, po dëgjojmë, e do të dëgjojmë në të ardhmen, meqenëse është një nga çështjet më të mprehta të pazgjidhura, e që hap shumë debat. Prona që i mbivendendosen pronarë, e pronari i vërtetë e ka të vështirë të gëzojë pronën e tij i qetë, pa u rropatur gjyqeve për të gjetur të drejtën e tij për vite me radhë. Dhe në se përfshijmë këtu mosmarrveshjet mes fiseve të ndryshme për këtë çështje situata bëhet më e rëndë dhe e komplikuar.
Media qoftë e shkruar, apo elektronike ka ngritur këtë shqetësim herë pas here përmes artikujve dhe rubrikave të fokusuara në konfliktet e pronësisë. Kronika që paraqesin realitetin e hidhur në familjet shqiptare, konflikte të mprehta që ndonjëherë përfundojnë me humbje jete apo cënim të saj. Nuk janë të pazakontë tituj të tillë si, “ Çmenduri ala shqiptare, konflikti për pronat, 35 vjeçari godet me thikë të ëmën e moshuar”( Javanews 20.04.2016), “Konflikti për tokën, ekzekutohet me kallashnikov babai i tre fëmijëve, 50 vjeçari u qellua nga kushëriri i tij ish-polic”(Gazeta Shqiptare 03.04.2016), Babai i tre fëmijëve masakrohet me thikë nga djali i xhaxhait, dyshohet për motive pronësie”(Ballkan Ëeb 17. 09. 2015), “Konflikti për pronën, kushëriri qellon mbi 2 vëllezër, njëri i vrarë, tjetri i plagosur” (Mapo 23.03.2016), sepse konfliktet për çështjen e pronësisë janë të vazhdueshme dhe nuk po ndalen. Ndaj, për to duhet gjendur një zgjidhje që prona të shkojë te i zoti dhe çdokush të marr atë që i takon dhe e meriton.
Kush ndjek çdo të diel pasdite rubrikën “Shihemi në gjyq” te “e Diela Shqiptare” në televizionin “Klan”, dallon qartë se si prona ka sjell konflikte të mprehta dhe përçarje brenda gjirit të familjeve shqiptare. Tashmë flitet hapur dhe me gjuhë të ashpër, pa ndrojë “e cip”, ku egoizmi arrin kulmin, dhe ndjenja e dashurisë dhe respekti fshihen si me dorë, pasi etja për pasuri e prona nuk njeh kufi, e as arsye për të kuptuar se kush është më e rëndësishme. Prona apo familja, prindërit, motrat, vëllezrit dhe njerëzit e tjerë të gjakut. Sepse, prona sot ka dal mbi gjithçka dhe dashuria për familjen dhe njerëzit e gjakut është harruar prej makutërisë për prona e pasuri. Të plagosësh nënën për pronën, siç u përmend në titujt e mësipërm, apo qoftë dhe ta lëndosh atë për këtë motiv, duke e lënduar në sytë e të gjithëve siç ndodhi tek “Shihemi në gjyq” të datës 10 janar të këtij viti, (ku së ëmës i bien të fikët pasi i biri i mohon sakrificat), do të thotë se prona ka kaluar kufijtë e vlerës së saj. E paimagjinushme situata që po përjetojmë në familjet shqiptare, apo thënë ndryshe, “thika ka shkuar në eshtër për këtë çështje”.
Në një kronik televizive të “Zërit të Amerikës” të datës 14 shtator 2013 thuhet se, “ Në Shqipëri po rritet me shpejtësi numri i konflikteve për problemet që lidhen me pronësinë. Përfaqësues të Fondacionit “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrveshjeve” pohojnë se rreth 80% e konflikteve kanë zanafillën e tyre problemet ende të pa zgjidhura me pronësinë” Një përqindje e tillë është shqetësuese dhe kërkon një punë kurajoze nga institucionet përgjegjëse për sheshimin e tyre një orë e më parë. Për daljen nga gjendja, për mos të pasur mbivendosje të pronave të pronarëve që degjenerojnë më pas me konflikte të hapura disa vjeçare. Konflikte brenda në familjeve, apo mes familjeve të ndryshme që i detyrojnë të rropaten dyerve të gjykatave, që tek e fundit ka një kosto financiare dhe një afat kohor që zgjat në zgjidhjen e çështjes. Mungesa e mirëkuptimit brenda anëtarëve të gjirit të familjes çon në këto situata aspak të këndshme dhe përçarëse që ndajnë pjestarët e familjes, pse jo përgjithmonë. Në kërkim të së drejtës në formë të padrejtë, përmes dhunës psikologjike, apo fizike deri në humbje jete, apo cënim. Disa ditë më parë më konkretisht, në 30 maj të këtij viti në Klos, djali godet me mjete të forta dhe plagos babanë, për çështje pronësie. Puna arrin deri aty sa babai përfundon në spitalin e traumës në Tiranë. Kaq rëndë përfundojnë konfliktet brenda familjeve shqiptare për këtë çështje. Por puna nuk duhet të shkojë më deri aty. Situatës së krijuar duhet gjendur zgjidhja një orë e më parë nga organet përgjegjëse, për të shuar konfliktet brenda familjeve shqiptare dhe gjithkush të gëzojë atë që i takon.
*****
* Redaksia e Diellit e mirepret gazetaren Majlinda Bushaj per t’u bere pjese e kontribuesve nga Shqiperia. E falenderojme qe me kete opinion qe na dergoi sot ajo po kontribuon ne Gazeten me te vjeter te Botes Shqiptare, qe publikohet ne SHBA prej 107 vitesh. Problemi që trajton në shkrimin e saj është nga më shqetësuesit , ku ish udheheqesi i fundit komunist, Ramiz Alia, na la pas sherrin e diktatures me receten: toka dhurohet sipas frymeve!. Pa zgjidhjen e problemit të pronës nuk ka për të zënë vend shteti shqiptar i hibridizuar mes trashegimise komuniste dhe demokracisë në tranzicion.
Lexues të Diellit: Lexojeni shkrimi dhe shfaqni opinionin tuaj me shkrim.
Gezim Boçari says
Eshte reale gjithe sa shkruhet ne kete opinion nga znj. Majlida Bushja. Gabimi qe realisht eshte krim kombetare, i perket atyre qe kane drejtuar politiken dhe shtetin Shqiptar ne keto 25 vjet, duke zbatuar porosine e Ramiz Alise per te ricikluar ne pushtet nje shtrese te caktuar te nomenklature se vjeter. Kjo platforme e njohur si Katovica e fermentoi diktaturen ne hajduteri. Gabimi i nderkombeareve eshte se ata e kane financuar dhe vazhdojne ta financojne kete ruge te gabuar, kur fare mire BE, FMN dhe B. Boterore mund te kushtezojne fondet qe japin per zhvillimin e demokracise me detyrimin e shtetit per te kthyer pronen e grabitur tek i zoti. Nese keto institucine nuk e bejne kete veprim, ata me parate e tyre jane vrasesit e popullit dhe te demokracise. Lobi shqiptaroamerikan dhe ne menyret te veçante Kryesia e Shoqates Patriotike Vatra duhet ta materjalizojne patriotizmin e tyre duke sensibilizuar zyrat perkatese ne Departamentin e Shtetit per sa me siper. Zgjidhja egziston por mbahet ne sitrar. Zgjidhja eshte dhene e gateshme nga Shoqata e Pronareve qe ne 2013 dhe eshte bere publike ne sitin e shoqates http://www.defendingproperty.com Drafti i pronareve eshte postuar ne shume kancelari te Botes, por per shkak te burokracise ka rene ne vesh te shurdher. Politikanet shqiptare nuk kane deshire per ta zgjidhur kete problem. Ata shmangin çdo kerkese tonen per tryeze bisedimi dhe ballafaqimi per diskutimin e mendimeve dhe zgjidhjen e problemit. Pronaret jane te detyruar ti nenshtrohen korupsionit shteterore , zgjidhja nuk mund te vije nga brenda por duhet ndihma nga jashte. Eshte koha qe intelektualet patriote shqiptroamerikane, ta thone aty ku duhet fjalen e tyre. Fondet nderkombetare ku hyjne dhe taksat e tyre nuk duhet te vazhdojne te keqperdoren per te ushqyer korrupsionin dhe per t’a shkaterruar shtetin Shqiptar. E mbyll me nje falenderim per redaksine e gazetes Dielli qe i boton pa censure mendimet tona dhe presim veprimet konkrete te kryetarit te Vatres. Prof. Dr. Gezim Boçari