-Grupi parlamentar i LDK propozoi që në rend dite të hyjë sot Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë si dhe
-Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës, si pika 18 e 19. Propozimi i mbështetur edhe nga grupi parlamentar i PDK u miratua me 70 vota pro, 12 kundër e 1 abstenim/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Qershor 2016/ Kuvendi i Kosovës po zhvillon sot seancë plenare të nisur me deklarime jashtë rendit të ditës, para së cilës në mëngjes qeveria mbajti mbledhjen e 95-të, të 27-tën në vitin 2016, pas asaj të djeshme si dhe të hënës, në të cilën ka miratuar Projektligjin për Vazhdimin e Mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, (EULEX Kosova). Ligji është proceduar në Kuvend, por ende nuk ka hyrë në axhendë seance plenare, meqë ndërkohë nuk u mbajt mbledhja e ftuar e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare dhe kanë vazhduar komunikimet mes krerëve të shtetit dhe përfaqësuesëve të BE-së.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dje në mbledhje të qeverisë ka informuar për arritjen e marrëveshjes me Bashkimin Evropian lidhur me vazhdimin e mandatit të EULEX-it, dhe ka paralajmërur se ky ky ligj do jetë në axhendën e seancës plenare të Kuvendit për shqyrtim dhe miratim, pasi kabineti qeveritar të zhvillojë edhe një takim tjetër, i cili u mbajt sot.
“Kemi pasë një takim me presidentin, me kryetarin e Kuvendit, me përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë dhe me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, me përfaqësues të Ambasadës Amerikane, dhe është arrit marrëveshja lidhur me EULEX-in”, tha Mustafa dje në mbledhjen e qeverisë.
“Ne presim ta marrim këmbimin e letrës nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federika Mogherini”, tha kryeministri i Kosovës.
Lidhur me këtë çështje kabinetin qeveritar e ka informuar edhe zëvendëskryeministri i pare e ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili ka vlerësuar arritjen e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për mandatin e EULEX-it për dy vitet e ardhëshme.
“Në negocimin tonë kemi pasë parasysh dy kritere: e para, që të shfrytëzohet në maksimum mundësia e institucioneve tona për ta ushtruar sovranitetin e plotë në fushën e gjyqësisë dhe prokurorisë dhe njëkohësisht kemi pasë mundësinë edhe kemi shfrytëzuar autoritetin edhe të EULEX-it për ekspertizën e tyre në dy vitet e ardhshme. Kemi arritur një marrëveshje që është në përmbajtjen e letrës së plotë të presidentit që e ka dërguar me datën 9 qershor te Mogherini”, tha ai.
“Mbrëmë e kemi marrë edhe letrën kthyese të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, prandaj kemi proceduar edhe një herë me këto dy projektligje të cilat janë të harmonizuara me letrën e presidentit dhe me Bashkimin Evropian”, tha sot në mbledhjen e qeverisë kryeministri Mustafa.
Kabineti qeveritar fillimisht ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.
Pas mbledhjes së sotme të qeverisë, derisa zhvillon punimet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, deputetëve u është shpërndarë projektligji për marrëveshjen Kosovë – BE për vazhdimin e Misionit të EULEX-it deri në 15 qershor 2018
Grupi parlamentar i LDK propozoi që në rend dite të hyjë sot Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë si dhe
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës, si pika 18 e 19. Propozimi i mbështetur edhe nga grupi parlamentar i PDK u miratua me 70 vota pro, 12 kundër e 1 abstenim. Votim kundër këtij propozimi paralajmëroi grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, duke kërkuar kohë për shqyrtim dhe procedura për këto projektligje.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës të hënën, gjatë ditës, në një mbledhje me shefat e grupeve parlamentare ka ftuar seancën plenare për sot – në 16 qershor, por pas mbledhjes në mbrëmje të qeverisë dhe procedimit të saj të Projektligjit për vazhdimin e mandatit të EULEX një seancë tjetër plenare parlamentare urgjente pritej të mbahej më herët.
Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme, sipas axhendës, do të votojë Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10, i cili është shqyrtuar në seancën e 9 qershorit.
Votimi për këtë projektligj u shty për në seancën e radhës, me kërkesë të Grupit Parlamentar të LDK-së, pasi s’do mund të kishte vota të mjaftueshme për miratim, meqë grupi parlamentar i subjektit politik më të madh opozitar, Lëvizjes Vetëvendosje, paralajmëroi abstenim.
Linja Hekurudhore 10 është 148 kilometërshe nga Hani i Elezit, kufiri jugor me Maqedoninë, deri në Leshak, kufiri verior me Serbinë, duke kaluar nëpër Fushë Kosovë e Mitrovicë, ndërsa është e rëndësishme edhe për rajonin.
Kuvendi i Kosovës në seancën plenare në 16 qershor do të shqyrtojë një varg projektligjesh dhe raportesh, me axhendën e përcaktuar nga
Kryesia në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare.
Në fillimjavë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim lamtumirës shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Gabriele Meucci, të cilin e falënderoi për angazhimin dhe kontributin e tij gjatë misionit, duke vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet EULEX-it dhe institucioneve të Kosovës në avancimin e proceseve, gjatë kësaj periudhe.
Shefi i deritashëm i EULEX-it, Meucci, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, duke e falënderuar kryeministrin Mustafa për bashkëpunimin e ofruar.