-Në mungesë kuorumi u dha pushim sot në seancë plenare me 28 pika në axhendë/
-Ende nuk dihet kur do vijojë seanca e jashtëzakonshme për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e nisur të mërkurën e kësaj jave dhe e shtyrë për herë të katërt në pritje të sigurimit të dy të tretave të votave – së paku 80 nga Kuvendi 120 anëtarësh/
-AAK: Teksti i Marrëveshjes u ndryshua. LDK: Nuk u ndryshua…/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 2 Mars 2018/ Kuvendi i Kosovës ka nisur sot një seancë të re plenare me 28 pika në axhendë, 17 prej tyre projektligje. Në fillim të seancës kishte deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, pas të cilave u dha pushim meqë nuk kishte kuorim për të vijuar me shqyrtimin e votimin në pikat vijuese të axhendës. Seanca është braktisur Lëviza Vetëvendosje pasi depuutetit të saj Frashër Krasniqit iu ndërpre që në fillim deklarimi jashtë rendit të ditës nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.
Seanca pritet të vijojë pasdite me shqyrtimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Stitching Spark-ut të Holandës mbi mbështetjen e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit Mitrovica.
Në axhendë janë edhe dy projektligje të tjera për ratifikime – të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim Ada, si dhe Marrëveshjes për Themelimin e Shkollës Rajonale të Administratës Publike.
Sot bëhet edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Miniera dhe Minerale, si dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për kryeqytetin e Republikës së Kosovës/Prishtinën, i cili është miratuar në parim në 29 nëntor 2017.
Në axhendën e seancës së Kuvendit me fillim sot është edhe debati parlamentar lidhur me takimin e katërt të përbashkët të Komisionit Parlamentar të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, BE-Kosovë, të mbajtur më 17-19 janar 2018, në Strasburg, Francë.
Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë për herë të parë është mbledhur në Prishtinë në 16-17 maj 2016, në të cilin vit, në 1 prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 nëntor.
Kuvendi i Kosovës zhvilloi dje seancën plenare të 8 dhe 9 shkurtit me 5 pika në axhendë, mes të cilave interpelanca sipas kërkesës së grupeve parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosjes lidhur me vendimin e qeverisë së Kosovës të datës 20.12.2017 për rritjen e pagave të anëtarëve të Kabinetit qeveritar, vendimin e datës 12 janar 2018 për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarave që marrin paga nga buxheti i Kosovës, si dhe vendimin e datës 12 janar 2018 për lartësinë e pagesës mujore për familjet në Skemën e Ndihmave Sociale. Lidhur me këtë, pas debateve, Kuvendi nuk kishte kuorum për votimin e rekomandimeve të harmonizuara nga dy grupet parlamentare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Në axhendë ishte edhe debati parlamentar, sipas kërkesës së nënkryetarit të Kuvendit, Kujtim Shala dhe 6 deputetëve nënshkrues, lidhur me Raportin e 100 ditëve të punës të qeverisë së Republikës të Kosovës; shqyrtimi i propozim-vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për ratifikimin e 9 anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, si dhe votimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2016.
Të hënën, në 5 mars, Kuvendi do të mblidhet në një seancë të veçantë, në shënim të 20 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rënies së Komandantit Legjendar Adem Jashari e të Familjes Jashari në Prekaz.
Ende nuk dihet kur do vijojë seanca e jashtëzakonshme për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e nisur të mërkurën e kësaj jave dhe e shtyrë për herë të katërt në pritje të sigurimit të dy të tretave të votave – së paku 80 nga Kuvendi 120 anëtarësh.
Sipas deklaratave të deritashme, për Projektligjin janë të sigurta edhe 27 votat e grupit parlamentar të LDK dhe bashkë me 23 të PDK, 10 të AAK, 6 të Nisma-s e 2 të deputetëve të AKR që janë pa grup parlamentar bëjnë gjithësej 68 vota pro.
Kur këtyre u shtohen edhe 6 votat e grupit Gjashtë Plus të komuniteteve pakicë joserbe dhe 4 të deputetëve tjerë pa grup parlamentar, mes të cilëve një serb që është deklaruar për ratifikimin e marrëveshjes që është edhe një kusht për liberalizim vizash, numri total i votave pro arrin në 78, ndërsa për kalimin e Projektligjit duhen së paku edhe 2 vota për të arritur 80-shin.Mbetet të shihet a do të sigurohen ato vota të nevojshme pro nga dy partitë që janë deklaruar kundër – Lëvizja Vetëvendosje opozitare me 32 deputetë dhe Lista Serbe, pjesë e koalicionit qeverisës, me 10 deputetë.
AAK: TEKSTI I MARRËVESHJES U NDRYSHUA. LDK: NUK U NDRYSHUA…
Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në mbrëmjen e 28 shkurtit 2018, ka dërguar këtë reagim:“Kryeministri Haradinaj, Kryetari i Kuvendit Veseli, Shefi i GP Abdullah Hoti, Kryetari Nisma-s Limaj dhe ai i AKR-së Pacolli, kanë arritur marrëveshjen e mësipërme për Demarkacionin! Ndërkohë teksti i kësaj marrëveshjeje është ndryshuar në Komisioninin për punë të jashtme të Kuvendit, që kryesohet nga LDK-ja, duke e rrezikuar kështu gjithë atë që është arritur me shumë mund për të ardhur deri në këtë pikë. Nê tekstin që ka dalë nga ky Komision, jo vetëm që është ndërruar renditja e pikave të dakorduara, por Dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror, është renditur si pikë e fundit dhe jasht Pjesës përbërëse të këtij ligji! Është e papranueshme nëse dikush në këtë fazë, me ose pa vetedije, e rrezikon votimin e një marrëveshjeje të dakorduar. Prandaj ky është alarm për të gjithë protagonistët e kësaj marrëveshjeje, që të mos bëjnë kalkulime politike, por t’i përmbahen pikë për pikë asaj! Në të kundërtën rrezikohet që gjithçka të kthehet në pikën ZERO!
GRUPI PARLAMENTAR I AAK”
Kryetari Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në të njëjtën mbrëmje, është përgjigjur:
“Marrevshja sic shihet ne foton ne vijim per nenin 3 te ligjit per demarkacion eshte arritur te enjten mbrema (22 shkurt) me partite e koalicionit (PDK dhe Nisma). Le ta vertetojne kete te pranishmit ne zyren e kryetarit te Kuvendit. Marreveshja eshte shkruar ne zyren e tij.
Ate nate z.Haradinaj nuk deshironte te komunikonte fare. Te shtunen jemi njoftuar se ai e ka pranuar ate.
Sot ne Kuvend e kam lexuar tekstualisht kete marreveshje dhe eshte aprovuar ne Komisionin per Politike te Jashtme si amandament. Transkripti i Kuvendit e verteton kete. Kjo eshte e verteta.”


