-Betimi i deputetëve: Punë në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj/
-Koalicioni fitues i zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma kërkoi 2 orë shtyrje të pikës së tretë të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës – Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit. Ky propozim u rrëzua me barazim. Pas kësaj, deputetët e PDK-AAK-Nisma lëshuan sallën e seancës. Më pas edhe deputetët tjerë. Nuk është e qartë kur do vijoi seanca/
- SEANCA KONSTITUIVE E KUVENDIT TË KOSOVËS VAZHDON SOT NË ORËN 15:00
Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të nisur paradite, është ftuar për në orën 15:00 të pasditës së sotme.
Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit, është në axhendë, u njoftua zyrtarisht.
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 3 Gusht 2017/ Në seancën e sotme konstituive të Kuvendit të Kosovës, fillimi i së cilës u vonua derisa në sallë nuk kishte ardhë ende koalicioni fitues-PDK-AAK-Nisma, kishte disa pritje e ndërprerje, ndërsa ende nuk ka përfundim.“Çfare jam unë e nisi pa ata”, tha kryesuesi- deputeti më i vjetër, Adem Mikullovci i VV-së, derisa në seancën konstituive ende nuk kishin ardhë deputetët e koalicionit fitues-PDK-AAK-Nisma. Kryesuesi mengjithatë tha se do presë “edhe 5 minuta”, ndërsa priti edhe më shumë kohë.Pasi kaluan minutat kryesuesi Mikullovci e nisi mbledhjen, ndërsa konstatoi se ndihmësja – deputetja më e re, Teuta Rugova e LDK ende nuk kishte ardhur në seancë në vendin e kryesimit. Deputeti kryesues, aktori Mikullovci, pasi recitoi një vjershë, tha se në sallë janë të pranishëm 73 deputetë.“Forumi ekziston, PAN-i nuk ekziston”, tha Mikullovci dhe vazhdoi me pikën e parë të rendit të ditës të seancës konstituive të Kuvendit.Ai konstatoi se nuk ka ardhur në seancë as Lista Serbe. “Qendron Kastrati e zëvendëson Teuta Rugovën që nuk ka ardhur”, tha kryesuesi për zëvendësimin me deputetin tjetër të ri të deputetes më të re në kryesimin e seancës. Qëndron Kastrati është deputet i VV dhe me bashkëpartiakun Mikullovci tashmë ishte në kryesim të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që po zhvillohej pa koalicionin fitues.
Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, që ishte pikë e parë, u bë me shumicë votash me 72 vota pro të 73 deputetëve të pranishëm. Komisioni pas pushimit 30 minutësh që u dha i raportojë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
LISTA SERBE NË SEANCËN E KUVENDIT TË KOSOVËS
Pas pushimit kryesuesi i seancës konstituvie të Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, konstatoi se në seancë kishte ardhur Lista Serbe dhe përfaqësues të minoriteteve tjera, të cilët propozuan kandidatët për formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Komisioni i plotësuar u votua me 80 vota pro-të gjithë deputetët e pranishëm, derisa koalicioni fitues PDK-AAK-Nisma edhe më tej nuk kishte ardhur në seancën që shkoi në pushimin e dytë, tash 15 minutësh.
EDHE KOALICIONI PDK-AAK-NISMA NË SEANCËN E KUVENDIT TË KOSOVËS
Pas pushimit të dytë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës në sallën plenare ardhi edhe koalicioni fitues i zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma dhe propozoi kandidatin e vet për formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Pas votimit për kandidatin përsëri u dha pushim derisa Komisioni i plotësuar të vinte për të dhënë raport në seancën e Kuvendit.
U BË BETIMI I DEPUTETËVE: PUNË NË INTERES TË KOSOVËS DHE TË GJITHË QYTETARËVE TË SAJ
Në seancën e sotme konstituive të Kuvendit të Kosovës, pas pushimit të tretë u konstatua se janë të gjithë 120 deputetët në sallë, e më pas u paraqit raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, i cili u miratua unanimisht. Seanca vijoi me dhënin e betimit të deputetëve, që ishte pikë e dytë e axhendës, dhe sipas nenit 10 të Rregullores u bë me këtë tekst deklarate:
“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane.” Betohem!
Deklaratën e betimit e lexoi kryesuesi i mbledhjes. Deputetët u betuan duke e shqiptuar në fund të deklaratës fjalën “Betohem!”. Secili deputet e nënshkroi deklaratën e betimit. Betimi u bë pas verifikimit të mandateve.
RRËZOHET PROPOZIMI I PDK-AAK-NISMA ME BARAZIM VOTASH
Pas betimit të deputetëve, koalicioni fitues i zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma kërkoi 2 orë shtyrje të pikës së tretë të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës – Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit. Ky propozim u rrëzua me barazim votash pr 60 edhe kundër 60. “Kur është rezutati i barabartë propozimi bie poshtë dhe nuk aprovohet”, tha kryesuesi i seancës, Adem Mikullovi, deputeti më i vijetër, që po ndihmohet nga deputetja më e re, Teuta Rugova.Pas kësaj, deputetët e PDK-AAK-Nisma lëshuan sallën e seancës. Më pas edhe deputetët tjerë. Nuk është e qartë kur do vijoi seanca.
MBLIDHET PËR SEANCËN KONSTITUIVE KUVENDI I KOSOVËS ZGJEDHJEVE TË 11 QERSHORIT
-Legjislatura e gjashtë në liri nga viti 1999, e treta pas pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008-
PRISHTINË, 3 Gusht 2017-Behlul Jashari/ Kuvendi i Kosovës i zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit u mlodh sot në seancën konstituive, ndërkohë që dje përfundoi regjistrimi i 120 deputetëve të çertifikuar në 8 korrik nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili më parë në 29 qershor shpalli rezultatet përfundimtare, sipas të cilave 100 mandate i kanë shumica shqiptare e 20 pakicat.Në axhendën trepikëshe të seancës janë: Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, Dhënia e betimit të deputetëve dhe Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, deri në zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve, kryesohet nga deputeti më i vjetër, aktori Adem Mikullovci, nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili është firmëtar i Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të 2 Korrikut 1990 si delegat i Kuvendit të Kosovës atëherë, ndërsa do ndihmohet në kryesim nga deputetja më e re, Teuta Rugova, e bija e presidentit historik Ibrahim Rugova, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila më e reja ishte ishte edhe në legjislaturën e kaluar, kur u zgjodh për herë të parë.
“Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”, ndërsa “mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e çertifikimit të rezultatit të zgjedhjes”, përcakton Kushtetuta.
Poashtu përcakton se, “Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë (5) nënkryetarë” dhe se, “kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”, sikurse edhe nënkryetarët, 3 të propozuar nga tre grupet më të mëdha parlamentare dhe 2 nga pakicat, 1 nga serbët e 1 nga komunitetet tjera që mbajnë vende të garantuara.
Grupi më i madh parlamentar është koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-Nisma, fitues i zgjedhjeve me 39 mandate deputetësh, ndërsa për zgjedhjen e krytetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit e mandej edhe të qeverisë për të bërë shumicën e nevojshme duhen së paku 61 vota.
Në anën tjetër, 61 vota i kanë së bashku grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje me 32 deputetë dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 29, të cilat tashmë kanë zhvilluar takimet e para për mundësitë e një koalicioni paszgjedhor me synim krijimin e qeverisë së re në pritje të mosvotimit të qeverisë së të nominuarit të parë, duke deklaruar edhe voten kundër ndonjë kandidati për kryeparlamentar të propozuar nga koalicioni fitues i zgjedhjeve.
Në votimet në konstituimin e Kuvendit dhe për zgjedhjen e qeverisë, si dhe në vendimmarrje tjera parlamentare, pjesë e rëndësishme e procesit janë edhe 20 deputetët e komuniteve pakicë. Komuniteti serb ka 10 vendet e garantuara, 9 të Listës Serbe dhe 1 të Partisë së Pavarur Liberale, ndërsa edhe 10 deputetë janë të komuniteteve tjera pakicë.
Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të legjislacionit të kaluar me përfaqësuesit e partive parlamentare të zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit është përcaktua edhe ndarja e ulëseve të deputetëve në sallën e mbledhjeve plenare, e cila do ketë një pamje e renditje të re.
PDK nuk ndërron vend, deputetët e saj bashkë me të AAK e Nisma si grupi më i madh parlamentar i koalicionit parazgjedhor do të ulen në qendër të sallës plenare. Por, në këtë grup vend ndërrojnë deputetët e AAK-së që në legjislaturën e kaluar uleshin pas VV-së, derisa ata të Nismës uleshin pas PDK-së.
Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do të ulet në krahun e djathtë të kryesuesit të seancës së Kuvendit, ku në legjislaturën e kaluar ulej Lidhja Demokratike e Kosovës. Në anën e majtë, atje ku më parë uleshin deputetët e VV-së, tash do të ulen deputetët e grupit parlamentar të koalicionit parazgjedhor LDK-AKR-Alternativa.
Rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm ta krijojë qeverinë e re, prandaj koalicionet paszgjedhore, që nuk janë bërë ende, janë të domosdoshme si e vetmja alternativë për të mos shkuar sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme paralamentare, ndërkohë që Kosovën e presin edhe zgjedhjet e rregullta lokale këtë vit, në 22 tetor, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.
Një muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në 10 maj, Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash, të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK, të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve të 8 qershorit.
Në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017 ishin të gjashtat në liri, të tretat pas pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 të njohur deri tani nga 114 shtete anëtare të OKB-së, ndërsa u zhvilluan tre vjet pas zgjedhjeve të kaluara që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001.
Ndërsa, zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para 25 vitesh, në 24 maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të okupimit. Raportimet nga ato zgjedhje të para çerek shekulli, që bëheshin me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, shënonin fillimet e korrespondenturës së ATSH në Kosovë.
Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 shtator 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 për qind.
Në mbledhjen 2 majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.