Kongresmeni Engel duke folur për proceset në Kosovë përgjatë 20 viteve të kaluara tha se ishte koha që Kosova të lëvizte para, të bëhej shtet i pavarur e sovran./
Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti një seancë solemne për shënimin e 25-vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, në të cilën u tha se kjo Deklaratë përbën një moment të rëndësishëm të historisë së Kosovës.
Në këtë seancë ishin të pranishëm edhe deputetët e asaj kohe si dhe miku i Kosovës, Eliot Engel.
Kongresmeni, Eliot Engel në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës tha se kur vjen në Kosovë ndihet si në shtëpinë e tij dhe kosovarët janë shumë mikpritës.
“Sa më shumë që kam dëgjuar për padrejtësitë që po i bëhen Kosovës, aq më shumë kam dashur ta luftojë këtë padrejtësi”, tha ai.
Engel përmendi një ngjarje të viteve 90-ta kur kishte dashur të vinte si vëzhgues zgjedhjesh, por që regjimi i Millosheviqit nuk e kishte lënë të hynte në Kosovë, duke e quajtur njeri problematik. Ai me këtë rast tha se pati mbajtur konferencë për media në kufi me Maqedoninë.
Kongresmeni Engel duke folur për proceset në Kosovë përgjatë 20 viteve të kaluara tha se ishte koha që Kosova të lëvizte para, të bëhej shtet i pavarur e sovran.
Ka shumë gjëra për të cilat tha se duhet të bëhen në Kosovë, si sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, zhvillimi i ekonomisë. “Dua të shoh demokraci, sundim ligji”, u shpreh Engel. “Prej zemre e dua Kosovën dhe do ta keni mbështetjen time gjithmonë”, tha Engel.
Kongresmeni foli edhe për Gjykatën Speciale, për të cilën tha se duhet të formohet nga institucionet e Kosovës. Ai tha se nëse nuk do të formohet nga institucionet e Kosovës, ka frikën se do të formohet nga Kombet e Bashkuara, e kjo tha se do të ishte problematike për Kosovën pasi ka vende që nuk e njohin shtetin e Kosovës.
“Kjo do të ishte problem shumë i madh për Kosovën”, tha Engel. Ai tha se dëshiron të shoh Kosovën në BE dhe të bëhet liberalizimi i vizave.Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Deklarata kushtetuese e 2 Korrikut përbën një moment të rëndësishëm të historisë së Kosovës.
“Ishte një përballje e madhe me nacionalizimin e egër serb”, tha Veseli.
Kryeparlamentari tha se delegatët e Kuvendit të Kosovës bën atë që ishte vullnet i qytetarëve të Kosovës të asaj kohe.
Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës u shfaqën sekuenca të asaj kohe, ku bëheshin përgatitjet për miratimin e Deklaratës kushtetuese, 1990.
Ndryshe, Më 2 korrik të vitit 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës, miratuan publikisht, para Kuvendit të Kosovës, Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.
Ky ishte një akt historik që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për mëvetësi shtetërore e territoriale nga Serbia.
Miratimi i kësaj deklarate paraqet padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar.