*I lutem kryesisë së Federatës Vatra që të interesohet pranë familjes Athanas për fatin e gjithë atyre objekteve me vlera historike e muzeale që të mos dëmtohen e shpërndahen, por të paketohen e t’i dërgohen drejtorisë së Arkivit Qendror të Shqipërisë./
Nga Thanas L. GJIKA/
Dje, më 12 prill me prishjen e restorantit historik ANTONY’S PIER FOUR qyteti Boston MA u varfërua duke humbur një godinë muzeale, që kishte shërbyer për më shumë se 50 vjet si restorant madhështor dhe si një institucion i shqiptarizmit.
I paharrueshmi Antony Athanas dhe djemtë e tij kishin pritur e përcjellë atje burra shteti dhe njerëz të shquar nga e gjithë bota. Me fotografitë e ekspozuara të pronarëve të rstorantit me vizitorët e shquar ky restorant ishte dhe një muze i gjallë, sidomos për komunintetin shqiptar të shtetit Massachusetts dhe më gjerë.
Në ambjentet e këtij restoranti mijëra shqiptarë të diasporës së vjetër e të re kishin festuar më 28 nëntor ditën e flamurit, aty kishin celebruar drekat e darkat e ditëlindjeve, të pagëzimeve të fëmijëve dhe të ngjarjeve të tjera të shënuara. Shumë prej tyre kishin bërë foto me pronarët e restorantit dhe sejcili prej tyre kishte kujtimet e veta.
Aty punoi regullisht çdo ditë atdhetari i shquar Antony Athanas. Legjenda shqiptare e Amerikës, deri në moshën 91-vjeçare, i cili bashkëpunoi gjatë me Hirësinë e Tij Peshkop Fan Nolin, me Qerim Panaritin (kryetari i shoqërisë Vatra për shumë vjet), me At Arthur Liolinin, si dhe me shumë veprimtarë të shquar të komunitetit shqiptar. Ai ruante në mendjen e vet kujtime për shumë ngjarje të rëndësishme për jetën e diasporës sonë të vjetër e të re.
Mirëpo vlerat muzeale e memuaristike të këtij institucioni dhe të pronarit të tij kryesor, qeveria shqiptare dhe komuniteti ynë nuk i vlerësoi si duhej. Kurrë nuk u interesua Arkivi Qendror i Shtetit e asnjë institucion tjetër ose individ për të mbledhur kujtimet e z-njve Athanas at e bij dhe as për të riprodhuar fotografitë historike të këtij institutcioni me vlera për historinë e komunitetit dhe të mbarë botës shqiptare. Madje pati persona të lidhur me fije të padukshme me agjenturën komuniste që guxuan ta luftonin duke shkaktuar ngjarje të shëmtuara, si grindje të ndryshme brenda e jashtë restorantit dhe më keq akoma një ndezje zjarri gjatë simpoziumit të organizuar me rastin e 600-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. U punua që prestigji i këtij restoranti të ulej me qëllim që shqiptarët e riardhur të mos shkonin atje, por në restorantet e rinj që po hapnin disa simpatizantë e veprimtarë të PPSH-së / PS-së.
I lutem kryesisë së shoqërisë Vatra që të interesohet pranë familjes Athanas për fatin e gjithë atyre objekteve me vlera historike e muzeale që të mos dëmtohen e shpërndahen. Në rast se nuk ka mundësi të krijohet një muze i diasporës shqiptare në Boston, atëhere ato materiale të paketohen e t’i dërgohen drejtorisë së Arkivit Qendror të Shqipërisë.
Meqenëse këto ditë ndodhet për vizitë këtu z. Rama, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë do të ishte mirë që të kërkohej dhe ndërhyrja e tij për një nismë të tillë.
Gjon Buçaj says
I nderuem z. Thanas,
e çmoj shkrimin tuej dhe, sidomos, shqetsimin për trashigiminë që ruente ndërtesa ikonë e restorantit të famshëm “Anthony’s Pier 4”.
Për fat të keq nuk kemi kontake direkte me trashigimtarët e të Ndjerit. Na ruejmë në “VATËR” nji medalje të Urdhërit “Nene Tereza” që Presidenti i kohës Bamir Topi i kishte akordue post mortem Anthony-t Athanas, për aktet e tija bujare të bamirësisë.
Dekoratën me motivacionin përkatës, i propozuem nga “VATRA”, e pat dorëzue vetë President Topi në New York. Mbërrijtëm t’a njoftonim zotin Anthony Jr. i cili, në pamundësi të vinte në New York me atë rast, m’u lut që medaljen t’a merrja unë në dorëzim dhe ai, Anthony Jr., do do të vinte ma vonë ta merrte në “VATËR”.
Atë medalje e ruejmë me kujdes, bashkë me dekoratën e atdhetarit vatran Kolë Tromara, si nji objekt të çmueshëm.
Ju uroj të keni sukses në lidhje me shqetsimet tueja. Kam besim se familjarët i ruejnë me dashuni objektet dhe kujtimet e Tij, ndoshta do të krijojnë nji muze familjar.
Shëlndet e të mira,
Gjon Buçaj,
kryetari aktual i “VATRËS”.