Dje, e Shtunë 27 Shkurt 2016, Komuniteti Shqiptar në Amerikë përcolli për në banesën e fundit Fatbardh Kupin, të birin e heroit të 7 Prillit, Abaz Kupi.Shqiptarët e Amerikës të ardhur nga shumë shtete, i dhanë Lamtumirën e fundit Bardhit, duke e përcjellë me dhimbje, me plot respekt e vlerësim legjendën e vuajtjeve dhe të qëndresës antikomuniste, njeriun që nuk e përkulën as prangat as vuajtjet, as seancat e zgjatura të hetuesisë,as kurthet e presionet, as jeta në ferrin e burgjeve, as vuajtjet e pafundme në kampet e internimit.
Ceremonia e varrimit u organizua në Shtëpinë Mortore Schwartz Brothers-Jeffer Memorial Chapel” ne Queens, New York, aty ku për dy ditë me radhë, të Enjten dhe të Premten, qindra bashkatdhetarë bënë homazhe dhe ngushëlluan familjen.
Të shtunën që në orët e hershme të mëngjesit shtëpia Mortore i kishte çelë dyert për të pritur familajrët, miqtë, komunitetin shqiptar, që të pikëlluar kaluan pranë arkivolit për t’i dhënë lamtumirën e fundit Fatbardhit.Arkivoli ishte i mbuluar me Flamurin Kuq e Zi,Flamurin, që babai i Bardhit, Heroi i 7 Prillit, Abaz Kupi, e pat mbrojtë me trimëri që në rininë e vet, duke ulë flamurin turk e duke vënë Shqiptarin në vend të tij. Mbi arkivol qëndronte një shqiponjë e madhe , që dukej si Engjëll mbrojtës në udhëtimin e mbramë të Bardh Kupit. Ceremoninë e organizuar para varrimit e ka moderuar zv/kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit për Amerikë, Ahmet Hoti. Ai ka ftuar për ceremoninë fetare Imamin Jusuf Balaj. Në gjuhën shqipe Imami Balaj ka vlerësuar lartë Familjen Kupi për shërbesat dhe veprat trimërore që ka bërë në shërbim të Kombit, ka veçuar aktet trimëror të Abaz Kupit në shërbim të Kombit,dhe ka vlerësuar figurën e Fatbardh Kupit, si një njeri me sjellje e moral të lartë, qëndrestar para dhunës, familjar shembullor dhe njeri i mirë. Imami Jusuf Balaj ka përcjellë Lutjen Fetare.
Më pas Hakik Mena, Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, i lindur në kampin e internimit, duke sjellë në kujtesë për sallën e mbushur plot, ditën e arrestimit të Bardhit në Kampin e Gradishtës, lartësoi figurën e antikomunisti në sytë e fëmijës së atëhershëm. Mena e cilësoi Bardh Kupin si “ikonë” e qëndresës dhe dinjitetit përballë dhunës së ushtruar nga sistemi sllavo-komunist. Më pas ai vlerësoi Familjen Kupi, dhe shprehu ngushëllime për familjen.
Kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj, duke shprehur ngushëllimet në emër të Vatrës dhe Familjes së tij, tha se ikja e Bardh Kupit, pikëllon familjen, miqtë dhe të gjitëh ne që e njohëm. Fatbardhi, pati fatin e keq se mbeti në sistemin e dhunës, ndërkohë që qëndroi i pathyshëm dhe përmbushi amanetin e atit të tij, Abaz Kupi. Dr. Buçaj ngushëlloi familjen dhe miqtë.
Bashkëvuajtësi i Fatbardh Kupit Lek Mirakaj, anëtar i këshillit të Vatrës, me dhimbje e trishtim të thellë, ngushëlloi në emër të familjes së tij dhe të gjithë Familjes Mirakaj në SHBA dhe Shqipëri, si dhe në emër të bashkvuajtësve. Mirakaj evidentoi cilësitë e larta të Bardh Kupit,fisnikërinë, dinjitetin, qëndresën, të cilin e njohur në kohët e vështira, si bashkvuajtës në burg e internim.
Ka ngushëlluar familjen edhe Gjekë Gjonlekaj, ish gazetar i Zërit të Amerikës. Zef Balaj, anëtar i bordit të Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe anëtar i Këshillit të Vatrës, solli në kujtesë takimin me Bardhin, rrëfimet e tij, në një Veprimtari të organizuar nga Albanian-American Freedom House.
Editori i gazetës Dielli, Dalip Greca,ngushëlloi në emër të familjes së tij dhe ka përcjellë mesazhin e bashkëvuajtësit të Bardh Kupit, ish deputetit Esat Çoku dhe i vëllezërve Çoku.
Gjatë ceremonisë të organizuar në Shtëpinë Mortore, u përcoll Mesazhi i ngushëllimit, dërguar nga Princi Leka dhe Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, z. Sulejman Gjana.
Në emër të familjes Kupi, foli i biri i Fatbardh Kupit, Sokol Kupi.Duke kujtuar bisedat me babain, ai tha se ndjehej krenar, ai dhe vëllai e motrat, që kishin një baba të atillë, që diti të përcjellë edukatën dhe kulturën e trashëguar nga të parët e vet, nga familja e tij, edhe në ato kushte tepër të vshtira që përjetoi familja.Ai falenderoi komunitetin që me praninë e shumtë, me fjalët ngushëlluse, ua kishin lehtësuar dhimbjen.
Varrimi u bë në në Maple Grove Cemetery, seksionin Lindor, në Keë Gardens Queens, New York.Pas përcjelljes së Lutjes fetare nga Imami Jusuf Balaj, arkivoli u vendos pranë arkivolit të bashkëshortes, gruas fisnike, Liri Kupi, e cila ndërroi jetë vitin e kaluar.
Pas varrimit, Familja shtroi një drekë.