Ka ndërruar jetë sot ne dreke në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, kantautori Françesk Radi. Lajmi konfirmohet nga burime pranë këtij spitali.
Këngëtari i mirënjohur ishte i shtruar prej një jave në reanimacionin e QSUT-së, pas një hemorragjie cerebrale. Pas goditjes në tru, ai ra në gjendje kome për të mos u zgjuar më.
Françesk Radi ka kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve Tiranë. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor. Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme .
Në fillimet e tij me krijimtarinë muzikore solli për publikun këngët “Adresa” dhe “Biçikleta”, dhe që nga ai moment Françesk Radi u bë një emër i vlerësuar. Ishin pikërisht këto dy këngët e tij të para të realizuara në vitet ’70, që bënë që krijimtaria e tij artistike të niste rrugëtimin drejt suksesit muzikor. Kënga “Adresa” dhe “Biçikleta” kanë qenë dhe videoklipet e para shqiptare në këngë të xhiruar në vitin 1972.
Më pas krijimtaria e tij muzikore do të shënonte sërish një tjetër kulm pas viteve ’90, duke sjellë disa krijime për publikun. Përmendim këtu këngët “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, “Kemi dasëm ‘o” etj, të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut.
Presidenti Nishani shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të muzikantit të shquar Françesk Radi
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka shprehur ngushëllimet e sinqerta dhe dhimbjen për ndarjen nga jeta të muzikantit, këngëtarit, kompozitorit dhe instrumentistit të shquar shqiptar Françesk Radi:
“Të dashur familjarë të Françeskut të ndjerë,
Me hidhërim dhe dhimbje të thellë mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm.
Më lejoni që në këtë ditë të dhimbshme t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta, edhe në emër të qytetarëve shqiptarë, duke ju siguruar se në cilësinë e Kreut të Shtetit gjendem shpirtërisht pranë jush në këto çaste tejet të vështira e të trishtueshme!
Me largimit e parakohshëm nga kjo jetë të Françeskut të ndjerë, muzikës shqiptare, kolegëve dhe admiruesve të tij do t’u mungojë intepretuesi virtuoz, këngëtari i rrallë, tekstshkruesi gjenial, muzikanti i talentuar dhe autori i paarritshëm i një krijimtarie të pasur këngësh e kompozimesh, që pasuron cilësisht e në mënyrë origjinale thesarin e trashëgimisë muzikore bashkëkohore e shpirtërore të popullit shqiptar.
Edhe një herë ngushëllimet më të ndjera dhe Françeskut i pastë dritë shpirti përjetësisht!”, shprehet Presidenti Nishani në ngushëllimin e tij.
***
Gazeta”Dielli” i shpreh ngushëllime familjes së Francesk Radit!.