Pas një sëmundjeje të rëndë,me 16 korrik 2018, është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare, ‘Artisti i Merituar’ durrsak, autor i qindra roleve, humoristi Fadil Hasa.
Ishin miqtë e tij Muharrem Hoxha, Haxhi Rama, Roland Koça, që kanë dhënë lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të kolegut me të cilin kanë ndarë jo vetëm role në skenë, por edhe dekada jetë.Homazhet jane mbajte sot, ditën e martë nga ora 10:00 deri në 11:00 në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Qindra qytetarë i kanë dhënë lamtumirën e fundit aktorit të mirënjohur të humorit Fadil Hasa.Homazhet në nderim të figurës së tij kanë nisur në orën 10:00 në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu”, ku aktorë nga i gjithë vendi kanë kryer homazhe.Vlerësime për aktivitetin e tij kanë dhënë edhe drejtues vendorë, deputetë si dhe figura të shquara të skenës shqiptare. Koleget dhe miqte e kane vajtuar dhe vleresuar gjigandin e humorit shqiptar:
Muharrem Hoxha: “Si do jetoj pa të. Kam një jetë të tërë me të, me humorin e tij, më ka mësuar, e kam pasur kolego por me shumë prind. Më ka dhënë dorën në fillim dhe nuk ma ka lëshuar deri në fund.”
Ish-regjisori i estradës së Durrësit, Haxhi Rama, është shprehur se me ikjen e Fadil Hasës në kemi humbur diçka nga vetja jonë.
Haxhi Rama: “Kur të vdes një mik, vdes edhe ti pjesërisht.”
Vlerësime ka marrë aktori edhe nga një tjetër regjisor i njohur durrsak,Gjergj Vlashi.
Për të kryer homazhe në Durrës ka qenë edhe ish-kryetari i PD-së Sali Berisha si dhe kryetari aktual Lulzim Basha.Basha vlerësoi aktivitetin e Fadil Hasës, i cili bëri shqiptarët të buzëqeshnin në një kohë të errët.
Lulzim Basha: “Në Shqipërinë e ditëve të errta dinte të sillte buzëqeshje.”Pak pas orës 11:00, arkivoli me trupin e aktorit Fadil Haza është nisur drejt varrezave.
Hasa mbante titullin “Artist i Merituar”, ndërsa kishte marrë 4 herë titullin “Artisti më i mirë”. Lindur më 1940, Hasa ka luajtur shumë role në filmat shqiptarë dhe teatro.
Ai ka luajtur rolin emblemë të “Mao ce Dun”, në vitin 2007, rol ku ka marrë edhe titullin “Aktori më i mirë”. Rolet e tij i kanë dhënë një vlerësim nga publiku, nga mënyra sesi aktori Hasa trajtonte problemet e shoqërisë shqiptare me nota humori.
Ka luajtur role të ndryshme në komedi, skece, parodi e pantonima e forma të tjera të humorit. Për publikun shqiptar të njohura janë disa role si Lushi në “Sheqer, sheqer” ; Rrema tek “Or ti i kshillit”; Hamdia në “Mysafiri i paftuar”; tek monologu “Qyli” etj.
Pjesa “Dajrja”, krah kolegut Muharrem Hoxha, mbetet e paharruar, e po kështu edhe të tjera pjesë, si “Tekniku i lavatriçes”, “Tungjatjeta pelivan”; apo copëza humori, të cilat shfaqeshin për natën e fundvitit në ekranin e televizionit publik shqiptar, mbeten edhe sot, si perla të humorit.
Fadil Hasa ka luajtur edhe në filma artistike si : Zëvendësi i grave (1987) roli i Shabanit; Mao Ce Dun (2007) roli i Hekuran Romalinit; Kronikë provinciale (2009). Vendlindja e tij është Kruja, por ai njihet nga të gjithë si Fadili i estradës së Durrësit.