*Me datë 9 dhjetor, siç njofton kryeipeshkvia e Tiranë-Durrësit, do të mbahen homazhet zyrtare nga ora 10.00 – 13.00. Po nesër, në orën 16.00, lutja e mbrëmësores e më pas kremtimi i meshës./
*Ditën e enjte në orën 10.00 do të fillojë mesha e dritës, të cilën do ta drejtojë Shkëlqesia e Tij imzot Ramiro Molinar Ingles, Nunc Apostolik në Shqipëri./
Ne Foto: Shen Gjon Pali II dhe Imzot Rrok Mirdita/Katedralja e Shën Palit në Tiranë u hap vetëm dje, në orën 19.30, por njerëzit që janë vënë në radhë për të nderuar kujtimin e imzot Rrok Mirditës, kryeipeshkvit të Tiranë-Durrësit, që ndërroi jetë dje, janë me qindra. Besimtarët katolikë, por edhe shumë të tjerë, të cilët e njihnin dhe e vlerësonin, ndalen para trupit pa jetë, vendosur në katedralen, që ndërtoi vetë, dhe luten, përshëndesin ipeshkvin e parë të Tiranës pas komunizmit, i fundmi nga katër të parët, që shuguroi shën Gjon Pali II më 25 prill 1993.Sot, ndërsa Papa Françesku hapi në Romë Portën Shenjte të Jubileut të Mëshirës, në katedralen e Shën Palit u kremtuan dy meshë. Imzot Mirdita kaloi në Shtëpinë e Atit Qiellor, në vigjiljen e dy festave, Jubileut dhe solemnitetit të Zojës së Papërlyer, Nënës së Kishës, e cila, me siguri ia bën më të lehtë kalimin e Portës së tij të Mëshirës për amshim. Gjatë gjithë ditës, edhe njerëzit e shumtë e kanë shoqëruar me lutje kalimin e atij, që tani lutet prej Qiellit për besimtarët e grigjës së vet e për krejt popullin shqiptar.
Nesër, me datë 9 dhjetor, siç njofton kryeipeshkvia e Tiranë-Durrësit, do të mbahen homazhet zyrtare nga ora 10.00 – 13.00. Po nesër, në orën 16.00, lutja e mbrëmësores e më pas kremtimi i meshës.
Ditën e enjte në orën 10.00 do të fillojë mesha e dritës, të cilën do ta drejtojë Shkëlqesia e Tij imzot Ramiro Molinar Ingles, Nunc Apostolik në Shqipëri. Predikimin do ta mbajë Shkëlqesia e Tij imzot George Frendo, ipeshkëv ndihmës i Tiranë-Durrësit. Ndërsa salikimi dhe përshëndetja e fundit te varri do të mbahet nga Shkëlqesia e Tij imzot Angelo Massafra, kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë dhe kryeipeshkëv metropolit i Shkodër-Pultit.
Trupi i imzot Mirditës do të pushojë në Kriptën e Katedrales, në vendin e caktuar për varrimin e ipeshkvijve, sipas traditës së Kishës Katolike.
Kujtojmë se imzot Rrok Mirdita u shtrua me urgjencë mbrëmjen e 4 dhjetorit në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, pas një hemorragjie cerebrale, por pavarësisht nga ndërhyrja kirurgjikale, gjendja e tij nuk pati përmirësime. Në orën 14.30 të së hënës mbylli sytë.
Imzot Rrok Mirdita pati fatin të priste dy papë në Shqipëri, shën Gjon Palin II dhe Papën Françesku. Shoqëroi gjithë procesin e botimit të Biblës së plotë, për herë të parë në shqip, duke përcjellë mons. Simon Filipajn tek Papa. Qe i pranishëm në të gjitha ngjarjet e mëdha të tranzicionit të Shqipërisë, por sidomos të Kishës, drejt rilindjes. E deshi me shpirt popullin shqiptar dhe u përkushtua për të. Natyrisht, Kisha Katolike në Shqipëri është tani në zi, por mbetet me vështrimin e ngulur në Krishtin dhe e ka zemrën plot me shpresën e krishterë, sepse siç thuhet në Ungjillin sipas Gjonit (16,22): “Ju tani jeni në dhembje, por unë do t`ju shoh përsëri dhe zemra juaj do të gëzohet.”
sami repishti, USA says
Pushofte ne paqen e perhereshme qe aq shume e meriton.