“Lamtumirë i shtrenjti dhe i paharruari ynë”, me këto fjalë është përcjellë në banesën e fundit në “Varrezat e Dëshmorëve” komisari i Burrelit, Musa Skura. Pas ceremonisë së homazheve në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë ku morën pjesë personalitetet më të larta të vendit, kryeministri Berisha, krerë të partive politike, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit trupi i tij i mbuluar nga flamuri kuq e zi u varros në Varrezat e Dëshmorëve. Vëllai i Musa Skurës pas falenderimeve të rastit, u shpreh se ai tani nuk do njihet më vetëm vëllai i tij, por si djali i të gjithë Matit. “Na la krenarinë, kujtimi i Musait do jetë me ne përjetë”, tha ai. Banda frymore përcolli nota funebre për të krijuar solemnitetin e nevojshëm, të shoqëruara në fund me të shtëna topi për të krijuar nderimin e duhur për një dëshmor.
Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj: Musa Skura, simbol i vlerave morale dhe njerëzore
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, tha në ceremoninë mortore të Shefit të Krimeve të Burrelit, Musa Skura, në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, se “Komisar Skura është simbol i vlerave morale dhe njerëzore”. Duke vlerësuar figurën e Musa Skurës, Burgaj theksoi se “ky hero nuk rreshti 28 vjet duke punuar për të mbrojtur qytetarët e vendit të tij”. “Të gjithë jemi krenarë për jetën dhe veprën e Dëshmorit të Atdheut, Musa Skura, i cili nga sot do të prehet aty ku prehen edhe heronjtë e tjerë të demokracisë”- tha Burgaj.
Kryeministri Berisha: Ndëshkim maksimal autorëve
Kryeministri Berisha pas homazheve, vlerësoi lart figurën e komisarit Musa Skura. Ai, tha kryeministri dha jetën në krye të detyrës, duke u bërë shembulli i sakrificës për të vendosur rend e siguri. “Erdha të shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin e qeverisë famljes së komisarit Musa Skura që ra në krye të detyrës, në përballje me falangat e krimit, të shpreh ngushëllimet për efektivat e policisë së shtetit për këtë humbje të madhe. Ishte një nga komisarët më të shkëlqyer, më trima, më të vendosur, qytetar shembullor e prind i shkëlqyer. Shembull do të mbetet sakrifica sublime e komisar Skurës, burrëria e tij do jenë frymëzim për të garantuar sigurinë e jetës”, tha ai. Kreu i qeverisë nënvizoi më tej se drejtësia do veprojë forcërisht për çdo rast kur krimi godet uniformat blu. “Do merret çdo lloj hapi ligjor brenda kuadrit demokratik kushtetues, qeveria e gatshme ta marrë, por nga ana tjetër në të dyja rastet drejtësia po vepron dhe do veprojë forcërisht”, shtoi Berisha duke iu referuar edhe rastit të komisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, i cili ashtu si Skura humbi jetën në krye të detyrës.
Ilir Meta: Burg përjetë kujtdo që ngre dorën mbi policët
Kryetari i LSI-së Ilir Meta nënvizoi edhe njëherë se LSI do kërkojë forcimin e ligjit për të ndëshkuar këdo që ngre dorë mbi policët. Pas homazhe në nderim të ish shefit të krimeve të Burrelit Musa Skura, Meta deklaroi se goditja e krimit bëhet përmes forcimit të masave ligjore. “Natyrisht që sot është një ditë e trishtë për të gjithë, jo vetëm për familjarët e kolegët. Krimi ka goditur përsëri shtetin, ka marrë jetën e një punonjësi shembullor. Ne duhet të marrim masa të forta dhe konkrete për forcimin e ligjit, për goditjen e krimit. Ne do propozojmë ashpërsim të Kodit Penal, do propozojmë që kushdo ngre dorë mbi policët, të dënohet vetëm me burgim të përjetshëm”, tha ai.
Homazhet
Ceremonia e homazheve nisi më vonë se sa orari i parashikuar rreth orës 11:45, për shkak të vonesave që pati mbërritja e trupit në portin e Durrësit. Në ceremoni përveç familjarëve e të afërmve, ndodheshin për të nderuar figurën e Musa Skurës edhe autoritete shtetërore e ushtarake. Në ceremoni mbërriti kryeministri i vendit Sali Berisha rreth orës 12:30. Pas tij komisari u nderua nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe ministri i Brendshëm, Flamur Noka. Po ashtu homazhe zhvilluan dhe kryesocialisti Edi Rama, i shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi dhe deputetë të qarkut të Dibrës e Shkodrës homazhe për nder të Musa Skurës. Gjithashtu, në homazhe mori pjesë edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, e pak pas tij kryebashkiaku Lulzim Basha.
Kush ishte Musa Skura
“Dëshmori i Atdheut” Musa Skura, u lind më 17 Korrik të vitit 1963, në fshatin Suç të Komunës me të njëjtin emër. Pasi kreu arsimin e mesëm, ai u fut në radhët e Policisë së Shtetit në vitin 1982, ku sapo nisi karrierën në këtë profesion. Familjarët e tij tregojnë dashurinë që kishte Komisari për detyrën në policinë e shtetit. Gjatë karrierës së tij me uniformën blu, Komisar Musa Skura, mori disa grada me arritjet në punën e tij. Në vitet 1997 – 2001, komisar Musai do të mbaronte Arsimin e Lartë, të cilin e ndërpreu për shkak të veshjes së uniformës me mbarimin e shkollës së mesme. Ai studioi për Specialist i Lartë Policie, gjë e cila i shërbeu edhe më shumë në profesionalizmin e tij në luftë me shkelësit e ligjit. Mat Televizion ruan në arkivin e tij dhe një ndër aksionet e policisë së shtetit për mbledhjen e armëve, ku bie në sy profesionalizmi i komisar Musa Skurës, në kryerjen e detyrës së ngarkuar. Nga viti 2003 e deri në vitin 2006, Musa Skura do të merrte titullin ASISTENT, K/ASISTENT dhe N/INSPEKTOR. Më 18 Qershor 2006, ai do të merrte gradën e nën komisarit, gradë të cilën ai e mbajti deri më 07 Prill 2010, ku mori gradën e Komisarit. Puna e Komisar Musa Skurës, nuk ishte e përqendruar vetëm në komisariatin e Matit, por ai shërbeu edhe në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Dibër, në Postën e Policisë Klos, si dhe inspektor i disa zonave në rrethin e Matit. Komisar Musa Skura do të plagosej më 13 Janar 2013 gjatë një operacioni policor për kapjen në flagrancë të një bande kriminale e cila transportonte dhe trafikonte municione luftarake, në fshatin Suç pranë rrugës nacionale Burrel – Klos.
…