-Libri “Nëndetësja” – vëllim me tregime – të shkrimtarit VIRON KONA-/
Nga Ndue Dragusha/
Është e natyrshme që shkrimtari tashmë i njohur jo vetëm brenda kufinjve të Shqipërisë, Viron Kona, të dalë me një libër të ri, sepse krijimtaria e tij ka qenë shumë produktive në vite, duke bërë përherë e më shumë lexues të vegjël dhe të rritur për vete përmes intrigave interesante, por edhe reale, për të cilat lexuesi ka treguar aq shumë interes në vijueshmëri. Leximi i një krijimi letrar sigurisht që ka shije dhe bukurinë e tij, që të motivojë një sensacion të brendshëm të një vazhdimësie artistike, dalë nga një eksperiencë jetësore, që çertifikohet dhe verifikohet në jetën e përditshme të secilit prej nesh, që, sipas kritikes amerikane, Helen Vendler, “shkaktojnë sensacione e ndjenja të veçanta”. René Wellek e Austin Warren, shkruajnë: “Shkrimtari jo vetëm që ndikohet nga shoqëria, por edhe ndikon në të, arti nuk e riprodhon thjeshtë jetën, por i jep formë asaj.”
Dhe vërtetë, duke lexuar librin e ri me tregime “Nëndetësja” të shkrimtarit Viron Kona, pasqyrë e një realiteti dhe një ekzistence të shkuar, gërshetuar me kujtime të dhimbshme, që ngjall tek secili prej lexuesve atë dhimbjen e thellë që të japin kujtimet, që në një mënyrë apo në një tjetër të “mundin” dhe të bëjnë të derdhësh dhe një pikë loti malli, mrekullohesh gjithsesi me stilin e thjeshtë të të shkruarit, që merr forma të ndryshme në parabolën e jetës, aty ku lindin idetë, “vrapojnë” mendimet, përballen personazhet (pavarësisht nga mosha), aty ku njeriu ndihet i obliguar për të bërë atë që duhet në shërbim të ideve që mbështeten nga e mira.
Nuk janë shumë, por 13 tregime, që vijnë nga kohra të ndryshme të realitetit shqiptar, ngarkuar me heroizëm, me dashuri, me pasionin për të mirën, me përballjet me të vështirën etj.
Viron Kona ka një stil të veçantë të treguarit, një narracion modest, por me thellësi dhe qartësi ideshë, plot intuitë dhe inteligjencë. Shkrimtari përmend karaktere nga më të ndryshmit: njerëz të zakonshëm, punëtorë e të sinqertë, fëmijë që dëshirojnë të jenë të mëdhenj, fantazistë të “çmendur”, patriotë të flaktë dhe të besës, por më së shumti dhurues energjishë në shërbim të progresives dhe të komunitetit.
Libri hapet me tregimin “Kamerieri i Ismail Qemalit”, ku vihet në pah thjeshtësia e atij burri shteti, që bëri emër në historinë e Shqipërisë, por që ishte aq i thjeshtë sa vetë thjeshtësia dhe aq i thellë sa të çudiste, me një komunikim shumë qytetar, i cili le mbresa të jashtëzakonshme tek ai fëmijë, që ëndërronte ta takonte, duke e konsideruar si Kryeminstër të Shqipërisë, si njeri të veçantë, por me mënyrën e komunikimit të tij, ai e bën që të fillojë të mendojë jo më për lojrat fëminore, por për vepra të mëdha, siç ishte mbrojtja e trojeve shqiptare nga lakmitë e të huajve përrreth. Shembulli që sjell Ismail Qemali me zogun dhe qentë është një metaforë e fuqishme, e cila e shoqëron këtë fëmijë gjatë të gjithë rritjes së tij, duke blatuar brenda atij shpirti të pastër, heroizmin dhe qëndresën.
Pastaj vjen tregimi “Antigona”, ku në të vërtetë, në fillim të duket se tregohet thjeshtë për të përjetësuar emrat e figurave shqiptare të letersisë, por jo, është një mesazh shumë më i fuqishëm që i jepet lexuesit: “Në të vërtetë s’u linda për t’urryer, por për të dashur!”.
Tregimi “Helmeta” është një tregim që vjen nga pjesa më e bukur e jetës, ku çiltërsia është prezente në çdo hap, fëmijëria, duke transmetuar idenë se njeriu duhet gjithçka ta zgjidhë vetë, pa pritur që të tjerët të “saldojnë” mbi kokën tënde.
Por ajo që të mbetet e paharruar është tregimi “Një gotë uzo”, ku ka ngjyra, kontraste, paradokse, mesazhe të ekzistencës, natyrshmëri plot mall dhe shpresë dhe ku njeriu gjendet një ditë para një karrikeje bosh, drejtuar andej nga shihte prindi i mirë për të mirën e fëmijëve, andej nga duhej të çelnin lulet e reja të një jete të re, por të ngarkuar dhe me ëndrrën e tyre, në formën e mallit.
“… Të nesërmen në mëngjes, rreth orës 06, kur babai zgjohej si zakonisht, shkova ta përshëndesja. Por, ai… nuk jetonte më. Mbi komodinën pranë krevatit, gota e tij e uzos kishte mbetur e pambaruar, kurse jashtë, në oborr, karrigia e thurur me kashtë, ku ai ulej dhe shihte kopshtin me lule, po më dukej më e zbrazur se kurrë…”
Gjithçka sillet në vorbullën e jetës, si në një cirkuit, në një spirale, që shpesh ruan koordinatat e orientimit, por kur të gjithë synojnë drejt së mirës dhe kur e mira vazhdon të rritet, por ato humbasin në një lëvizje marramendëse, në një kaos apokaliptik, kur njeriu vepron ndoshta krejt i pavetëdijshëm për pasojat e veprimit të tij dhe ku e vetmja shpresë, më në fund mbetet se mbase, mbase…. E kjo del qartë tek tregimi “Eukalipti”.
Nuk mund të mos qeshësh tek tregimi “Ajo, po, ishte e qeshur!”, “Hakmarrja e mizës”, “Bluza me zinxhir”, apo nuk mund të mos vuash tek tregimi “Nëndetësja”, “Mbrëmja e maturës” etj., ku problemet fokusohen në sfond më të gjerë, me problematikë kombëtare.
Libri është konceptuar “miks” për të mëdhenj dhe të rritur, ku gjithsecili gjen të vërtetën, shpirtin, ndjenjën, mallin, dashurinë, respektin, edukimin, madhështoren, të përgjithshmen dhe të veçantën, kujdesin dhe qytetarinë, shkurt, është një libër që i duhet secilit, i shërben secilit dhe ku secili “gjendët” brenda vargjeve, ndjesive, mallit, ideve, realitetit dhe dëshirës. Libri të përballë me një jetë, që prezantohet si një skenë teatri, ku secilit i duhet të luajë role të ndryshme, siç ka thënë Shekspiri, si një simfoni që të freskon, si një telajo me ngjyra të ndryshme, ku e mira duhet të jetë vizioni i secilit.
Gjithsesi jeta mund të ndryshojë dhe ndryshimi objektivisht vjen brenda ciklikës së jetës në mënyrë të natyrshme, por në se ne ndërhyjmë në mënyrë të dhunshme, ajo na përgjigjet “dhunshëm”.
Shkrimtari e përmbyll librin e tij me tregimin “Shenjtëria e lexuesve”, si për të dashur të thotë se kjo “mbretëri” duhet të mbetet e pacënueshme, e justifikueshme dhe e paprekshme, sepse aty, pikërisht, ndodhet eleksiri i jetës: tek pastërtia e fëmijëve. Besoni asaj pastërtie dhe mos ndërhyni me veset tuaja!
Libri është një ndër më të lexueshmit dhe më të këndshmit, për vetë larminë e tregimeve, pastërtinë e fjalës, sinqeritetin dhe mjeshtërinë artistike të të treguarit.
I uroj shkrimtarit Viron Kona suksese dhe jetë të gjatë për vepra të tjera të bukura!