
Thanas L. Gjika/
Lasgushi Poradeci, në poezitë e tij ishte shfaqur si “njeri i shenjtëruar”, kurse në jetën e tij private, sidomos kur kalonte muajt e baharit në vendlindje, në Pogradec, në maj-tetor te shtëpia e vjetër me dy kate, jetonte si një tokësor i zakonshëm. Mirëpo në këtë jetë private ai dukej si një qytetar i dalë kohe, sepse në përgjithësi jetonte në përputhje me rregullat e shoqërisë së lirë austriake, ku ishte edukuar në rininë e tij. Kur vajzat u rritën, ato dhe bashkëshortja Nafie e shoqëronin vetëm në muajt e pushimeve verore të shkollës, qershor-gusht, kurse para qershorit e pas gushtit ai jetonte i vetëm nën kujdesin e ndonjë farefisi a komshiu.
Kur delte për të shëtitur nuk e ndante kurre konkën e tij, kapelën republikë dhe bastunin. Në ditët e ftohta të qershorit e shtator-tetorit, mbante veshur pallton e tij të zezë e të gjatë me xhepa të mëdhenj anash. Mbi kokë mbante kapelën republikë, kurse në duart mbate me njërën bastunin dhe me tjetrën litarkën me të cilën kishte lidhur konkën e tij.
Me kompletin e tij Lasgushi shprehte protestën ndaj luftës që i kishte bërë e i bënte qeveria komuniste modës. Njerëzit, gati të gjithë nuk duhej të mbanin më kapela republikë, vetëm shapka si Lenini, askush nuk duhej të mbanin bastune e konka, se këto i mbanin “borgjezët e fëlliqur”. Vetëm Enver Hoxha filloi të mbante një bastun pasi kapi të 60-tat, për të treguar se u ngjante profesorëve të Liceut Francez të Korçës. Në Tiranë midis atyre që ishin shkolluar jashtë vetëm Dhimitër Shuteriqi mbante beretë, për t’u dukur si intelektual frances.
Në xhepin e djathtë të palltos Lasgushi mbante orën e tavinës, të cilën e kurdiste pa dalë nga shtëpia, në mënyrë që t’i binte zilja 15 minuta para orës 12, kohë kur ai donte të ndodhej në shtëpi për të ngrënë drekën. Mbajtja e asaj ore desh të thoshte se të ardhurat e poetit ishin shumë të pakta, sa që nuk mund të blinte një orë dore, por kalamajtë nuk e kuptonin dhe çuditeshin…
Kur dikush e përshëndeste: “Tungjatjeta zoti Lasgush”, ai ia kthente me respekt përshëndetjen duke e ngritur pak kapelën republikë, njësoj si në vitet e paraluftës Antifashiste. Kur dikush e përshëndeste thjesht: “Mirë mëngjes Lasgush”, ose, “mirë dita Lasgush”, ai e shikonte me sytë zhbirues dhe nuk ia kthente përshëndetjen. Burrat e moshuar ia dinin zakonin dhe e përshëndesnin duke e përdorur fjalën e ndaluar “Zoti”
Kalamajtë e mëhallës nuk i kuptonin “protestat” që shprehte Lasgushi me veshjet dhe përshëndetjet e tij, prandaj ata kishin qejf ta ngacmonin. I kalonin afër dhe i thoshin:
“Mirë mëngjes xha Lasgush”. Kur këta ndodheshin afër, ai u përgjigjej me fjalën fyese:“rrugaç”, kur ishin larg u hidhte bastunin për t’i goditur tek këmbët.
Këtu në Worcester MA jam njohur me dy pogradecarë, Todo Kërxhallin, kushëri i Lasgushit, dhe Andrea Kërthi, lindur e rritur në Pogradec në të njëjtën mëhallë ku jetonte dhe Lasgushi. Unë jam lidhur me ta për të pirë një gotë verë a raki, që i krijon Andrea.
Duke kujtuar momente nga jeta e Pogradecit, Todua filloi të tregonte se një ditë ai me disa shokë kishin vrarë disa arabela, rabecka, si i quanin në Pogradec e Korçë.
“Pasi i kishim vrarë, i kishim rrjepur e i kishim shkuar pesë e nga pesë në disa kleçka të gjata si në hell, gati për t’i pjekur. Duke ecur në rrugë po thërrisnim: “Rabecka, rabecka, blini rabecka taze!”
Na rra rruga nga shpëpia e Lasgushit, njëri nga ne e pa tek porta dhe thirri: “Xha Lasgush blima një nga këto kleçkat të hash drekë me mish zogu!”
Lasgushi i vërviti shkopin dhe ne të gjithë u zhdukëm. Mua m’u kujtua porosia e tim eti: “Kur të takosh rrugës Lasgushin përshëndete me fjalët: “Zoti Lasgush”, se ashtu ka qejf ai. Pas disa minutash u ktheva i vetëm dhe kalova nga shtëpia e Lasgushit. Kur e pashë që ishte ende tek porta, iu afrova dhe i thashë: “Zoti Lasgush a ke qejf të blesh disa nga rabeckat e mia, janë të freskvta, i vrava sot në mëngjes tek pylli”.
“Eja këtu”, më tha dhe zgjati dorën e mori një nga kleçkat e mia e më tha: “Me sa i shet?”
“Me pesë lekë për çdo zog, gjithsej 25 lekë”.
“Mirë, më tha, na pesëdhjetë lekë, po t’i blej me dyfishin e çmimit, po shiko mos gjuash nesër a pasnesër ndonjë thëllëzë.”
“Thëllëzat janë rralluar shumë, po do përpiqem, i thashë dhe u largova…”
“Unë, e mori fjalën Andrea Kërthi, shpëtova mirë një ditë shtatori. Dardha e Lasgushit ishte plot me ato kokrat e vogla të verdha në të kuqe. Më lëshoi goja lëng kur i pashë të varrura mbi avlli. Hipa mbi një gur dhe zgjata kokën. Në oborr pashë Lasgushin të ulur në një karrike. Rrinte me kokën poshtë. Mendova se e kishte zënë gjumi. Zgjata dorën të merrja disa kokra, por një nga tjegullat që mbulonin avllinë lëvizi dhe Lasgushi u gjallërua menjëherë. Më thirri: “Ajde kërko te porta si njeri, të të jap disa kokra, po mos vidh si rrugaç. Hik, se do t’ qëlloj!”
Zbrita nga guri dhe prita disa minuta. Pastaj zgjata kokën. Lasgushi kishte bërë gati llastikat e tij dhe po i mbante gati të më gjuante, sikur të ishte ndonjë nga ne të rinjtë. Gjuajti mbi murin e avllisë, sa për të më trembur. Unë prita disa minuta në heshtje dhe kur mendova se Lasgushi e kishte mbledhur mendjen, se mund të.isha larguar, e zgjata kokën përsëri, mirëpo guri i llastikave të Lasgushit më vërshëlleu mbi kokë.
Ika i trembur se mos merrja ndonjë plagë në kokë. Lasgushi vigjëlonte pa u lodhur”.
Të rinjtë e asaj kohe ishin edukuar me slloganet e partisë, që ta donin e vlerësonin më shumë pronën e përbashkët sesa pronen private. Kurse Lasgushi respektonte ligjin themelor të shoqërisë së lirë perëndimore, vleresonte dhe e mbronte me zell pronën private që i kishte mbetur trashëgim nga prindërit, qoftë dhe një tjegull avllie. Të jepte po t’i kërkoje fruta të kumbllës së vetme, por ama të godiste po të tentoje të vidhje…
Pas ndërrimit të regjimit, fjalën “Zotni” filluam ta përdornim shpesh të gjithë, madje edhe ish komunistët, të cilët e përbuznin aq shumë. Po kështu edhe kapelën republikë, filluan ta mbanin pas vitit 1991 shumë ish-komunistë, ish-sigurimsa dhe fshatarakë, që u dyndën nëpër qytete.Edhe konka filluan të mbanin shqiptarët jo vetëm në shtëpitë private, por dhe në apartamente.
Kurse pronën private, njerëzit që erdhën në pushtet pas viteve 1991-1992, qofshin anëtarë të Partisë Socialiste, ose të Partisë Demokratike, nuk e vlerësuan si duhej. Të gjithë e panë dhe e vlerësuan pronën e përbashkët si pronë të askujt, dhe filluan ta ndanin sipas oreksit të tyre. Mirëpo kur e bënë pronë private pronën e përbashkët, nuk ditën ta menaxhonin dhe filluan të vriteshin me njëri-tjetrin.
Sjelljet, mbajtja e bastunit dhe e konkës, respektimi i pronës private si gjë e shenjtë, e zakone të tjera të Lasgushit u bënë shumë popullore pas ndërrimit të regjimit, por Lasgushi kishte disa vite që ishte larguar nga jeta e nuk mund t’i tallte duke u tundur bastunin e tij…