Përgatiti: Eneida Jaçaj/
Të gërmosh për prejardhjen e gjuhës dhe popullit tënd, është një mision patriotik, kulturor, edukativ, studimor, pasi njohja e historisë, vetvetes të ndihmon të ecësh përpara, në rrugën e së ardhmes. Është detyrë profesionale dhe morale e çdo studiuesi, shkencës shqiptare në veçanti, të kërkojnë informacione me përmbajtje për prejardhjen e gjuhës dhe popullit shqiptar. Sot, mundësitë dhe kushtet janë më të favorshme për të bërë kërkime, krahasuar me periudhën e komunizmit. Më shumë mban bota në arkivat e tyre historinë tonë, sesa vetë ne. Në bibliotekën e Vjenës ka mbi 10 mijë dokumente që flasin për shqiptarët, gjithashtu edhe në Vatikan gjen pa fund dokumente 600 vjeçare për historinë e Shqipërisë, ku shteti ynë duhet të financojë ekipe studimi për të zbuluar këto thesare. Gjuha e folur dhe e shkruar ka një rëndësi dhe domosdoshmëri të veçantë për atë popull që e përfaqëson, pasi shërben si mjet komunikimi, ndërton ura lidhëse, zgjidh shumë problematika dhe qasje të ndryshme, afron njerëzit, etj.
Njerëzit primitivë, 10 mijë vite më parë, e kanë ndjerë të nevojshme të merren vesh me njëri-tjetrin, duke përdorur shenja dhe simbole, siç ishin hieroglifet e Egjiptit, e, më pas, gjuhët, jo të gjitha, janë zhvilluar duke pësuar ndryshime gjatë rrugës, por që e kanë ruajtur bërthamën, siç është shqipja. Gjuha shqipe është një nga gjuhët më të vjetra të pemës së gjuhëve indoeuropiane, siç është vetë shqipja, greqishtja, indoiranishtja, italishtja, gjermanishtja, gjuhët romane, sllave, persishtja, etishtja, tokarishtja, gjuhët baltike, keltishtja. Kjo është e vërtetuar nga Franz Bopp, gjuhëtar gjerman dhe albanolog i njohur për studimet e tij në fushën e gjuhëve indoeuropiane. Fillimisht kemi një gjuhë të folur, pastaj të shkruar, dhe, se, gjuha e sotme moderne ka pësuar shumë ndryshime, me gjuhën e folur, përshembull 2 mijë vjet apo 4 mijë vjet më parë.
Do të ishte e pamundur të kuptohej shqipja e folur në kohën e Skëndërbeut; kjo vihet re te arbëreshët e Italisë, por jo vetëm, të cilët e kanë ruajtur pak shqipen që nga koha e paraardhësve të tyre, kur kanë emigruar për t’i shpëtuar pushtimit osman, por që është shumë e vështirë të merresh vesh me ta. Sipas studiuesve, një gjuhë nuk mund të jetojë më shumë se 2 mijë vjet, më pas ajo shndërrohet në diçka tjetër. Patjetër që para shqipes moderne, kemi një protoshqipe dhe një parashqipe, por nuk mund të themi se ajo shndërrohet komplet në një diçka tjetër. Gjuhëtarë të huaj si Eric Hamp pohojnë se shqipja si pasardhëse e ilirshtes ka ardhur duke u zhvilluar, si një nga gjuhët e vjetra indoeuropiane, por që e ka ruajtur bërthamën.
Prejardhja e shqipes
Debatet mes studiuesve shqiptarë, për prejardhjen e gjuhës shqipe, janë rikthyer sërish, duke ndarë pikëpamje të kundërta. Studiuesit më të rinj mendojnë se gjuha shqipe i ka rrënjët te pellazgjishtja, ndërsa studiues që janë pjesë e Akademisë së Shkencave, pohojnë se pellazgët nuk ekzistojnë dhe se shqipja është pasardhëse e ilirshtes dhe një pjesë e gjuhës trakase. Ata thonë se shqiptarët janë popull indoeuropian, tezat për pellazgët janë antishqiptare, thashetheme, sepse pellazgët nuk kanë qenë popull indoeuropian. Diskutimet janë të shumta dhe nuk gjejnë një pikë konverguese. Është e kuptueshme që ajo periudhë është e vështirë të studiohet, pasi ilirët nuk kanë lënë dokumente të shkruara. Sipas studimeve, shkrimi është shfaqur rreth shek të 9 para erës së re. Pasi e morën shkrimin grekët nga fenikasit, ata nuk kanë regjistruar gjuhët e popujve të tjerë, pasi i quanin barbarë popujt e tjerë. Kështu është paksa e vështirë të gjesh shumë të dhëna për të përcaktuar përfundimisht prejardhjen e shqipes: nga pellazgjishtja apo ilirshtja.
Pavarësisht debateve, vlera më e madhe e shqipes është lashtësia e saj, si gjuhë europiane. Eqerem Çabej është figura më e shquar në fushën e gjuhësisë, etnografisë, folklorit shqiptar, i cili pohonte se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, banorëve më të vjetër në Ballkan. Çabej në vitin 1976 argumentonte se rrënjët e gjuhës duhet të gjenden në një nga gjuhët e lashta të Gadishullit Ballkanik. Studiuesit e ditëve të sotme pohojnë se mbishkrimi I limnos është mbishkrim pellazgjik, në vitin 1884, dhe se Dodona pellazge është një tempull që të gjithë autorët antikë e përmendin si institucionin shpirtëror më të rëndësishëm të pellazgëve.
Autorët e huaj
Një varg autorësh të huaj kanë shkruar për prejardhjen e gjuhën shqipe, duke pohuar se rrjedh nga pellazgjishtja përmes ilirshtes. Albanologu i njohur, Norbert Jok, në artikullin “Shkenca europiane dhe gjuha shqipe”, publikuar në revistën “Cirka”, shkruante se interesi për studimin e gjuhës shqipe ka qënë mjaft i gjallë në Europë kohë më parë se të flitej për gjuhët indo-europiane. Çifti tashmë i njohur, Albert Gjoka dhe Frida Vokopola Gjoka, kanë përkthyer një sërë autorësh të huaj, të cilët kanë shkruar për gjuhën shqipe. Përkthyesit vlerësojnë një fakt të rëndësishëm, se enciklopedia gjermane e 1880 thotë se albanët janë një nga popujt më të vjetër, gjë që mund të thuhet me siguri të plotë dhe pa më të voglin dyshim se janë pasardhës të drejtpërdejtë të pellazgëve të vjetër, gjuha e të cilëve është folur prej mijëra vjetësh. Një ndër autorët e huaj që kanë shkruar për prejardhjen e gjuhës shqipe është filozofi gjerman, Gottfried Leibniz, historiani suedez, Johann Thunmann, austriaku Gustav Mayer, francezi Eduard Shnajder, etj.
Thunman sjell historinë e shqiptarëve, 600 vjet para krishtit e deri në kohën e Skëndërbeut dhe vendbanimet e tyre, që nga Dalmacia e deri në Peloponez. Këto studime pohojnë se shqiptarët janë një popull shumë i vjetër në Europë, i veçantë, me një autoktoni të përhershme në këto troje. Josef Ritter von Ksilanderi, në librin e tij “Gjuha e albanëve ose shkipëtarëve”, botuar në Frankfurt am Main, 1835, sjell një përmbledhje të disa prej studiuesve më të njohur europianë si dhe pikëpamjet e tyre mbi gjuhën shqipe dhe historinë e shqiptarëve. Ja çfarëshkruan ai në parathënien e librit: “Gjatë këtij shkrimi ashtu edhe në fundin e tij dëshmohet që pasardhësit e ilirëve, të cilët kanë të njëjtën origjinë me thrakët, gjenden tek shqiptarët, ku në ato vende ata do të shfaqen si rrezet e para të diellit të mëngjesit të historisë sonë”. Malte Bruni në studimin e tij, pasi vuri re se në gjuhën shqipe kishte pak fjalë në lidhje me gjuhën sllave, por më shumë me greqishten dhe gjuhën gotike, si dhe fjalë me rrënjë kelte, doli në përfundimin se: “Gjuha e ilirëve të vjetër duhet të jetë e njëjta gjuhë e shqiptarëve të rinj, origjina e së cilës arrin në kohët më të lashta, ku gjuha greke, iberike, kelte, sllave, teutonike dhe gjuha gotike, secila u zhvillua në sferën e saj”.
Johann Severin Vater, teologu, biblisti dhe linguisti gjerman, i cili në studimin e tij “Tabelat e krahasimit mbi gjuhët europiane” shprehet: “Asnjëra nga gjuhët e popujve europianë nuk duhet të mungojë, së paku gjuha shqipe, si gjuha e banorëve të veçantë të maleve të Thrakës së dikurshme, të cilët kanë mundur të ruajnë akoma gojëdhanat e asaj kohe”. Gjithashtu, ai thotë: “Si të gjitha gjuhët e tjera të Europës edhe gjuha shqipe ose gjuha e Alpeve, apo gjuha e maleve ka pësuar ndryshime, por ndryshe nga gjuhët e fqinjëve ajo u ka qëndruar besnike traditave të tyre të vjetra”. Nga krahasimi i fjalëve të gjuhës shqipe me gjuhët e tjera, ai arriti në përfundimin se gjuha shqipe tregon më tepër ngjashmëri me gjuhët kelte të Europës perëndimore kur duhet pasur parasysh largësia e madhe e maleve të Epirit nga ato të Skocisë (vendit të Galik-Albanak-ut) dhe nga malet e Pirenejve, pra nuk kishte mundësi të huazonin fjalët e njëra-tjetrës.
Një tjetër studjues italian, Baldaci, përshkruan historinë e Shqipërisë që nga periudhat më të lashta, që nga koha e luftrave iliro-romake. Në tetor të 1899, në Kongresin e 12 të orientalistëve në Romë, në fjalën e mbajtur prej tij, Baldaci thotë: “Nga të gjithë ata që banuan Ilirinë, i vetmi që ka mbetur deri në ditët tona është populli shqiptar. Unë ngrej zërin në mbrojtje të këtij populli, që e admirojmë që nga koha kur luftonte me romakët për të mbrojtur territorin e të parëve të tyre, që i rezistoi pushtimeve sllave dhe që si asnjë popull tjetër në atë zonë shënoi një epope të denjë kundër pushtimit osman”. “Gjuha është zjarri i shenjtë i kombit shqiptar: është zemra dhe shpirti, që ndihet edhe tek këngët e tyre, ashtu si tek këngët homerike që kanë arritur në kohët tona prej mijra vjetësh. Disa figura simbolike të Greqisë së lashtë janë të gjalla në Shqipëri, por edhe në Mal të Zi, Herzegovinë e Maqedoni dhe ato zona ku shtriheshin ilirët”. Pra, shqipja është një gjuhë e lashtë, e cila ka ngjallur interesin e autorëve të huaj për ta studiuar prejardhjen e saj. Pavarësisht kundërshtimeve, debateve, ajo që vlen të theksohet është se gjuha shqipe është një gjuhë e vjetër europiane.