Duke pasur për cak të sulmit Ramush Haradinajn Beogradi sulmon pavarësinë e Kosovës/
Gazeta prestigjioze e Belgjikës në gjuhën frënge publikoi një shkrim të gjatë të ish Përfaqësuesit Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bardhyl Mahmutit dhe politologut të njohur nga Belgjika me origjinë shqiptare Safet Kryemadhit.
Shkrimi i plotë mund të lexohet në: http://plus.lesoir.be/node/78281#
Në këtë shkrim autorët sollën argumente të shumta që dëshmojnë se arrestimi i Ramush Haradinajt është arrestim i motivuar politikisht dhe i sajuar nga pushteti i Beogradit. Në mbështetje të kësaj teze autorët citojnë edhe thënien e Dobrica Qosiqit se “gënjeshtra është një karakteristikë e patriotizmit serb dhe se serbët gënjejnë për shkak të dashurisë dhe ndershmërisë”!
Mbi bazën e kësaj strategjie të mbështetur në gënjeshtra autorët sjellin dokumente nga i ashtuquajturi “Libër i Bardhë” i përpiluar nga Shërbimi Sekret Serb me qëllim të njollosjes së luftës çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësve të kësaj lufte. Fletë-arresti kundër Ramush Haradinaj duhet të shihet si rezultat i kësaj strategjie.
Autorët përfundojnë shkrimin e tyre duke tërhequr vëmendje në faktet se “Ramush Haradinaj është hero i luftës heroike të popullit shqiptarë të Kosovës kundër politikës gjenociadare të Millosheviqit. Të veprohet në bazë të akuzave të Beogradit është përpjekje për të kriminalizuar këtë luftë dhe nga « populli i ndaluar » që u pavarësua rishtas të krijohet një “popull ilegjitim”. Është në nder të Francës që të mos mohojë angazhimin e saj të djeshëm, të rreshtuar në anën e shqiptarëve, për të pamundësuar që barbaria ta ketë fjalën e fundit siç pati deklaruar ish presidenti francez Jacques Chirac.