Nga Vasil Sofokli Tole/
Ndodh edhe kështu, që një piktor si Eduart Liri (1812-1888) të shenjohet edhe si transkriptuesi i parë i muzikës iso-polifonike shqiptare, kjo në vitin e largët 1848, gati 100 vjet më përpara botimit të parë në nota të muzikës popullore shqiptare, në vitin 1940 nga Pjetër Dungu!
Bëhet fjalë për një pentagram unikal për nga lloji dhe mënyra, i vendosur në qendër të vizatimit me titullin “Kudhësi”, i realizuar më 31 tetor 1848, në malet e Tepelenës, prej Tij, i cili përveçse piktor e shkrimtar ishte edhe një muziktar i zoti, gjë e patheksuar sa e si duhet deri më sot.
Ky pentagram është si ato mbetjet fosile përmes interpretimit të të cilit mund të rindërtosh të gjithë trupin.
Për më shumë artikulli i botuar sot tek gazeta “Panorama”.
“Eduart Lear, transkriptuesi i parë i tingujve të iso-polifonisë popullore shqiptare”
Nga të gjithë dihet fakti se udhëtimi në Shqipëri i piktorit Eduart Lear (1812-1888) ishte një rezultat rrethanash të cilat bënë të mundur që udhëtimi i tij drejt Stambollit të bëhej duke kaluar përmes Shqipërisë, kjo mundësuar nga leja që ambasadori britanik mundi të siguronte pranë Portës së Lartë në vitin 1848. Falë këtij udhëtimi të përshkruar prej tij edhe në ditarin e botuar më pas në “Journal of a Landscape Painter in Albania”, kemi rreth 100 vizatime, kryesisht peizazhe të bëra gjatë itinerarit që përfshiu Ohrin, Strugën, Elbasanin, Tiranën, Krujën, Lezhën, Shkodrën, Kavajën, Beratin, Ardenicën, Apoloninë, Vlorën, rivierën e Himarës, Tepelenën, Gjirokastrën për të përfunduar në Janinë. Për rëndësinë e këtij udhëtimi e posaçërisht të pikturave të tij kanë shkruar dhe folur ndër vite studiuesit tanë të arteve pamore dhe ata të historisë së Shqipërisë. Me të drejtë, ndër ta Prof. Ferit Hudhri shkroi se Liri krijoi për herë të parë përmasat e plota të peizazhit shqiptar, ku ndihet menjëherë madhështia dhe larmia e relievit, si dhe drita e plotë e ngjyrat e qarta të Mesdheut, etj. Po çfarë ka mbetur ende pa thënë për këtë artist dhe udhëtar të shquar i cili udhëtoi për të pikturuar edhe në Itali, Greqi, Palestinë, Siri, Egjipt, Indi dhe në Celion?
Tashmë është më se e qartë që vlerave të patjetërsueshme të Eduart Lirit në paraqitjen e vlerave artistike, mjedisore dhe atyre te trashëgimisë kulturore të lidhura me Shqipërinë, do t’u shtohen edhe ato të muziktarit, i cili edhe pse në mënyrë të pjesshme, renditet si i pari transkriptues në nota muzikore i tingujve të muzikës popullore shqiptare, posaçërisht atyre të iso-polifonisë jugore. Për këtë le të shohim konkretisht vizatimin me numrin 202 i cili mban shënimin: “KUDHES”, datë 31 tetor 1848, vizatim me përmasat 25 x 51 cm, i realizuar me bojëra uji, ku vetë Liri ka shkruar në qendër të pikturës edhe një pentagram së bashku me notat muzikore në të, këto krahas shënimeve të bëra me laps në trup të vizatimit. (Shih pikturën që ruhet në Harvad University, Houghton Library: http://ids.lib.harvard.edu/ids/view/42729781…”Coudessi/31)
Qartësisht në pentagramin e vizatuar me dorë nga vetë Liri, lexohen notat të cilat përbëjnë melodinë e dëgjuar, të cilën mesa duket, fyelltari lab ne qendër të pikurës e ka interpretuar ndërkohë që Liri e pikturonte atë. Nuk përjashtohet mundësia që grupi i leberve që paraqitet në vizatim mund t’ja ketë marrë edhe këngës me iso-polifoni, por ajo çka shohim është fokusimi i Lirit tek fyelltari në qendër të pikturës, i cili jepet me fyell në buzë i kthyer me fytyrë nga lugina e lumit në sfondin e maleve. Nuk jemi në gjendje të themi se cilët ishin emrat e bartësve të kësaj cope të trashëgimisë sonë shpirtërore që e ndikoi Lirin aq shumë sa të vendoste elemente të saj në trupin e pikturës, duke bërë kështu një miks unikal të arteve (pikturës dhe muzikës), në majën e një mali në Shqipëri.
Ajo që me siguri pohojmë është se përmes shkrimit të notave muzikore, ne jemi në gjendje të kuptojmë si alfabetin muzikor të tingujve pentatonike anhemitonikë dhe të intervaleve karakteristike (2+, 3-, 4, 5+ etj.), tipike për iso-polifoninë tonë, këto të shkruara në pentagramin e pikturës, e po ashtu të pohojmë se ne pentagram nuk gjejmë të plotë një motiv/melodi të mirë transkriptuar deri në fund, gjë e cila do të kërkonte natyrshëm edhe shkrimin e munguar të çelësit të solit, evidentimin e kohës muzikore të pjesës, kjo krahas teksturës muzikore dhe marrëdhënies së notave në melodi, ekzistenca e të cilave qartazi do të përvijonte edhe gjuhën muzikore të pjesës në fjalë. Themi që është melodi fyelli dhe jo këngë e kënduar pasi, së pari kemi qartazi synimin për të transkriptuar një linjë të vetme, por edhe se, mesa duket, iso-ja është e zhvendosur në notat e sipërme (nota re në vijën e katërt), e cila është tipike për një iso të veglës së fyellit dhe jo një shtrat iso-je normal për këndimit e burrave i cili vërtitet në notat fa dhe sol të oktavës së parë. Ky pentagram unikal është si ato mbetjet fosile përmes interpretimit të të cilit mund të rindërtosh të gjithë trupin. Gjithsesi, edhe kaq sa është na mjafton për të thënë se Eduart Lirr është edhe transkriptuesi i parë i tingujve të iso-polifonisë popullore shqiptare. Dhe kjo nuk është pak.
Për të sqaruar të interesuarit duhet të pohojmë se sistemi i notizimit muzikor në Shqipëri ka qënë përdorur vetëm dhe kryesisht në muzikën liturgjike fetare, posaçërisht në atë orthodhokse. Dokumentacion i pasur rreth dorëshkrimeve dhe kodikëve muzikore mesjetare gjendet në Arkivin e Shtetit, ndër to: Kodiku i Beratit nr. 3- shek. IX, Kodiku i Vlorës nr. 7- shek. XI, Kodiku i Beratit nr. 8- shek. XI. Kodiku i Beratit nr. 9- shek XI-XIII, Kodiku i Beratit nr.15-shek. XI-XII, Kodiku i Beratit nr. 16- shek. XIII, Kodiku i Beratit nr. 21- viti 1181, Kodiku i Beratit nr. 23- viti 1292, Kodiku i Beratit nr. 26- shek. XII-XIII, Kodiku i Beratit” nr. 89- shek. XIV, Kodiku i Përmetit nr. 81- shek. XIV, etj të cilët pohojnë këtë realitet muziko-letrar. Në këtë vazhdë do të përmendim edhe emrat e disa krijuesve të muzikës bizanatine të lidhur me Shqipërinë si Jani Gliki, Joasafi, Kukuzeli i Ri, Jan Lambardari, Balasi, Gjon Kryepsaltit (tek kodiku i 95 i Tiranës), Grigori kompozitor (kodik i Beratit i shek. XVIII), etj të cilët kanë shkruar muzikalisht fjalët e Perëndisë. Pra, për aq sa njohim deri më tani, ky lloj sistemi muzikor i cili përdorte kryesisht shenjat muzikore të lidhura me shumë me imazhin grafik të shkronjave se sa me notat e mirëfillta muzikore, ishte e vetmja traditë e notizimit muzikor në Shqipërinë e Mesjetës, traditë që u pasurua shekuj më vonë, në kohën kur kompozitori i shquar hungarez Bela Bartok transkriptoi mjeshtërisht rapsoditë me lahutë të rapsodit shqiptar Salih UGLA në USA në vitin 1940, kur Pjetër Dungu në vitin 1940 botoi të parin libër me transkriptime të muzikës sonë popullore, i pasuar disa vite më pas nga Gjon Kujxhia me botimin “Valle komtare”-1943 etj. Nga ana tjetër janë me dhjetra dëshmitë (shkrimore dhe ato pamore), të cilat provojnë traditën e pasur të këndimit dhe interpretimit muzikor në vegla, por që në asnjë prej tyre nuk gjejmë qoftë edhe një të vetëm notë muzikore si përpjekje për transkriptimin e saj, deri sa vijmë në 31 tetor të vitit 1848 tek pentagrami mitik që Eduart Liri shkroi në qendër të pikturës së tij me titullin kuptimplotë: KUDHESI!
Natyrshëm lind pyetja se a ishte valle në gjendje Eduart Lear që të bënte një transkriptim të plotë të melodisë, apo ai u mjaftua vetëm me kaq, pasi piktura ishte e para dhe e fundit punë në interesin e tij artistik?
Liri ishte një intelektual i njohur për mendjen ekscentrike. Ai e filloi karrierën artistike në moshën 15 vjeç dhe në vitin 1832 u punësua nga Shoqëria Zoologjike e Londrës, për të realizuar ilustrime të zogjve. Në të njëjtin vit, Konti i Derbit e ftoi Lirin të qëndronte në pronat e veta, aty ku Liri shkroi poemën “Një Libër Pa sens”-1846, enkas për nipërit e mbesat e familjes së Kontit. Pas vitit 1836, Liri vendosi t’i përkushtohej ekskluzivisht pikturimit të peizazheve dhe për këtë mes 1837 dhe 1847 udhëtoi gjerësisht në Evropë e Azi. Pas kthimit në Angli, seritë e udhëtimeve u botuan në disa volume me ttitullin “Udhëtime të Ilustruara të një Piktori Peizazhesh”. Lir kujtohet për poemat humoristike si “Bufi dhe kotelja” dhe si krijuesi i formës dhe metrikës së limerikut modern. Liri shkroi shumë poema thellësisht fantastike për krijesa imagjinare, si psh., “Dong-u me hundën e shndritshme”. Libra të tij me vargje humoristike përfshijnë edhe “Këngët pa Kuptim”-1871 dhe “Lirika për të Qeshur”-1877. Liri satirizonte me gjithçka, përfshi edhe veten, si tek “Me anë të një Parathënie” etj.
Krahas sa më sipër, Liri si të gjithë njerëzit e talentuar luante në fizarmonikë, flaut dhe kitarë dhe në piano, një pjesë të tyre i gjejmë edhe të pikturuara prej tij. Ai madje ka kompozuar muzikë për shumë poema Viktoriane dhe romantike, por u njoh më tepër për sfondet e shumta muzikore të poezisë së Tenisonit, poeti që shkroi edhe vargjet epitaf në varrin e Lirit.
Tomorr e Athos, fron magjie,
Vjen hije e largët, gjer tek ne.
Një laps e nje penel i bie
E ndjej si të isha vetë atje!
Liri gjithashtu kompozoi melodi edhe për shumë nga “Këngët pa sens”, përfshi këtu “Bufi dhe Kotelja”, por vetëm dy nga punimet kanë mbijetuar: “Daljet e Yonghy-Bonghy-Bò” dhe “Kori Pelikan”. Ai nuk luajti asnjëherë si profesionist, por ekzekutoi këngët e tij dhe sfondet e poezive të të tjerëve në takime apo festa sociale të panumërta, ndonjëherë duke shtuar edhe lirikat e veta (si me këngën “Familja Nervoze”), dhe ndonjëherë zëvendësonte vargje serioze me rima ninullash. Për ndjeshërine e tij te hollë muzikore, Liri ka hyrë gjithashtu në librin e artë të thënieve të njerëzve më të shquar të muzikës, kjo prej një fragmenti të letrës që ai i dërgonte Lady Strachey më 24 janar 1859: … një by….e marrë e një gruaje të ndyrë, kokë kalbur, budallaqe që në lindje, grykë-pa cipë, me një ulërimë shkatërruese makute, çjerrëse, shushatëse, kërcit-çarje, shkatërrimtare, është duke u praktikuar me ulërima poshtë shkallëve me një mësues shtazë kantoje në mënyrë kaq të tmerrshme, sapo më dilte koka nga vendi…!
Me pak fjalë ky ishe parashtrimi i transkriptimit të parë në nota muzikore i njeh melodie iso-polifonike shqiptare me fyell i realizuar nga piktori Eduart Lear në vitin e largët 1848, të cilit i pëlqente që ta thërrisnin edhe si “Mr Abebika kratoponoko Prizzikalo Kattefello Ablegorabalus Ableborinto phashyph” ose “Chakonoton the Cozovex Dossi Fossi Sini Tomentilla Coronilla Polentilla Battledore & Shuttlecock Derry down Derry Dumps”!
Tiranë, gusht 2015