
Prof. dr. Roland Gjini
Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan
Pjesa e dytë…
Në vitet 1908-1910, Lef Nosi do të dallohet si drejtues aktiv i klubeve patriotike në qytetin e Elbasanit. Përveç aktivizimit në klubin “Bashkimi”, të ngritur në 1908, ai zgjidhet nënkryetar i klubit “Vllazëria”, i krijuar në vitin 1909. Vazhdoi më tej punën për mësimin e gjuhës shqipe jo vetëm në Elbasan, por edhe më gjerë. Kështu, ai së bashku me Parashqevi Qiriazin, dërgoi në Durrës 100 abetare, me porosi të klubit “Bashkimi” të Manastirit. (AQSH, F. 102, D. 60, f. 2.) Kundërshtoi qëndrimin e ri të xhonturqve dhe së bashku me Dervish Ibrahimin, kryetarin e klubit, i dërgon një telegram proteste Senatit turk, lidhur me vendimin e marrë për mbylljen e klubeve shqiptare, që kishin për qëllim zhvillimin e gjuhës shqipe: “Ndër fletore kena pa me keqardhje se Parlamenti ka vendos me mbyll klubet shqiptare që shërbejnë me përhap gjuhën t`onë amëtare… Lutena nga ai Këshill i Epër me pasë mirësinë me ndryshu këtë vendim që pengon përparimin e gjuhës sonë kombëtare”. (AME, F. 31, D. 2, nr. 5, f. 1.)
Lef Nosi, bashkë me patriotë të tjerë elbasanas, do të bëhet nismëtar i themelimit më 2 maj 1909 të shoqërisë “Afërdita” dhe do të zgjidhet kryetar i saj. Kjo shoqëri krijoi edhe një bandë muzikore me të njëjtin emër (Banda Muzikore Afërdita). Kjo ishte shoqëria e parë e muzikës për qytetin e Elbasanit, e cila shpejt do të numërojë rreth 100 anëtarë.
Lef Nosi ishte organizatori kryesor i Kongresit të Elbasanit, i cili u mblodh në shtator të vitit 1909, në shtëpinë e Dervish bej Biçakut. Tre muaj më vonë, më 1 dhjetor, në zbatim të vendimit të marrë në këtë kongres, kontribuoi edhe financiarisht për hapjen e Shkollës Normale, e para shkollë në vend për përgatitjen e mësuesve. Ishte anëtar i “Pleqësisë kujdestare për shkollën e mësojvet”, shoqatë që mbikëqyrte mbledhjen dhe përdorimin e kontributeve financiare të tregtarëve elbasanas për shkollën Normale (AQSH, F. 102, D. 63, f. 2.).
I vendosur në përdorimin e afabetit latin të miratuar në Kongresin e Manastirit, organizoi mitingun madhështor, më 18 shkurt 1910, në sheshin e Namazgjasë, me pjesëmarrjen e 7000 qytetarëve e fshatarëve të ardhur nga Shpati dhe nga katunde të tjera të Elbasanit, kundër vendimit të qeverisë së osmanëve të rinj për të përdorur në shkollat shqipe vetëm alfabetin arab. Ky demostrim, sikurse edhe të tjerë në qytete të ndryshme të vendit, gjeti mbështetjen e rretheve patriotike brenda e jashtë kufijve. Shtypi i kohës do të shkruante kështu për mitingun e Elbasanit: “… u falem nderit nga ana e gjithë qytetit atdhetarëve të flaktë z. Lef Nosit, Muç Shqiptarit, Beqir Plangaricës, Ali Çiftes, Nexhip Haxhiademit, Ali Çeliramës, Tahsim Myftiut e të tjerë që patën mëndjen e bukurë për të parën herë të çfaqin mentimin qi duhet bamun nji miting prej kombëtarëve të këtushëm… që të protestohet kundër mentimit të paarsyeshëm të shkruhet shqypia me shkronjat arabishte …”. (Gazeta Dielli, Boston Mass, 25 mars, 1910)
Në vitin 1910, Lef Nosi boton dhe drejton gazetën “Tomorri”, e para gazetë e qytetit të Elbasanit. Për qëndrimet e hapura e konseguente të kësaj gazete pro vetëqeverisjes shqiptare, për arsimin në gjuhën shqipe, ai do të dënohet përsëri nga autoritetet xhonturke. Kjo gazetë, mes të tjerash, u vu në shërbim të klubit të ri patriotik “Bashkimi i ri”, që u krijua më 13 mars 1910, nga shkrirja e klubeve të mëparshme “Bashkimi” e “Vllaznia”, ku Lef Nosi u zgjodh nënkryetar i këshillit drejtues i kryesuar nga Hysen Hastopalli, me anëtarë Ahmet Daklin, Emin Haxhiademin, Demir Sulçen, Shefqet Daiun, Qamil Haxhifezën, Ali Çiften e Simon Shuteriqin. (Gazeta Tomorri, Elbasan 1910, 31 mars.)
Personalitete të njohura të lëvizjes kombëtare, si Aleksandër Xhuvani (pseud. Dokë Sula), Luigj Gurakuqi (pseud. Lek Gruda), Simon Shuteriqi (pseud. Shkam`i Letanit), Kristo Dako etj., do të shfrytëzojnë faqet e gazetës “Tomorri” për të shprehur qëndrimin e tyre kundër politikës antishqiptare të ndjekur nga shtetet fqinje ballkanike dhe qeveria xhonturke, si dhe për të mbrojtur tezat e autoktonisë, gjuhës, arsimit e kulturës shqiptare. Përkushtimi politik i Lef Nosit ishte i lidhur me zhvillimin e dijes e të kulturës, të shprehura me veprimtarinë studimore të të dhënave gramatikore të shqipes që në kohët e vjetra. Për këtë qëllim, në faqet e gazetës “Tomorri”, u botuan dhe u komentuan pjesë të marra nga i pari libër në gjuhën shqipe të Gjon Buzukut. “Këtë copë … e botojmë me gëzim të math se asht mjaft e interesçme për ata që i bajnë prapa letraturës shqipe … Gjith kush që sheh t`shkuarën e vjetër e të folët e sotme, mund të shohë sa t`paka e të vogla janë ndryshimet ndër djalektet të Shkypëris; më kujton edhe se arbëreshët të Siçilies që ikën të shumtë nga Arbëria, sa të dëlirme e ka mbajtur gjuhën te dheu i huaj”. (Gazeta Tomorri, Elbasan 1910, 30 mars.) Dy artikuj të përkthyer nga shtypi i huaj e botuar në gazetën “Tomorri”, bëhen preteks që me vendim të gjykatës së Dibrës Lef Nosi të burgoset në Manastir në gusht të vitin 1910 dhe, në tetor të atij viti, internohet përjetë në Bursë të Anadollit. (AQSH, F. 32, D. 30, f. 7.) Pas ndërhyrjes së vazhdueshme të politikanëve shqiptarë tek autoritet osmane, lirohet nga internimi në prill të vitit 1911 e kthehet në Elbasan. Lajmin e lirimit ia jep Luigj Gurakuqi me anë të një letre: “Ministrija e lartë e Drejtësisë na njofton se, drejtori i gazetës shqiptare “Tomorri”, Lef Nosi, i cili ishte dënuar me internim të përjetshëm prej gjyqit ushtarak të Dibrës, u fal me dekret mbretëror”. (AQSH, F. 32, D. 8, f. 1.) Burgimi e internimi jo vetëm nuk e frenuan, por e nxitën më tej aktivizimin e tij në lëvizjen kombëtare, saqë shtypi i kohës do ta etiketojë me epitetet “i famshmi atdhetar” apo “atdhetar i shkëlqyer”. (Gazeta E Vërteta, Pera 1911, 6 mars.)
Gjendja e re e krijuar në Shqipëri, pas ardhjes në pushtet të xhonturqve, forcoi tek Lef Nosi bindjen se rruga e vetme e shpëtimit të vendit ishte sigurimi i autonomisë me armë në dorë. Në kushtet e zhvillimit të mëtejshëm të lëvizjes kryengritëse antiosmane, kishin nisur veprimtarinë në trevën e Elbasanit çetat e Martaneshit, Shpatit, Bërzeshtës, e më pas edhe çeta e Byshekut, të cilat në vitin 1911, kishin hyrë në fazën e riorganizimit. Gjatë vitit 1912, Lef Nosi do të jetë jo thjesht dëshmitar por edhe pjesëmarrës aktiv në mjaft ngjarje të rëndësishme. Njëkohësisht, ai vazhdonte të mblidhte dhe të ruante një dokumentacion të plotë, që përfshinte shënime, korrespondenca, fjalime, njoftime e kujtime të personaliteteve të ndryshme mbi ditët e zjarrta që po kalonte Shqipëria. (Këto materiale u bënë të njohura me botimin e Lef Nosit në vitin 1924 të “Dokumenta historike në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare. 1924”.) Në fillim të qershorit të 1912-ës në shtëpinë e patriotit elbasanas, Ali Agjahut, nën kryesimin e Aqif Pashë Biçakçiut, u zhvillua mbledhja që vendosi shpërthimin e kryengritjes në trevën e Elbasanit, në kuadrin e kryengritjes së përgjithshme antiosmane. Po në këtë mbledhje u ngrit edhe Komiteti Revolucionar, ku bënte pjesë edhe Lef Nosi. (AME, Fondi 20, D.10, nr. 76, f. 1.) Ky komitet mori përsipër detyrën e organizimit dhe shpërthimit të kryengritjes në prefekturën e Elbasanit. Si anëtar i këtij komiteti angazhohet në organizimin dhe drejtimin e lëvizjes kryengritëse në zonën e Shpatit, duke mbajtur lidhje me koordinatorin kombëtar të kryengritjes, Hasan Prishtinën. Në korrik 1912, në mbledhjen e çetave të armatosura në fshatin Kryezjarr, Lef Nosi ngarkohet të ngrejë e drejtojë çetën që vepronte në fshatrat Seltë e Nezhan të krahinës së Shpatit. Lidhur me këtë, nga Shpati ai do të shkruajë: “Sot erdhëm një komision 5 vetësh në qytet e po merremi vesh me telegraf me Hasan be Prishtinën në Ferizovik (Ferizaj). 1000 shokë të armatosur i kemi lanë rreth qytetit. Çeta ime ka 150 shpatarakë. Sot do të ikim e do të bashkohemi me shokët.” (AQSH, Fondi. 32, D. 132, f. 34.)
Në ngjarjet e vrullshme të vjeshtës së vitit 1912, që i paraprinë ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë, Lef Nosi do të fitonte rolin e protagonistit. Së bashku me patriotë të tjerë elbasanas ishin të parët në trojet shqiptare, që, në rrethanat e marshimit të rrufeshëm të ushtrisë serbe, iniciuan e organizuan aktin e shpalljes së mëvehtësisë së Elbasanit më 25 nëntor 1912. Lidhur me këtë ngjarje, ai ka edhe meritën e ruajtjes së dokumentit të aktit të shpalljes së pavarësisë së Elbasanit, nënshkruar nga 35 firmëtarë. Më pas Lef Nosi u nis drejt Vlorës, për t’u angazhuar me energji në procesin e organizimit të Kuvendit dhe të ceremonive kushtuar aktit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.
Ndërkaq, kontributi i vyer në dobi të lëvizjes kombëtare, i mundësoi atij, bashkë me Shefqet Daiun, Qemal Karaosmanin e Dervish Biçakun, zgjedhjen si delegatëve të krahinës së Elbasanit për në Kuvendin e Vlorës, të 28 nëntorit të vitit 1912. Lef Nosi tregon edhe një herë vlerat e tij si arkivist, duke ruajtur proçesverbalet dhe vendimet e shkruara gjatë ditëve të kuvendit dhe, mbi të gjitha, ai ruajti në formën e saj të plotë, Deklaratën e Pavarësisë, shpallur në kuvendin mbarëkombëtar nga Ismail Qemali, shkruar nga Luigj Gurakuqi, dokument i cili u afishua në ekspozitën e vitit 1937, me rastin e 25-vjetorit të krijimit të shtetit të pavarur shqiptar.
Ndër përfaqësuesit e mbledhur në Vlorë, Lef Nosi ishte më aktivi e, njëkohësisht, më i vlerësuari. Që ditët e para të Kuvendit ai u zgjodh nënkryetar i Këshillit Pleqësisë, të kryesuar nga Vehbi Dibra. Vlerësimi ndaj figurës dhe kapacitetit të tij u rrit më tej kur, më 4 dhjetor 1912, delegatët e mbledhur në Vlorë zgjodhën nga rradhët e aktivistëve politikë më të shquar ministrat, që formuan të parën qeveri kombëtare të kryesuar nga Ismail Qemali. Në këtë qeveri, Lef Nosit iu ngarkua detyra e ministrit të Postë-Telegrafave, detyrë të cilën e kreu me përkushtim e rezultate.
Theksuam më lart kontributin e madh të Lef Nosit në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, si atdhetar e mbrojtës i çështjes kombëtare shqiptare, luftëtar i përhapjes së arsimit shqip, si politikan e ideator i shtetit shqiptar, drejtues i lëvizjes së armatosur, arkivues, kronikan, shkrues e botues. Në qoftëse do ta portretizonim në mënyrë më të plotë personalitetin e tij, do të shtonim këtu edhe vlerat që ai mbartte, në këtë periudhë e më pas, si mbrojtës i kulturës kombëtare, mbledhës i folklorit, studiues, arkeolog, numizmat, filatelist etj., vlera këto që e rendisin atë në panteonin e burrave më të shquar të kombit.
Shënim: Kumtesë, mbajtur në Konferencën Kombëtare kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë, 26-27 nëntor 2012, organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.