Naum Prifti/
500 vjet pasi Leonardo da Vinci vizatoi skicën e një ure të etiketuar të pandërtueshme, projekti i tij erdhi në jetë në Oslo të Norvegjisë. Adhuruesit e quajnë atë “Mona Lisa e Urave” ndërsa inxhinierët thonë se ndërtimi i një ure të tillë do kishte sjellë një revolucion në arkitekturën e kohës. Mjeshtërit të madh nuk ju pranua skica nga bashkëkohësit dhe kundërshtarët ia quajtën idenë të gabuar. Hulumtuesit dhe inxhinierët në Institutin e Teknologjisë në Masacusets (MIT) në Boston në 2020 tentuan të venë në provë një dizanjo tjetër të vitit 1502 nga Leonardo duke ndërtuar një moket ure në shkallën 1:500 sipas modelit që mjeshtri ia kishte paraqitur Sulltan Bajazitit I. Aso kohe sundimtari i Perandorisë Osmane dëshironte të lidhte qytetin e tij Gallata me kryeqendrën Konstandinopol (Stambolli i sotëm) në të dy anët e ujrave të Bririt të Artë. Në letrën drejtuar Sulltanit mjeshtri e siguronte se ura i plotësonte të gjitha kërkesat përfshirë qëndrueshmërinë e elementeve strukturale si edhe lejonte kalimin e anijeve nën të. Por kundërshtarët e hodhën poshtë si të pandërtueshme dhe projekti mbeti vetëm në letër për pesë shekuj me radhë. Inxhinierët e sotëm e ndërtuan urën bazuar në modelin e Leonardo Da Vincit dhe konfirmuan se ura jo vetëm do t’i bënte ballë forcës së gravitetit por edhe elementeve atmosferike të natyrës, një nga faktorët më me rëndësi për struktura të tilla. Hulumtuesit janë kureshtarë të dinë nëse mjeshtri e vizatoi skicën brenda disa sekondave apo ishte punë që i kushtoi orë e ditë të tëra.
Leonardo Da Vinci shkruante se mund të krijonte ura të transportueshme dhe të lëvizshme, si dhe parashtronte ide e shumë koncepte për makineri e shpikje të tjera. Për Leonardon të gjitha njohuritë qenë të lidhura me njëra tjetrën dhe dituritë e një fushe e ndihmonin në një tjetër. Për shembull mendonte se arkitektura kishte lidhje me anatominë e trupit dhe se ndërtesat u ngjanin trupave. Sa më shumë të dinte për anatominë e trupit të njeriut aq më i mirë do ishte si arkitekt. Leonardo qe studiues direkt i natyrës dhe admirues i saj. “Asgjë nuk mund të gjendet në natyrë që nuk është pjesë e shkencës,” shkruante ai. Sipas tij, “Shkenca është kapiteni dhe praktika ushtarët e saj.” Sot mund të duket e çuditshme qe krijimi i veprave të artit nuk qe qëllimi i tij kryesor. Pikturat qenë të dobishme si një platformë që mund ta shpinte në fusha të tjera të dijes dhe shkencës.
Arkitekti i Metodologjise Shkencore
Viti 1482 ishte një pikë kthese në jetën e Leonardos kur ne moshen 30 vjeçare u largua nga Firence për në shtetqytetin e pasur të Milanos dyqind milje në veri. Ai ishte krejt i huaj në një qytet me popullsi dy herë më të madhe se Firence. Ndonëse ishte një nga qendrat për botimin e librave italisht, Milano ishte më i famshëm për risitë në shkenca dhe dituri të natyrës sesa për art. Një nga krenaritë e qytetit ishte Universiteti i Pavias me nëntëdhjet profesorë të shquar dhe me një nga libraritë më të mira në gjithë Italinë. Leonardo nisi të mbante shënime për fushat që eksploronte në botën natyrale. Te seria e shkrimeve të njohura si Ditaret Fantastike Leonardo trajtonte subjekte me interes të veçantë për matematiken, optikën, botanikën, astronominë, gjeologjinë, fizikën, anatominë. Duke pasur me pak artistë sesa Firence, në Milano mund të kishte më pak rivalitet për talentet mendore. Me këtë pikënisje Leonardo përpiloi një kërkesë tashmë të famshme drejtuar sundimtarit të Milanos Dukës Ludoviko Sforza. Duka ishte diktator me ambicje të mëdha luftarake por i vlerësonte artistët dhe mendimtarët. “Unë mund të shpik një varietet të pafund makinash,” shkruante Leonardo në letrën e tij për Dukën, ku shpaloste zotësitë e tij në teknikën e ndërtimit të bombarduesve, anijeve me topa ushtarake, makina të karrocuara, katapulte dhe pajisje të tjera lufte, ura të transportueshme, si edhe mund të ndërtonte skulptura në mermer, bronz dhe gips. Me shkathtësi, letërshkruesi premtonte sundimtarit të ndërtonte një kalë të madh prej bronzi, që Sforza e donte si memorial për babanë.
Leonardo hyri në shërbim të Dukës Ludovico Sforza të cilit i shërbeu për vite me radhë si inxhinier ushtarak dhe si arkitekt ndërkohë që ishte angazhuar me një varg me punë që nga piktura e skulptura, te një projekt parku, shpikja e armëve të reja, dhe prodhimi i produkteve qe nga parfumi deri te vaj ulliri i rafinuar.
Shënimet e tij hapin një dritare nga e cila duket natyra e eksperimenteve vizatimore dhe prirjet e Leonardos si filozof e shkencëtar. I nxitur nga kureshtja e tij e pafundme, ai pyeste veten për gjithçka: Çfarë është qumështi? Kush e shkakton të vjellët ose teshtitjen? Pse qielli është i kaltër? Çfarë lloj makine mund të fluturojë? Nga vijnë lotët? Çfarë është e dehura, marrëzia, ëndërrimi?
Leonardo besonte se të vërtetat shkencore arrihen duke përdorur pesë shqisat tona. Sipas tij, përvoja vërteton teoritë dhe përvoja e drejtpërdrejtë është më e rëndësishme se përvoja e të tjerëve. Ai çmonte gjithçka që mendjet e tjera kishin zbuluar para tij, por kjo nuk do të thotë se me doemos pranonte idetë e tyre. Çdokush që argumenton duke iu referuar të tjerëve nuk përdor trurin e tij, por vetëm kujtesën, thoshte ai. Disa të shkolluar i quante budallenj që në veprat e tyre mbështeteshin në punimet e të tjerëve. I frymëzuar nga Aristoteli, mjeshtri planifikonte mundësinë e botimit të shënimeve si një enciklopedi të njohurive shkencore, një sistem për të kuptuar gjithçka. Kërkimet dhe shkrimet e tij do ta mbanin atë të okupuar edhe për tridhjet e shtatë vjet të tjera por ashtu si shumë projekte të tij edhe ky projekt nuk u përfundua kurrë. Megjithatë ajo që la pas qe tej madhështores.
Trembëdhjetë mijë faqe shënime që studjuesit dhe shkollarët më vonë i ndanë në dhjetë asortimente, në të cilat mes të tjerave jepen hapat e para drejt metodave moderne të shkencës. Leonardo da Vindi qe vëzhgues dhe studiues i shkëlqyer i botës natyrore, të cilën e shikonte të pandarë nga bota shkencore. Nuk është rastësi që konceptet e tij që nga arkitektura deri në mjekësi rikthehen në jetë në shekullin 21.